Një objekt për ceremoni fetare është drejt përfundimit në fshatin Pjetërshticë të Shtimes.
Me financim të vetë banorëve objekti po ndërtohet në një pronë të Komunës, vendimi i së cilës për dhurim është shpallur i kundërligjshëm nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës pas shqyrtimit për destinimin e pronës së komunës për aktivitete të ngushëllimeve të komunitetit në fshatin Pjetërshticë, konstatoi se: Hyrja e vendimit duhet të ketë bazë të ligjit nr.04/L-174 për Planifikim Hapësinor dhe të shikohet lokacioni i planifikuar sipas dokumenteve të planifikimit hapësinor. Nuk lejohet destinim apo shfrytëzim tjetër nga ajo që është paraparë me dokumentet e planifikimit hapësinor”, thuhet në vendimin e MMPHI-së para një viti.
E ekzekutivi komunal pas më shumë se një viti e ka prezantuar para asamblistëve vendimin e Ministrisë, ku thuhet se bartja e 500 metrave katrorë të pronës publike është e kundërligjshme.
Dhe në mbledhjen e 22 prillit vendimi për bartje të pronës u shfuqizua dhe kjo nxiti polemika të shumta.
Opozitarët kritikuan pushtetin komunal se e ka fshehur vendimin e ministrisë deri tash.
“Keni hyrë borxh se i kemi mashtruar dhe i keni lejua punimet. Kam thënë që inspektorati duhet me dalë atje dhe me ndalë punën dhe mos me i leju me shpenzu kot, sepse ke me rrënu ashtu siç keni edhe vendime të tjera për rrënim, ju sot nuk lajmëroni por keni edhe vendime të tjera edhe nga inspektorati, por a guxoni t’i rrënoni apo jo është çështje juaja”, ka thënë asamblisti i pavarur Reshat Mujota.
Kritika pati edhe nga PDK-ja.
“Qytetar të Pjetërshticës, ekzekutivi ju ka gënjyer qe një vjet e tre muaj, ua ka lëshu lejen, e ka sjellë në kuvend arsyetimin se nuk e pengon planin urbanistik, ne me gjithë dëshirë e kemi votuar. Tash pas kësaj kohe e sjellin dhe thonë është në kundërshtim me ligjin, një vit e një muaj e kanë mbajtur të fshehur vendimin e MAPL-së”, ka thënë asamblisti Përparim Ramusa.
Në Pjetërshticë, me gjithë vendimin për shfuqizim të dhurimit të pronës, po punohet në objekt.
Banorët e fshatit nuk kanë pranuar të flasin e në një moment edhe kanë penguar punën e KOHËS.
E në ditën kur u shfuqizua vendimi për dhurim të pronës, nga pushteti janë arsyetuar se ishte neglizhencë e tyre mosnxjerrja e vendimit të Ministrisë në Kuvendin Komunal, më herët.
“Unë kam pasur presion prej qytetarëve për ta kryer këtë pjesë. Nuk kam qenë i interesuar t’u them qytetarëve që të ndërtojnë apo mos të ndërtojnë, kanë ardhur dhe kanë bërë pyetje disa herë tek unë dhe ju kam thënë se vendimin e keni të kundërligjshëm, përkundër vullnetit të gjithë asamblistëve që me ju lejua. Arsyeja pse s’ka ardhur ju garantoj se nuk ka pasur të bëjë me pjesën e politikës, por më shumë ka qenë neglizhencë imja”, ka thënë drejtori i Urbanizimit në Shtime, Grejtalb Emini.
Sipas drejtorit Emini, Komuna nuk ka pranuar ndonjë procesverbal nga Inspektorati për rrënim të këtij objekti.