Gjatë ditës së sotme, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve, Kurti e Vuçqiq do të përballen në Bruksel për herë të parë pas më shumë se nëntë muajsh, me një rund të ri bisedimesh.
Qeveria e Kosovës ka thënë se fokusi i këtij takimi “do të jetë zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, Aneksi për zbatimin e saj dhe rruga përpara”.
Sipas njoftimit të Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme (EEAS), Borrell dhe Lajçak fillimisht do të bisedojnë ndaras me Vuçiqin, e më pas me Kurtin, pas çka është planifikuar të vijojë një takim i përbashkët trepalësh.
Sipas agjendës së publikuar në faqen zyrtare të BE-së, në orën 16:30, kryediplomati evropian do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, teksa nga ora 17:00, ai do të mbajë takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Takimi trilateral pritet të nis nga ora 18:00, ku do të jetë i pranishëm edhe emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Siç tha Borrrell, ai po bën përpjekje për ta sjellë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në një “zgjidhje operative” për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo tani është thelbësore, shtoi ai, sepse anëtarët e BE-së po shqyrtojnë propozimin e tij për të paktën heqjen graduale të sanksioneve kundër Kosovës.
Ky do të jetë takimi i parë mes Kurtit dhe Vuçiqit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, pas ngjarjeve në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – më 24 shtator të vitit të kaluar, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë e Kosovës dhe vrau një polic.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se të mërkurën në Bruksel do të shkojë për të parë se në çfarë gjendje ndodhet Kosova në kuadër të dialogut, ndërsa nuk është shumë optimist për arritjen e ndonjë rezultati.
“Nesër në mëngjes do të udhëtoj në Bruksel. Nuk kemi pasur një takim të lartë që një vit. Gati tre vite janë bërë nga takimi i fundit. Takimi i nesër do të jetë në funksion të rekapitullimit të këtij procesi tre vjeçar, të shohim se në çfarë gjendje ndodhemi dhe cilat janë idetë se si duhet të ecim përpara. Prej këtu kanë filluar problemet. Marrëveshja bazike e bënë normalizimin e raporteve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, me njohje de-fakto. Kjo është zgjidhja më e mirë e cila nuk është realizuar deri më sot”, ka thënë Kurti të martën.
Ndërkaq, emisari special i BE-së, Miroslav Lajcak tha gjithçka është gati për këtë takim.
“Me takimin e nivelit të lartë të Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që mbahet nesër, javën e fundit ia kam kushtuar përgatitjeve të thella. Kam vizituar Kosovën dhe Serbinë për të diskutuar qëllimin e këtij takimi – të shqyrtohen të arriturat dhe të planifikohen hapat e ardhshëm, veçanërisht në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”, shkroi Lajçak të martën mbrëma.