Përpos që janë gati të fundit në lexim, shkencë e matematikë, 15-vjeçarët nga Kosova nuk kanë treguar rezultate të mira në tri testimet e PISA-s, as sa u përket aftësive të tyre për t’i lexuar e kuptuar tekstet e gjata dhe konceptet abstrakte. Konkretisht, sipas rezultateve, pothuajse asnjëri prej nxënësve të testuar në Kosovë s’ka qenë në gjendje që ta dallojë faktin nga opinioni. Një gjetje e tillë duhet të jetë alarm për tërë shoqërinë dhe të ketë reagim shtetëror e shoqëror. Edhe përmes vendosjes si prioritet të edukimit medial në çerdhe, shkolla e ndoshta edhe në universitete.
Fjalia e parë që e lexuat është e mbështetur në OPINION, njësoj si fjalia e tretë. FAKT është vetëm fjalia e dytë, sepse ajo bazohet në dëshmi, në diçka që është vërtetuar në testin PISA 2022, që i ka matur njohuritë e 15-vjeçarëve në 80 vende të botës, e edhe në Kosovë.
Tri fjalitë janë ndërtuar sipas njërit prej modeleve të testeve të PISA-s, ku 15-vjeçarët e testuar kanë pasur për obligim që t’i klasifikojnë fjalitë, nëse janë FAKTE apo OPINIONE në një recension të shkurtër për librin “Collapse” të Jared Diamond-it.
Në këtë test, asnjëri prej nxënësve kosovarë nuk i ka arritur nivelet 5 dhe 6 në Testin PISA. Aty nxirret një përfundim se “pothuajse asnjëri prej tyre nuk di që ta dallojë faktin nga opinioni, nuk është në gjendje që të kuptojë tekste të gjata dhe as të merret me koncepte abstrakte”.
As në vendet e zhvilluara nuk mund të krenohen me këtë pikë, pasi edhe atje rezultati i PISA-s i ka nxjerrë keq. Mesatarisht, një në dhjetë nxënës di që ta dallojë faktin nga opinioni.
II
Sipas fjalorëve shpjegues, FAKTI është një ngjarje a veprim që ka ndodhur në të vërtetë, diçka që ekziston, pra diçka që është e vërtetë, diçka që njihet dhe pranohet si e vërtetë dhe shërben për të argumentuar, kundërshtuar e diskutuar, e ardhur në një përfundim. Ndërkaq, opinioni është mendim për një çështje a veprim të caktuar, gjykim a vlerësim nga ne. Që ta thjeshtojmë, fakti është diçka që mund të vërtetohet, e opinioni është një vlerësim subjektiv, një bindje, një besim, një vlerësim a gjykim.
Mungesa e aftësive për ta dalluar FAKTIN nga OPINIONI te nxënësit vjen nga mungesa e një mendimi kritik për përmbajtjen që e lexojnë, për mënyrën se si i lexojnë tekstet në shkolla e deri te mungesa e një edukimi të mirëfilltë për media.
Të mos i ngatërrojmë: opinioni nuk është diçka e keqe vetvetiu.
Sidoqoftë, në këtë kohë, kur secili ka mundësi që të shprehë një opinion në media sociale, problemet thellohen dhe shtohet nevoja për dallimin e tij nga fakti, sepse sot secili është bërë pjesë e hapësirës publike për të dhënë dhe shpërndarë mendime e fakte.
Dallimin e faktit nga opinioni nuk dinë ta bëjnë as shumica e të rinjve të tjerë në mbarë botën, që janë testuar nga OECD-ja.
Vetëm nxënësit që i arrijnë nivelet 5 ose 6, sipas PISA-s, janë në gjendje që të kuptojnë tekste të gjata, të merren me koncepte abstrakte dhe ta vendosin dallimin mes faktit dhe opinionit.
Kosova në vitin 2015, nga gjithsej 70 vende, doli në vendin e 68-të në PISA, e fundit krahasuar me vendet në zhvillim dhe e fundit edhe në rajon. Herën e dytë, më 2018, u rendit sërish në fund të listës, përkatësisht në vendin e 75-të nga 79 vende pjesëmarrëse. Edhe në testimin e tretë, 15-vjeçarët nga Kosova sërish janë renditur në fund të listës së 80 shteteve pjesëmarrëse, duke u renditur në vendin e 74-t.
Për këtë dhe shumë arsye të tjera, është urgjente edukimi për media, krijimi i shkathtësive për mënyrën se si t’i përdorim mediat e të mbrohemi nga çrregullimi informativ e posaçërisht të edukohen se si t’i dekonstruktojnë përmbajtjet dezinformuese e propaganduese.
IV
Askund më mirë se përmes edukimit, konkretisht edukimit medial, nuk mundësohet thellimi i njohurive për fëmijët e të rriturit për ta bërë dallimin mes faktit dhe opinionit. Përmes edukimit për media në shkolla, përmes sistemit të arsimit, por edhe në edukimin joformal, përmes trajnimeve, përmes diskutimeve dhe përmes organizimit të seminareve, mundësohet krijimi i një grupi të njerëzve me njohuri themelore për funksionimin e mediave, për përmbajtjet e mediave, për agjendat e mediave, për funksionet e mira e të këqija të mediave.
Te vendet që kanë dalë mirë në Testin PISA, e kanë të tejkaluar debatin për edukimin për media, si në rastin e Finlandës, ku, për shembull, edhe gjuha finlandeze mësohet përmes edukimit medial. Përmes edukimit medial diskutohet fuqia e internetit, diskutohet për çrregullimin informativ te lajmet e rreme, si dhe krijohet gjykim kritik për narrativat e historisë kombëtare.
Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, nga viti 2009 avokon për një edukim formal përmes lëndëve obligative të edukimit medial. Deri më tash ka një lëvizje të vogël në këtë drejtim, pasi edukimi medial është lëndë zgjedhore, ndërsa janë trajnuar mësimdhënës të shkollave fillore e të mesme nga e gjithë Kosova për ta ligjëruar edukimin medial. Në disa shkolla, tashmë veçse është lëndë zgjedhore dhe fëmijët mund të mësojnë për edukimin medial. Në këtë drejtim, shteti duhet të investojë urgjentisht në shtimin e kapaciteteve teknologjike nëpër shkolla për të mundësuar edukimin medial përmes përdorimit të teknologjisë, pasi aktualisht, sipas Strategjisë së Arsimit 2022-2026, një kompjuter është për 35 nxënës apo në gjithë shkollat publike në Kosovë janë 9 mijë e 138 kompjuterë.
Urgjenca për edukim medial, sidomos për fëmijët, shtohet kur e sheh secilin fëmijë me telefon në dorë duke shkuar e dalë nga shkolla. Një edukim i tillë i nevojitet secilit grup shoqëror, pa i përjashtuar edukatorët në nivelin parashkollor, mësuesit, arsimtarët e profesorët në të gjitha nivelet e arsimit, e edhe gjeneratat e moshuara që janë bërë përdoruese të mediave sociale.
Pos Departamentit të Gazetarisë, një punë të mirë për edukimin medial e ka bërë edhe gazeta online “Reporteri”, që ka organizuar trajnim për luftimin e propagandës përmes edukimit medial me komunitete në disa rajone të Kosovës.
*Ky artikull është realizuar nga gazeta online Reporteri.net në kuadër projektit “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Autori është profesor në Departamentin e Gazetarisë së Fakultetit Filologjik të Universitetit “Hasan Prishtina”. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit. Reporteri.net mban të rezervuar çdo të drejtë për rishpërndarjen e këtij artikulli.