Bashkëqytetarët tanë të komuniteteve ashkalinj, egjiptian e romë kanë një histori të lavdishme në të kaluarën e tyre veç e veç. Ata kanë një kulturë politike të veçantë dhe përgjithsisht kulturë të veçantë që meriton respekt. Janë begatia e Kosovës, me çka gjithë Kosova duhet të krenohet. Komuniteti shumicë duhët të përkujdeset që punësimi, shkollimi dhe integrimi i këtyre komuniteteve të jetë një prioritet kombëtar.
Tregimi për ashkalinjët
Disa vite më parë një mitrovicas, kryetar i degës së Partisë së Ashkalinjëve të Kosovës më ndali dhe më tha se ka një porosi-dhuratë për mua.
Ishte nga Berat Qerimi prej Lipjani , autor i librit mbi historinë e ashkalinjeve, të cilin nuk e kisha takuar ndonjëherë e as që kisha dëgjuar për të. Fakti që pa u njohur personalisht po më dërgonte dhuratë librin e tij më mikloi sedren (d.m.th. ky njeri po më çmonte nga larg) dhe librin e tij e vura siper dengut të librave që i vendos pranë shtratit në radhë për t’u lexuar. Rallë ndodhë që e ndryshoj radhën e akoma më rrallë që të ndërprej leximin e një libri për të filluar një tjetër.
Po librin e Berat Qerimit jo vetëm që e hodha sipër radhës po edhe fillova ta lexoj pa përfunduar librin që isha duke e lexuar. Dhe nuk u pendova. Ky libër meriton të jetë lektyrë shkollore në shkollat e Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë.
Autori tregon historinë e lashtë të popullit ashkali që origjinën e ka nga territoret e Iranit të sotëm, ku 3 mijë vite më parë nga ky popull kishin dalë shumë mbretër duke filluar nga Ashkani i Parë. Një histori impresionuese. Mezi po pres që ta lexoj librin e dytë nga ky autor.
Fakti që ky popull u detyrua të ikte nga terrori dhe të vinte në viset tona gjatë sundimit osman, e ndoshta edhe më parë, tregon tragjedinë që ka pësuar ky popull i lashtë.
Tregimi për egjiptianët
Sot kur po i shkruaj këta rreshta, e mbrojti tezen e masterit pjesëtari i komunitetit egjiptian Fatmir Kryeziu me temën “Integrimi i komunitetit egjiptian në shoqërinë kosovare”. Unë isha mentor i këtij kandidati dhe mësova shumë gjëra nga ky punim. Thelbi i këtij punimi masteri është se përkundër përparimit që ka ndodhur në shoqërinë kosovare pas çlirimit të Kosovës duke arritur që të ketë edhe një ministër në qeverinë e Kosovës nga ky komunitet, ka shumë gjëra që lenë për të dëshiruar.
Punimi ka gjetje interesante. Ky komunitet dhe dy komunitete tjera (ashkalinjët e romët) përbuzën jo vetëm në media ku përdoret akronimi RAE, po edhe në spjegimin zyrtar të flamurit kombëtar të Kosovës ku thuhet se një yll në flamur paraqet komunitetet RAE në ndërkohë që secili komunitet tjetër etnik në Kosovë përfaqësohet me një yll.
Rekomandimi i këtij punimi të masterit është që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të merr vendim që dizajni i flamurit të Kosovës të ndryshojë ashtu që yjet të hiqen krejtësisht nga flamuri i Kosovës.
Shtrohet pyetja kush duhet ta bëjë këtë. Së pari këtë çështje duheët ta shtrojnë deputetet e këtyre komuniteve në Parlamentin e Kosovës, së dyti Këshilli Konsultativ për Komunitete Jo-shumicë pranë Presidencës duhet të kërkojë nga Presidentja që këtë çështje ta shtrojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës me kërkesën që të urdhërohet heqja e yjeve nga flamuri i Kosovës për shkak të kuptimit poshtërues e mohues të identitetit të veçantë të këtyre tri komuniteteve etnike ku njëri ka prejardhjen nga Irani (ashkalinjet), i dyti nga Egjipti (egjiptianët) ndersa i treti nga India (romët).
Përdorimi i akronimit RAE është racist dhe nuk ka pse të përdoret në asnjë rast. Të thuash RAE është sikur të përdoresh termin turko-serbo-shqiptarët. Si do të ndjeheshin këto tri komunitete nëse do t’ u mohohej identiteti i tyre i veçantë etnik?\
Tregimi për romët
Kur me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare u rindërtua Mëhalla e Romëve në Mitrovicë, Muja nga komuniteti rom e gjeti vendin e punës përballë zyrës sime. Pastronte këpucët e qytetarëve për disa centë duke i duruar edhe fyerjet qe ia bënin shqiptarët me zemër të zezë.
Çdo mëngjes mbarte mbi kurriz sandëkun e rëndë bashkë me bojërat dhe furçat, ndërsa në mbrëmje i kthente prapë në Mëhallën e Romëve. Dy kilometra në një drejtim dhe dy tjera në kthim, Muja nga mëhalla e romëve i bënte 4 kilometra rrugë me sandëkun e tij mbi kurriz çdo ditë.
Duke e parë vuajtjen e tij se me sa mundim e nxjerrke bukën e gojës, një ditë i thash: orari yt i punës po përputhet me orarin e kameramanëve të TV Mitrovicës, lëri gjërat e tua në një qoshe të zyrave tona në mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes vjen i merr, kështu që nuk i bartë gjithë atë rrugë. Muja u gëzua shumë edhe pse ditëve të para kish frikë se mos kush nga stafi i radio televizionit ia merrte gjërat, mos ia harxhonte bojën apo ku ta dijë se çfarë dhe e linte pa bukë.
Kur pas disa ditësh, Muja u sigurua se asgjë e keqe nuk po ndodhte me gjërat e tij, më tha në mirëbesim: ”më shumë po i dua shqiptarët se magjuptë”. Kjo shenjë falënderimi ndaj meje mu duk e tepërt, dhe për t’i dhënë kurajë i thash: “çka ke me i dashtë shqiptarët ma shumë se magjuptë?
Magjuptë e kanë lëkurën e zezë e zemrën e bardhë, kurse shqiptarët e kanë lëkurën e bardhë e zemrën e zezë”. Muja qeshi, por nuk u pajtua “balancimin” që bëra.
Pas disa kohe Muja e zgjeroi “biznesin” e vet. Mblidhte hekura të vjetra dhe plastikë që i shiste për skrap. Po ashtu mblidhte edhe shishe të qelqit që nuk e di se për çfarë i duheshin. Të gjitha këto i skajonte në qoshen tashmë të tij në lokalet e RTV Mitrovica dhe sapo i grumbullonte ca e ca i dërgonte në destinacionin e tij.
Por ndodhi 17 korriku 2012, ku komunarët e Mitrovicës bashkë me policinë e Kosovës në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe normat elementare njerëzore, në mbrëmje pas orarit të punës, thyen dyert e Radio Televizionit të Mitrovicës dhe grabitën çdo gjë: pajisjet, arkivin, dokumentet, pikturat, skulpturat, inventarin dhe…. gjërat e Mujës nga Mëhalla e Romëve në Mitrovicë.
Disa ditë pas kësaj ngjarjeje takova Mujën tek po shëtiste në qytet. U afrua për të më ngushëlluar. Më tha: Zoti ka me ua thye qafën. Ai ngushëllonte vetën që ishte bashkë-viktimë me Radio Televizionin e Mitrovicës.
Por kur takova Mujën dhe me atë që i tregova u pikëllua shumë.
I tregova se Avni Kastrati dhe tipat e tij po ua demonstrojnë njerëzve dhe po shpërndajnë fotografitë e gjërave të tij e po thonë shih çfarë ka mbajtur në zyre Nexhmedin Spahiu. Këqyri- tha – pisat e këqij, po kështu as në Mahallë nuk bëjnë. Jo vetëm që m’i kanë vjedhë sendet e mia po edhe m’i ka qitë në syret – tha Muja. Mos lufto me ta Nexh, injoroi –tha Muja – se ata qenkan ma magjupë se do t’mahallës sime.
Ky është krim që dënohet me ligj. Të shkelësh privatësinë e tjetrit vetëm se ti përmes votave të vjedhura ke marrë në dorë fondet publike dhe me to t’i paguan kriminelë tjerë që natën thyejnë dyert e institucioneve tjera është krim e shkuar krimit. Përballë tij, Muja nga Mahalla e Romëve që fiton bukën me djersen e ballit, që duron ofendimet e poshtërimet që ia bëjnë është një zotëri i vërtetë.
Ai edhe më jep këshillën e duhur që të mos luftoj me ta. Këta tallen me biznesin e ndershëm të Mujës përmes të cilit më përgojojnë edhe mua, dhe harrojnë se u mungon kultura elementare njerëzore. Ata mburren me banditizmin dhe hajninë e vet. Mburren se kanë shkelë mbi privatësinë e tjetrit.
Përfundimi
Bashkëqytetarët tanë të komuniteteve ashkalinj, egjiptian e romë kanë një histori të lavdishme në të kaluarën e tyre veç e veç. Ata kanë një kulturë politike të veçantë dhe përgjithsisht kulturë të veçantë që meriton respekt. Janë begatia e Kosovës, me çka gjithë Kosova duhet të krenohet. Komuniteti shumicë duhët të përkujdeset që punësimi, shkollimi dhe integrimi i këtyre komuniteteve të jetë një prioritet kombëtar.
***************