Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pritur sot në takim përfaqësues nga Ekipi Ekonomik Gjerman, të kryesuar nga drejtuesi i saj, Ricardo Giucci.
Bashkëbisedimi u fokusua në ecurinë zhvillimore të vendit dhe indikatorët ekonomikë, siç thuhet në komunikatë, ku u theksua rritja ekonomike që ka njohur Kosova në tri vitet e fundit, rritja e investimeve të huaja direkte duke qenë më e larta në rajon, rritja e të hyrave dhe siç thuhet, krijimi i vendeve të reja të punës e ulja e inflacionit.
“Zëvendëskryeministri tha se bazuar në krejt indikatorët ekonomikë, që japin pasqyrën e situatës ekonomike në vend, vërejmë se zhvillimi i Kosovës është një histori suksesi dhe unike, teksa Dr. Giucci tha se të gjithë këta indikatorë pozitivë shfaqin një tendencë dhe dinamikë pozitive e të fuqishme për zhvillimin, të tashmen e të ardhmen e vendit. Ai vlerësoi politikat ekonomike të ndërmarra nga qeveria dhe zhvillimin e hovshëm ekonomik që po njeh vendi”.
“Në takim u diskutua dhe për rëndësinë e benefitet e Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA), si vazhdimësi e diskutimit të mbajtur edhe javën e kaluar në Europe House, ku zëvendëskryeministri shprehu përsëri punën dhe hapat që po bën Qeveria në lidhje me avancimin drejt anëtarësimit në SEPA”, thuhet tutje në komunikatën për media./KlanKosova/