×
  • Mendimi im
  • Puna jonë
  • Mendimi im

    Befasitë e një dileme të përmbysur

    NgaKotar Demush Shasha Publikuar: 16/04/2024 | 0:19 Publikimo: 16/04/2024 | 0:19

    Kur nisi lufta në Ukrainë të gjithë kemi qenë të bindur se mund të mbështeteshim në SHBA-në, por dilema ishte se a mund të mbështeteshim në BE-në? Sot, dy vjet më vonë, jemi përballë dilemës së përmbysur: e dimë se mund të mbështetemi në BE-në, por a mund të mbështetemi në SHBA-në?

    Para nisjes së luftës në Ukrainë ka ekzistuar një supozim në marrëdhëniet transatlantike: në përballje me Rusinë, SHBA-ja është aleat i parashikueshëm në të cilin mund mbështetemi, ndërsa Bashkimi Evropian është rrezik i paparashikueshëm që duhet menaxhuar. Kjo ishte kështu, jo për shkak të ndonjë arsyeje mistike, por sepse thjesht është provuar vështirë që BE-ja si trup i përbërë prej 27 qeverive sovrane të veprojë me shpejtësi dhe vendosmëri në skenën ndërkombëtare. Aty ku SHBA-ja kishte një vendimmarrës, BE-ja kishte 27.

    Sidoqoftë dy vjet nga pushtimi rus i Ukrainës ky supozim është duke u sfiduar. Në një kohë kur lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë jashtëzakonisht fragjile dhe kur Ukraina ka nevojë urgjente për mbështetje ushtarake, Bashkimi Evropian është shndërruar në mbështetësin e saj më luajal. Deri më sot, BE-ja me 144 miliardë euro ndihmë financiare është larg mbështetësi më i madh i Ukrainës, ndërsa me pakon e re financiare prej 50 miliardë eurosh ajo ka çimentuar mbështetjen për Ukrainën deri në vitin 2027.

    Nga ana tjetër, përçarjet politike në SHBA dhe perspektiva e kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë kanë vënë në rrezik jo vetëm mbështetjen ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, por edhe kredibilitetin e saj ndërkombëtar. Si qëndrojnë gjërat tani dhe në një skenar ku Kongresi Amerikan dështon të miratojë pakon e fundit financiare ushtarake për Ukrainën, e gjithë ndihma për Ukrainën do të varet vetëm nga BE-ja. Me fjalë të tjera, i gjithë fati i rendit perëndimor do të jetë në duar të BE-së.

    Natyrisht skepticizmi fillestar ndaj BE-së ishte i kuptueshëm. Duke njohur varësinë energjetike evropiane nga gazi rus, ishte tërësisht e pritur se BE-ja nuk do të arrijë të përballet me arushën ruse. Në fakt, as vetë BE-ja nuk ka pritur se pushtimi rus i Ukrainës do të jetë një ngjarje kaq thellësisht transformuese për BE-në. Në zanafillën e luftës në Ukrainë, maksimumi që kancelari gjerman Scholz ishte i gatshëm të ofronte ishte “qebe dhe helmeta”, ndërsa sot po flasim për furnizim të Ukrainës me tanke dhe aeroplanë.

    Ekonomia e BE-së është në rrugë drejt vendosjes së të gjithë ekonomisë në gjendje lufte. Në vitin 2023 vendet anëtare të BE-së kanë ngritur buxhetin e tyre ushtarak në nivele rekorde që nga viti 1989, ndërsa deri në fund të këtij viti numri i vendeve anëtare të NATO-s, të cilat do të arrijnë standardin e 2% të NATO-s do të trefishohet. Buxheti ushtarak i BE-së do të arrijë 380 miliardë euro, nivel ky i barabartë me atë të Rusisë. BE-ja për herë të parë ka ngritur Mekanizmin Evropian të Paqes, i cili ka vendosur themelet e asaj që është konsideruar deri dje vija e kuqe për BE-në: integrimi ushtarak në mes vendeve anëtare.

    Në këtë frymë, Agjencia Evropiane e Mbrojtjes për herë të parë ka filluar prokurimin e përbashkët të municionit. Sipas të gjitha gjasave BE-ja do të arrijë të prodhojë 1 milion raketa deri në fund të këtij viti. E gjithë kjo ka shtyrë ministrin gjerman të Mbrojtjes të raportonte se po ndihej “shumë optimist” në kapacitetin e BE-së për të mbushur çfarëdo hendeku që tërheqja eventual e SHBA-së do të shkaktonte. Duke reflektuar përkushtimin e palëkundur evropian për fitoren e Ukrainës ndaj Rusisë, këtë javë presidenti Macron ka refuzuar të mohojë mundësinë e përfshirjes së ushtarëve evropianë në fushëbetejën e Ukrainës.

    Dhe përderisa kancelari Scholz ka qenë i shpejtë në mohimin e një gjëje të tillë, vetë fakti i diskutimit të një ideje të tillë mbrapa dyerve të mbyllura është tregues i transformimit të paprecedentë nëpër të cilin ka kaluar BE-ja që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës.

    Nga ana tjetër, po aq impresiv ka qenë transformimi energjetik i BE-së. Me nisjen e luftës në Ukrainë, Rusia ka përdorur varësinë energjetike evropiane si armë ekonomike. Me shenjat e para të rezistencës evropiane Rusia mbylli gazsjellësin “Nord Stream 1” duke synuar gjunjëzimin ekonomik evropian. Këtij akti armiqësor BE-ja iu përgjigj me transformimin më të shpejtë energjetik në historinë e njerëzimit. Para nisjes së luftës në Ukrainë, 45% e gazit evropian është importuar nga Rusia. Sot ky numër ka rënë në 15% dhe vazhdon të bjerë.

    E gjithë kjo u bë e mundur falë programit financiar të BE-së “REPowerEU” prej 300 miliardë eurosh. Programi ka zvogëluar varësinë nga energjia ruse duke diversifikuar furnizuesit e saj nga Egjipti dhe Izraeli e deri te Norvegjia dhe Kazakistani. Po ashtu, programi ka siguruar për herë të parë blerjen e përbashkët të energjisë në emër të të gjithave vendeve anëtare të BE-së. Kësisoj BE-ja u furnizua me 13.4 miliardë metra kub gaz duke tejkaluar kështu planin e saj fillestar prej 11.6 miliardësh.

    Paralelisht BE-ja ka dyfishuar investimet e saj në burimet e ripërtërishme duke siguruar se tani për herë të parë BE-ja prodhon më shumë energji elektrike nga burimet solare dhe të erës sesa nga gazi. Tani totali prej 39% të energjisë elektrike të BE-së vjen nga burimet e ripërtërishme. Dhe e fundit, BE-ja ka vendosur çmimin tavan për gaz dhe naftë, duke siguruar kështu që sot çmimet e gazit në Evropë janë më të ulëta sesa para nisjes së luftës në Ukrainë, ndërsa magazinat evropiane të gazit janë të mbushura me stoqet rezervë.

    Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme janë sanksionet e vendosura ndaj Rusisë. Këtë javë BE-ja miratoi pakon e trembëdhjetë të sanksioneve, të cilat privojnë qasjen e Rusisë në teknologjinë kritike të nevojshme për të mirëmbajtur aparatin e saj ushtarak. Bankat ruse janë të përjashtuara nga SWIFT-i, ndërsa sanksionet janë duke gërryer ekonominë e Rusisë duke goditur rezervat e saj të huaja dhe duke ndërprerë zinxhirin e saj furnizues. Dje presidentja e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar nisjen e procedurave për përdorimin e 200 miliardë eurove të aseteve të ngrira ruse për financimin e blerjes së municionit ukrainas.

    Që nga nisja e luftës në Ukrainë ajo dëshmoi të jetë një luftë plot befasi. Ukraina befasoi me rezistencën dhe kurajën e saj heroike, ndërsa Rusia befasoi me dështimin dhe paaftësinë e saj mbresëlënëse. Dhe në frymën e befasive të këndshme është edhe befasia e BE-së.

    Kur nisi lufta në Ukrainë të gjithë kemi qenë të bindur se mund të mbështeteshim në SHBA-në, por dilema ishte se a mund të mbështeteshim në BE-në? Sot, dy vjet më vonë, jemi përballë dilemës së përmbysur: e dimë se mund të mbështetemi në BE-në, por a mund të mbështetemi në SHBA-në?

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.