×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Ambasada e ShBA-së mohon t’i ketë anuluar trajnimet për Policinë e Kosovës

    NgaKotar FactorialPublikuar: 26/09/2024 | 16:30 Publikimo: 26/09/2024 | 16:30

    Mbrëmë u raportua se ShBA-ja i ka anuluar trajnimet për Policinë e Kosovës. Krejt kjo u tha se vjen si pasojë e veprimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës në veri.

    Por, këtë fillimisht e mohuan burime të Klankosova.tv brenda njësive speciale të Policisë së Kosovës.

    Edhe nga vetë Policia, sot zyrtarisht u tha se kjo nuk qëndron.

    E në një përgjigje për Klankosova.tv, nga Ambasada Amerikane në Prishtinë thanë po ashtu se nuk ka një vendim të tillë.

    Zyra për komunikim e Ambasadës i është referuar një deklarate të bërë më 30 gusht, ku thuhej: “Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe vartësit e saj”.

    Në vazhdën e kësaj deklarate, Ambasada tha po ashtu se janë duke i përcjellë zhvillimet, por se nuk ka ndonjë vendim për anulim të trajnimeve në këtë kohë.

    “Jemi duke vazhduar të rishikojmë këtë çështje, dhe nuk kemi marrë asnjë vendim në këtë kohë”, thanë për Klankosova.tv nga Ambasada e ShBA-së.

    Në reagimin e 30 gushtit, Ambasada veç tjerash pati thënë: “Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës përgjatë shumë viteve si pjesë e përkushtimit tonë për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës nga ana e qeverisë për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet e Kosovës që të ‘vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar’. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe vartësit e saj”.

    E Policia e Kosovës tha sot se janë duke vazhduar trajnimet me ShBA-në, por thanë gjithashtu se i marrin seriozisht edhe deklarimet e Ambasadës Amerikane që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e saj.

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.