Sot përfundon afati për regjistrimin e popullsisë në Republikën e Kosovës i cili kishte filluar me 5 prill të këtij viti. Për regjistrimin e popullsisë janë angazhuar rreth 3500 regjistrues, derisa kanë qenë shtatë pyetësor, shkruan FrontOnline.
Ndryshe nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, këtë vit në këtë regjistrim, është shtuar edhe pyetësori për dëmet e luftës dhe pyetësori për regjistrimin e bashkatdhetarëve.
Sipas ligjit, çdo banor i Republikës së Kosovës detyrohet, që gjatë Regjistrimit, zyrtarit për regjistrim t`ia ofrojë të gjitha të dhënat e sakta në pyetësorët e Regjistrimit të Popullsisë.
Deri më tani janë regjistruar 1 milion e 440 mijë banorë në Kosovë dhe mbi 400 mijë qytetarë nga diaspora.
Qeriqi: Janë mbi 1 milion e 440 mijë qytetarë të regjistruar
Zëdhënësja e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Hazbije Qeriqi, për FrontOnline ka folur rreth këtij procesi, duke treguar për numrin e popullsisë së regjistruar, procesin se si ka shkuar dhe për realizimin e pagesës për regjistruesit e këtij procesi.
Qeriqi thotë se deri me tani nga të dhënat që kanë janë mbi 1 milion e 440 mijë banorë të regjistruar derisa njofton se rezultatet preliminare publikohen në qershor.
‘’Shifra e fundit që kemi publikuar është ajo që ka dhënë U.D. të shefit ekzekutiv në konferencë dhe është 1 milion e 440 mijë, afërsisht aty diku por edhe gjatë kësaj jave ka pasur regjistrime, por nuk mund të japim më shifra. Të dhëna kemi, por meqë jemi në fund të procesit dhe rezultatet më nuk japim deri në shpalljen e rezultateve preliminare, deri në fund të qershorit’’ deklaron ajo për FrontOnline.
Ajo thotë që sipas ligjit brenda tre muajve duhet të shpallen rezultatet, por se do të mundohen të i publikojnë para këtij afati.
‘’Sipas ligjit afati është brenda tre muajve, por ne do të mundohemi që rezultatet të i përgatisim më herët. Datën nuk e kemi caktuar ende, por në fund të qershorit publikohen” potencon ajo.
Qeriqi nga ASK-ja: Nuk ka arsye të zgjatet afati i regjistrimit të popullsisë
Ndërkaq rreth kërkesave të disa komunave për shtyrje të afatit për regjistrimin e popullsisë, zëdhënësja e ASK-së, Hazbije Qeriqi thotë se pas analizës që kanë marrë, nuk ka arsye për zgjatje të afatit.
‘’Kemi marr edhe ne disa kërkesa nga disa Komuna për zgjatje të afatit për regjistrimin e popullsisë, mirë por deri më tani janë duke u shqyrtuar ato kërkesa, mirëpo sipas nesh nuk ka arsye për zgjatje të afatit, deri më tani, ende janë duke u shqyrtuar këto kërkesa. Informatën që mora nga ekipi që është në takim për analizën e kërkesave, nuk ka arsye për zgjatje të afatit për regjistrimin e popullsisë’’deklaron Qeqiri për FrontOnline.
Rreth evidentimit të dëmeve të luftës, zëdhënësja e ASK-së, thotë se procesi ka shkuar mire por që nuk kanë aktualisht të dhëna se sa është numri i tyre.
‘’Procesi i evidentimit të dëmeve të luftës ka shkuar mirë dhe gjithë qytetarët që kanë pasur dëme i kanë deklaruar ato. Ende nuk kemi filluar me mbledhjen e të dhënave për dëmet e luftës sepse ky bëhet pasi të mbyllet i gjithë procesi dhe më pas bëhet pastrimi i të dhënave dhe në fund shpallen ato. Momentalisht nuk kam informatë për këtë sepse nuk e kemi analizuar ende’’ shton ajo.
Nga ASK-ja: Ja kur bëhet pagesa për regjistruesit e popullsisë
Zëdhënsja e ASK-së, Hazbije Qeriqi, për FrontOnline, po ashtu ka treguar edhe për kohën kur do të bëhet pagesa për rreth tre mijë regjistrues që kanë marrë pjesë në këtë proces.
‘’Ka qenë e planifikuar se si të bëhet pagesa. Pagesën për pjesën e trajnimeve tashmë e kanë marrë, ndërkaq pjesa e punës në terren bëhet me realizim, sepse për çdo pyetësor sepse varet sa pyetësor i kanë bërë edhe ashtu paguhen, që besoj se nga mesi ose fundi i qershorit kryhen gjitha pagesat për regjistruesit’’deklaron ajo.
Ndërkaq për numrin e popullsisë që janë regjistruar nga diaspora, zëdhënësja e ASK-së, thotë se kalon shifrën prej mbi 400 mijë.
‘’Deri në ditën e hënë e kemi pasur një shifër prej 400 mijë qytetarë që janë regjistruar, përmes platformës online dhe përmes pyetësorëve fizik dhe kur të shpallen rezultati pritet të del edhe shifra përfundimtare’’ përfundon ajo për FrontOnline.