Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, dje e ka shpallur fajtor për krime lufte dhe e ka dënuar Pjetër Shalën me dënim të njësuar prej 18 vjetësh burgim, në të cilin llogaritet koha e parakaluar në paraburgim.
Lidhur me këtë vendim të Speciales, pati reagime të shumta nga pozita e opozita, avokatë e njohës të fushave të ndryshme.
Avokatët këtë vendim po e shohin si të dëmshëm për imazhin e Kosovës, duke uruar që vendim të tillë të mos ketë edhe ndaj ish krerëve të UÇK-së dhe duke uruar në lirim e tyre.
Avokati Hodaj: Dënimet nga Specialja mund të përdoren në dëm të Kosovës, shpresoj shumë që ish krerët e UÇK-së s’do të dënohen
Taulant Hodaj, avokat i licencuar nga Gjykata Speciale thotë për “Front Online” thotë se dënimet e Speciales ndaj të akuzuarve kur shpallen fajtorë janë më të lartë se ç’jemi mësuar t’i shohim nga gjykatat e tjera.
“Dënimi ndaj Pjetër Shalës është dënim i ligjit të aplikueshëm që i përket Dhomave të specializuara, praktikën e jurispodiencës në Tribunale Ndërkombëtare Penale dhe rregullat e procedurës veprohen. Natyrisht që ky vendim tregon që në raste kur shpallen fajtorë të akuzuarit, lartësia e dënimit që kur ipet- ipet në shkallë më të madhe se që jemi mësuar t’i shohim nga veprimet e luftës të gjykuar nga Tribunali Ndërkombëtar apo Gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it”, tha ai.
Hodaj thotë se dënimet janë në përgjegjësi individuale por në mënyrë indirekte mund të përdoren në dëm të Kosovës.
“Drejtëpërdrejt këto janë në përgjegjësi penale të secilit që akuzohet por indirekt mund të ketë interpretime të ndryshme dhe mund të përdoren ne dëm të Kosovës, sidomos nëse eventualisht kemi ndonjë vendim ndaj krerëve të UÇK-së, mund të jetë më i dëmshëm për Kosovën por shpresoj që do të kemi më të mirat në këtë rast”, theksoi ai.
Hodaj shpreson që nuk do të ketë dënim nga specialja ndaj ish krerëve të UÇK-së, të cilët janë në gjykim e sipër, ku sipas tij, ende nuk janë administruar as gjysma e provave.
“Shpresoj shumë që nuk do të dënohen, por në raste të kundërta nuk do të jetë mirë për Kosovën. Unë nuk mund të jap mendim rreth asaj se çfarë mund të ndodhë në rastin e tyre sepse nuk jam avokat i tyre dhe nuk është etike sepse është ende në gjysmë të procedurës gjyqësore. Vendimi ipet në bazë të provave që administrohen në shërbim gjyqësor dhe ende nuk janë ende as gjysma e provave të administruara”, tha Hodaj për Front Online.
Avokate Gashi: Qëndrimi në paraburgim i liderëve tanë është shqetësim për të ardhmen e tyre
Avokatja e akredituar nga Specialja Fehmije Gashi thotë për “Front Online” se vendimi nga Specialja për brugim prej 18 vjetësh ndaj Pjetër Shalës mund të ankimohet në instanca më të larta.
“Dënimi i Pjetër Shalës është vendim i një Gjykate dhe si e tillë ka mundësi të ankimohet vetëm në instancat më të larta”,tha ajo.
Për avokatën, dënimet e Speciales nuk do duhej të ndikonin në imazhin e Kosovës, pasi sipas saj përgjegjësia është individuale.
“Nuk do të duhej të ndikonin meqenëse kanë kaluar 25 vite dhe përgjegjësia është individuale”, theksoi tutje ajo.
Poashtu avokatja Gashi thotë se qëndrimi i ish krerëve të UÇK-së në paraburgim është shqetësim për të ardhmen e tyre.
“Qëndrimi në paraburgim i liderëve tanë është shqetësim për të ardhmen e tyre”, tha ajo për Front Online.
Ndryshe Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Sipas aktakuzës, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e luftës në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.
Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës./Frontonline/