Me ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Europian për dialog, Mirosllav Lajçak, sot, më 15.05.2024, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, do të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e një zgjidheje lidhur me çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e përcakton euron si valutë të vetme si mjet pagese në Kosovë.Emisari Lajçak është shprehur optimist se një marrëveshje mund të arrihet mes kryenegociatorëve, ndonëse sipas tij, do të kërkohet fleksibilitet dhe kompromis nga të dyja palët.
Në takimin e fundit të mbajtur më 25.04.2024, mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nuk është gjetur ndonjë zgjidhje.Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi tha se pala serbe ka kërkuar që të lejohet financimi i çfarëdo strukture paralele të Serbisë në Kosovë “deri në themelimin e Asociacionit (të komunave me shumicë serbe).Sipas tij, pala serbe nuk ka treguar se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë.“Ideja e tyre që ka qenë që këto duhet të financohen derisa të themelohet Asociacioni se pastaj ato kalojnë në kompetenca të Asociacionit.
Natyrisht që propozimi i tij nuk ka hasur as në mirëkuptimin e z. Lajçak e as tonin” – ka thënë kryenegociatori i Kosovës, bazuar në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.Kryenegociatori i Kosovës ka shtuar se propozimi i Lajçakut është një përafrim apo një tendencë për përafrimin e qëndrimeve dhe se shkon në drejtimin e duhur.Më 1 shkurt në Kosovë hyri në fuqi një rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.Për çështjen e dinarit serb, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar edhe takime në të kaluarën, të cilat kanë përfunduar pa ndonjë përparim.Me rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave.