Intervistë me poeten dhe studiusen Blerina Rogova Gaxha, libri më i ri i së cilës, ‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-1999 në letësinë shqipe në Kosovë’, është një kontribut i çmuar studimor mbi letërsinë kosovare të luftës së fundit
Blerina Rogova Gaxha (1982) është poete, studiuese e letërsisë, eseiste, doktor në letërsi. Laureate e Çmimit Ndërkombëtar për letërsinë “Crystal Vilenica Award”, Slloveni, 2015, dhe e Çmimit Kombëtar për veprën më të mirë në poezi, 2020. Autorja ka pasur prezantime të shumta në festivalet e letërsisë dhe në panairet e librit në Gjermani, Austri, Zvicër, Slloveni, Kroaci, Irlandë, Maqedoni, etj. Shkrimtare mysafire në rezidencat ndërkombëtare të shkrimtarëve në Vjenë, Split dhe Novo Mesto. Poezitë dhe esetë i janë përkthyer e botuar në disa gjuhë të huaja (gjermane, angleze, frënge, italiane, sllovene, kroate, greke, rumune, turke, boshnjake, maqedonase). Krijimtaria e saj është prezantuar në antologjinë e poezisë evropiane Europe Grand Tour, 2019. Është anëtare e PEN qendrës së Kosovës. Ka botuar: Gorgonë (poezi, 2009, fitues i Çmimit Kombëtar për poezi, 2010); Kate (poezi, 2013); Format e prozës së Kadaresë (studim, 2015); Ajo vjen nga Lindja (poezi, 2016); Thasë (poezi,2020).
Libri i saj “Vdekja në letërsinë moderne shqipe (Ndre Mjedja, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli)”, botuar nga Instituti Albanologjik, është shpërblyer me çmimin për veprën më të mirë në kritike letrare dhe eseistikë ‘Ibrahim Rugova’, të Ministrisë së kulturës, për vitin 2021.
Ajo sapo ka nxjerrë nga botimi librin e saj më të ri studimor, ‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-1999 në letësinë shqipe në Kosovë’ (Artini, 2023).
«Memoria në letra i kthehet përherë realiteteve të një kohe tjetër, duke fituar kështu peshë poetike, prandaj edhe në poezinë time memoria e luftës dhe kujtimet traumatike, kanë zënë vendin e tyre, por i referohen kryesisht qenies së traumatizuar në shoqërinë e pasluftës»
Gazeta Express: Zonja Rogova, sapo keni botuar librin studimor ‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-1999 në letësinë shqipe në Kosovë’. Le t’i marrim për fillim këta dy terma: memorie dhe traumë: meqë ju jeni edhe vetë poete dhe natyrisht nuk e keni përfshirë poezinë tuaj në këtë studim, a na thoni këtu përvojën tuaj me luftën, memorien dhe traumën, dhe ndikimin e saj në letërsinë tuaj?
Blerina Rogova Gaxha: Kthimi drejt vetes në trajtën e kujtesës së luftës, është e pritshja e letrave në një shoqëri të pasluftës, por sigurisht se mënyra se si i kthehemi të shkuarës, varion nga autori në autor. Memoria në letra i kthehet përherë realiteteve të një kohe tjetër, duke fituar kështu peshë poetike, prandaj edhe në poezinë time memoria e luftës dhe kujtimet traumatike, kanë zënë vendin e tyre, por i referohen kryesisht qenies së traumatizuar në shoqërinë e pasluftës. Në të barten kujtimet traumatike të një realiteti brutal të përjetuar gjatë vitëve të 90-ta dhe viteve 1998-99. Është kujtesa reale pra, që vë në letra gjurmët e saj.
Në mënyrë më të drejtpërdrejtë për luftën, bëj referencë në dy ese të mia ‘Fusha e mëllenjave’ dhe ‘Easy life’, e para e shkruar dhe botuar diku në vitin 2010 në revistën austriake Wesspenest, e dyta ndërkaq, e shkruar për projektin Archipelago Yugoslavia të Tradukit 2020-2023, përkthyer në disa gjuhë të huaja e botuar në media të shumta ndërkombëtare.
GE: Si lindi ideja për këtë studim?
BRG: Aventura e pasionit dhe mendimit për jetën e luftës në poezi e në prozën aktuale shqipe në Kosovë, ka nisur fillimisht përgjatë hulumtimit në pasojat e luftrave në ish-Jugosllavi dhe ndikimin e tyre në letërsinë në Bosnje e Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë. E nisur tri vite më parë me qëllimin e realizimit të një punimi shkencor për botim në revistat ndërkombëtare, u shtri pastaj në disa punime me qasje krahasimtare të letërsisë së pasluftës në Bosnje, Kroaci e Kosovë. Vitet e fundit kam botuar disa punime shkencore me këtë temë në universitetet në Evropë, me fokus pra krahasimin e reprezentimit të luftën në letërsitë që dolën si pasojë e luftrave në ish-Jugosllavi, me autorë kyç: Xhevdet Bajraj, Faruk Sehic, Arben Idrizi, Ivana Bodrozic. Gjatë kësaj kohe, më flinte në shpirt dhe ndieja një shtytje insistuese për realizmin e një studimi të letërsisë së dalë nga pasojat e luftës në Kosovë dhe mënyrës se si lufta ka ndikuar në autorë të gjeneratave të ndryshme. Aq sa ishte e madhe shtytja, po aq ishte edhe frika apo dilemat rreth kësaj qasje. Po ashtu, koncepti i parë përfshinte vetëm reprezentimin e luftës në poezi, pastaj u zgjerua dhe në prozë dhe në autorë të ndryshëm e në një numër më të madh se ç’kisha paraparë. Nxitja themelore ka të bëjë me rolin kyç që letërsia luan në kuptimin e ndikimit të luftës në shoqëri, meqë e thellon kuptimin e së vërtetës historike, e dyta, i përket borxhit personal ndaj viktimave dhe të mbijetuarve të luftës. Kujtesa si triumf i mendjes, siç theksohet nga Evelyn Ender, bëhet kështu një faktor themelor për ta kuptuar procesin e tranzicionit: nevojat e shpirtit të komunitetit dhe përfaqësimin e kësaj fryme në rrëfimet letrare.
«Kujtesa e viktimës (shkrimtarit-viktimë/ shkrimtarit-dëshmitar) e ka prodhuar letërsinë e traumës si një borxh personal apo si një lloj borxhi kolektiv, duke e shndërruar letërsinë në një mekanizëm të qëllimshëm të përzgjedhjes së dëshmive reale dhe imagjinare në histori dhe në jetë»
GE: Në krye të librit keni vënë një moto, të nxjerrë nga preludi, që thotë: «Lufta nuk ka kujtesë, por truri poetik mban në mend». A ia ka dalë në këtë rast letërsia jonë ta përmbushë misionin e saj, “të mbajë në mend”?
BRG: Sigurisht që po. Lufta dhe paqja do të sillnin pashmangshëm letërsinë post-traumatike, traumën si prani dhe pasojë aktive. Perceptimi traumatik dhe shkrimi janë bërë kështu aleatë të perceptimit historik, i cili, dukshëm apo jo, shkrihet në diskursin dëshmues. Kujtesa e viktimës (shkrimtarit-viktimë/ shkrimtarit-dëshmitar) e ka prodhuar letërsinë e traumës si një borxh personal apo si një lloj borxhi kolektiv, duke e shndërruar letërsinë në një mekanizëm të qëllimshëm të përzgjedhjes së dëshmive reale dhe imagjinare në histori dhe në jetë. Meqë historia na ka përballur me realitetin brutal, letërsia nuk ka mundur të heshtë, por gjithnjë synon t’i japë zë, vetëdijshëm apo ndërdijshëm. Kujtesa reale, individuale apo kolektive, e cenuar nga harresa, nuk e rishpik të kaluarën, por shoshit dhe vë në letra gjurmët e saj.
Pika kthese e luftës së vitetve 1998-1999 dhe brutaliteti i shtetit të Serbisë mbi popullatën në Kosovë, momenti i veçantë historik “në të cilin memoria kristalizohet dhe sekretohet” (Nora), i shtyu shkrimtarët të reflektojnë në kujtesën dhe në mënyrat se si identiteti është krijuar nga një ndërveprim i çuditshëm dhe shpesh i paparashikueshëm i së shkuarës dhe së tashmes.
«Nuk mund të barazohet krimi dhe gjenocidi i organizuar i shtetit të Serbisë mbi popullatën në Kosovë me krimin e disa individëve apo grupeve shqiptare në euforinë e menjëhershme të pasluftës. […] Ka megjithatë vepra të caktuar poetike apo prozaike që i referohen qoftë në mënyrë më implicite apo eksplicite asaj çfarë persona apo grupe të caktuara i kanë shkaktuar viktimave të anës tjetër»
Megjithatë, shumica e shkrimtarëve tonë rëndom shkruajnë (kujtojnë) vetëm për atë që ka pësuar shoqëria e tyre, jo edhe për atë që ka shkaktuar vetë shoqëria e tyre, apo persona e grupe që janë thirrur në emër të saj. Pak a shumë, janë dëshmitarë të njëanshëm, jo idealisht dëshmitarë. Po si do të mund të shpjegohej kjo, është një vetëcensurë (të shtrënguar nga shoqëria), apo më tepër është thjesht një mungesë empatie e nderimi për viktimën, përtej përkatësisë etnike?
BRG: Nuk mund të barazohet krimi dhe gjenocidi i organizuar i shtetit të Serbisë mbi popullatën në Kosovë me krimin e disa individëve apo grupeve shqiptare në euforinë e menjëhershme të pasluftës. Nuk e besoj cenzurën apo vetëcenzurën letrare në epokën në të cilën rrojmë, por më shumë nevojën për ta thënë të vërtetën e asaj çfarë ndodhi në Kosovë jo vetëm gjatë viteve të luftës 1998-99 po përgjatë gjithë dekadës së viteve të 90-ta, dhe pasojën e saj në shoqëri. Përjetimet e njeriut të Kosovës në luftë dhe traumën e tij, nuk ka gjuhë që mund ta thotë në plotni, por kjo letërsi e trajtuar jep një përgjigje shpirtërore, emocionale e mentale të përjetimit të luftës. Ka megjithatë vepra të caktuar poetike apo prozaike që i referohen qoftë në mënyrë më implicite apo eksplicite asaj çfarë persona apo grupe të caktuara i kanë shkaktuar viktimave të anës tjetër.
«Në poezinë dhe prozën e përzgjedhur tema e përdhunimit të gruas kosovare në luftë mëton t’i japë asaj zërin që i mungoi, guximin për ta rrëfyer të vërtetën e heshtur, plagët e së cilës vazhdojnë të rrojnë thellë psikës dhe trupit të viktimës. Mbi të gjitha, rrëfimet i drejtohen publikut të gjerë me shpresën e emancipimit karshi një dhune të tillë, duke rritur ndërgjegjësimin për natyrën e patolerueshme të torturës seksuale në luftë»
GE: Një prirje shumë shqetësuese për një kohë të gjatë e shoqërisë sonë ka qenë po ashtu edhe heshtja (mbi të gjitha politike) e një krimi të caktuar ndaj nesh, në këtë rast do të thotë heshtja ndaj krimit të dhunës seksuale. Në fakt duket se edhe letërsia i ishte bashkuar asaj heshtjeje, të paktën deri pas dekadës së parë pas përfundimit të luftës.
BRG: Me shpërthimin e luftrave në ish-Jugosllavi, përdhunimi u bë temë e rëndësishme që tërhoqi vëmendjen e studiuesve, sidomos në raport me ato aspekte të gjinisë dhe seksualitetit që lidhen me etninë. Raportet mbi dhunën seksuale gjatë Luftës së Bosnjës (1992-1995) dhe Luftës së Kosovës (1998-1999), të kryera nga ushtarët dhe paramilitarët serbë janë konsideruar alarmante. Krimi i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dëshmon modelin e vërtetë të përdhunimit si ‘armë lufte’ dhe mjet i spastrimit etnik i shtrirë në të gjithë vendin. Përdhunimi sistematik ka lënë një shifër alarmante që arrin në 20 mijë të mbijetuar, dhe të vërtetën se tortura seksuale u krye me paramendim si armë psikologjike për ta terrorizuar, poshtëruar dhe dëbuar popullatën civile.
Mbase e heshtur fillimisht në shoqëri e rrjedhimisht dhe në letërsi, në vitet e fundit, rrëfimi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në reprezentimet e ndryshme artistike dhe në prezentimin e tyre letrar në poezi e në prozë, mëton që të nxisë diskutimin publik mbi një pjesë të së kaluarës e cila mbahet si sekret publik, të amplifikojë zërin e të mbijetuarve dhe kërkesat e tyre karshi shoqërisë, në mënyrë që ta fitojë të drejtën për pjesëmarrje në ndërtimin e kujtesës kolektive dhe ta dokumentojë e ta diversifikojë historinë e re të Kosovës.
Adaptimi i modeleve narrative të bazuara në deklaratat e dëshmive reale të të mbijetuarve të dhunës seksuale, shenjon një model të ri proze në letërsinë e pasluftës në Kosovë. E dallueshme nga format e tjera të shprehjes prozaike, mu për shkak të ndërfutjes së fakteve apo mbishkrimit të tyre, duke i dhënë dorën artistike, kjo prozë lëvizë nga fakti në fiksion për t’u shkrirë në një palimpsest traumatik. Autorët përshkruajnë situatat të cilave i janë nënshtruar të mbijetuarit e dhunës, qoftë kjo vetëm si një shtytje artistike e qoftë një mënyrë për ta parandaluar fshirjen e historisë së dhunshme nga heshtja, harresa dhe mohimi. Në poezinë dhe prozën e përzgjedhur tema e përdhunimit të gruas kosovare në luftë mëton t’i japë asaj zërin që i mungoi, guximin për ta rrëfyer të vërtetën e heshtur, plagët e së cilës vazhdojnë të rrojnë thellë psikës dhe trupit të viktimës. Mbi të gjitha, rrëfimet i drejtohen publikut të gjerë me shpresën e emancipimit karshi një dhune të tillë, duke rritur ndërgjegjësimin për natyrën e patolerueshme të torturës seksuale në luftë.
«Parashihet se pasojat e luftës do të kenë një ndikim esencial në letërsinë bashkëkohore dhe do të vazhdojnë të formësojnë pamjen e letrave të bukura në dekadat në vijim, por mbase, asnjëherë më fuqishëm se autorët që e kanë përjetuar vetë luftën, pra të atyre që kanë qenë dëshmitarë të parë të luftës dhe epokës tranzicionale»
GE: Autorët që keni përzgjedhur për studim janë kryesisht persona që e kanë përjetuar vetë luftën, pra do të thotë se kjo letërsi e luftës është ende në fazën e saj të parë. Pa ju kërkuar të bëni parashikime, a mund të themi se kjo letërsi ka potencial për të qenë me ndikim te gjeneratat e ardhshme, të cilat, nga ana tjetër, do të jenë të distancuara nga përvoja personale dhe pastaj do të mbështeten edhe te historiografia?
BRG: Rëndësia e letërsisë me temë luftën është thelbësisht e rëndësishme për arsye se nxit e frymëzon krijimin e rrëfimeve autentike të cilat nga një dëshmi autoriale, bëhen dëshmi e të tjerëve. Rrëfimet për luftën dhe gjurmët e saj në shoqëri, mbërthejnë një kuptim më gjithëpërfshirës dhe ekzistencial të aspekteve universale të ekzistencës njerëzore. Është evidente se portretizimi i kujtesës dhe i traumave që pasojnë nga lufta përbrenda letërsisë shqipe në Kosovë, është ende në fazat e para të reprezentimit letrar. Lufta e viteve 1998-99 do të ketë padyshim ‘interpretime të reja’ në ligjërimin letrar në vazhdim. Parashihet se pasojat e luftës do të kenë një ndikim esencial në letërsinë bashkëkohore dhe do të vazhdojnë të formësojnë pamjen e letrave të bukura në dekadat në vijim, por mbase, asnjëherë më fuqishëm se autorët që e kanë përjetuar vetë luftën, pra të atyre që kanë qenë dëshmitarë të parë të luftës dhe epokës tranzicionale.
«Nën hijen e luftës dhe pasojave të saj: humbjeve njerëzore, varreve masive, të pagjeturve, prania e vdekjes në letërsinë e pasluftës zë vend fundamental duke na ofruar pikëpamje të ndryshme për vdekjen dhe pranimin e saj»
GE: Keni edhe një libër tjetër studimor, mbi temën e vdekjes në letësinë shqipe. Sigurisht, edhe te libri i fundit keni një kapitull mbi të njëjtin argument…
BRG: Duket se vdekja, si fenomeni më intrigues i ekzistencës sonë, dhe tema më joshëse dhe më enigmatike në letërsi, më ka marrë me vete përgjatë viteve të hulumtimit në këtë temë, dhe me gjasë ka vazhduar të më ndjekë. Por, fenomeni i vdekjes si i gjithëpranishëm në letërsinë me topikë luftën, inkurajon reflektimin dhe analizën nëpërmjet transformimeve të shumta, qofshin ato në nivelin personal apo social. Nën hijen e luftës dhe pasojave të saj: humbjeve njerëzore, varreve masive, të pagjeturve, prania e vdekjes në letërsinë e pasluftës zë vend fundamental duke na ofruar pikëpamje të ndryshme për vdekjen dhe pranimin e saj. Si e perceptojnë shkrimtarët të vërtetën e vdekjes në realitetin e luftës, dhe a shërbejnë këto paraqitje si një projeksion plotësues i realitetit historik dhe a i zbulojnë pasojat socio-kulturore të një tragjedie nacionale?
Reprezentimi i vdekjes në luftë, si kohë dhe konsekuencë, gjeneron fuqinë e letërsisë për të ngritur pikëpyetje rreth vdekjeve të dhunshme si një realitet i pashmangshëm lufte dhe të vdekjes si ndërtim i vazhdueshëm socio-kulturor. Vdekja si ngjarje mbetet i njëjti realitet i zymtë që i ka vendosur njerëzit përherë përballë së panjohurës, por në një skenë krimi në çfarë Kosova u shndërrua në vitet 1998-99, vdekja nuk zuri një vend por shtrihej kudo. 13.535 njerëz u vranë ose u shpallën të zhdukur, prandaj hapësirës fiksionale nuk i duhej sensi për imagjinaren, historikja ish aty dhe mjaftonte të përkthehej në letërsi. Tragjedia e luftës në Kosovë, si dhe e çdo lufte tjetër në histori, nxit dhe sjell në letërsi kritikën ndaj absurditetit dhe çuditshmërisë që shkakton humbjen e të pafajshmëve, duke pohuar e ridëshmuar fuqinë e letërsisë për të ofruar njohuri për vdekjen, të vdekurit dhe vdekshmërinë në mënyra të ndryshme.