Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock apelon te Kosova që të bëjë gjithçka është e mundur për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
Berlini pret që Kosova të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE).
“Vjeshtën e kaluar, përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, ua paraqiti Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (ASMM), të cilin ai e koordinon. Ky draft-statut merr parasysh të gjitha vijat e kuqe të përcaktuara nga ligji kushtetues i Kosovës”, thuhet në një përgjigje që Ministria e Punëve të Jashtme i dërgoi DW-së.
Më parë, ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, gjatë një fjalimi në Bundestag me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, apeloi te Kosova që të bëjë çfarë është e mundur për t’u anëtarësuar në KiE.
“Kosova duhet të hyjë në Këshillin e Evropës”, tha Baerbock.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira dhe atyre që janë përgjegjës në Kosovë të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar që të arrijmë shumicën e nevojshme për anëtarësimin sa më të shpejtë”
Ngjashëm u shpreh edhe Frank Schwabe, kryetar i delegacionit gjerman në Këshillin e Evropës:
“Kosova duhet të bëjë gjithçka që mundet për të luajtur një rol në këtë, dhe këtë e ka bërë edhe përmes një letre dërguar për çështjen e pakicave serbe dhe Asociacionit të Komunave”, tha ai.
Por, deputeti socialdemokrat i dha si porosi ministres para nisjes për në Strasburg, ku do të merrte pjesë në Ministerialin vjetor, që të mos harrojë rezultatin e votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: “Më shumë se 80% e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës votuan në favor të pranimit të Kosovës. Partia Socialdemokrate dhe partitë e koalicionit qeveritar e mbështesin këtë anëtarësim, prandaj Kosova duhet të bëhet anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës”./Reporteri/