Përhapja e madhe e rrjeteve sociale dhe besimi gjithnjë në rritje te përmbajtja e paverifikuar e shumë faqeve në këto rrjete sociale, kanë nxitur dezinformimin dhe keqinformimin në Kosovë.
Numri i njerëzve në Kosovë që thonë se besojnë në ato që shohin dhe lexojnë në rrjetet sociale vetëm sa i ka dhënë hov keqinformimit. Kjo mund të përkeqësohet edhe më shumë, në rast se Inteligjenca Artificiale nis të përdoret edhe më për krijimin e përmbajtjeve të rrejshme. Këto situata janë më të ndjeshme në kohë zgjedhjesh dhe krizash.
Luftimi i dezinformimit cilësohet si mision i vështirë, por jo i paarritshëm.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, anëtare e Komitetit për Administratë Publike, Qeverisje lokale, media dhe zhvillim rural vlerëson se brishtësia demokratike e Kosovës po krijon hapësira të mëdha për dezinformim dhe keqinformim.
“Tani se kush dhe si saktë po e ndihmon dezinformimin dhe keqinformimin është e vështirë ta themi, por mund ta themi me siguri është që në momentit kur akterët të cilët e kanë një aftësi të krijim të një narrative shoqërore, e shfrytëzojnë atë hapësirë publike që narrativa të jetë përqarëse, polarizuese, e cila nënvlerëson dhe demonizon çdo segment shoqëror që ka impakt direkt në demokraci, si në praktikat parlamentare, sistemin e drejtësisë, mediat, sikurse shoqëria civile”, thotë deputetja e LDK-së.
Sipas saj, në momentin kur të gjitha këto atakohen, kur ato nuk janë në përputhje të plotë me një interpretim, atëherë krijohet një narracion, sepse “kemi aftësinë dhe fuqinë që të krijojmë një narracion dhe natyrshëm e gjithë shoqëria bie pre e atij narracioni”.
Kica-Xhelili thotë se kështu një demokraci e brishtë krijon trampolinë për kërcënimin nga një narracion në besim të thellë të publikut në atë narracion.
Ajo vlerëson se në epokën e platformave sociale është e pamundur të kontrollohet gjithçka.
“Ne e dimë se niveli institucional ka përgjegjësi, por tashmë niveli institucional ka ardhur në pikën që do të jetë e pamjaftueshme që të punojë vetëm në narrativën e vet sepse platformat sociale e kanë bërë shumë të vështirë të kontrollojmë gjithçka”, thotë deputetja.
“Kemi brishtësi të jashtëzakonshme sepse tashmë informacioni nuk po verifikohet, më lehtë ka qenë më parë kur kishim vetëm mediat standarde, ku e kishe një fakt-checking, e cila mund të bëhej më me lehtësi, megjithëse jo domosdo gjithmonë me lehtësi, mirëpo sot po ballafaqohemi me dezinformim në të gjitha platformat sepse publiku i gjerë tashmë po zgjedh rrjete sociale që t’i marrë informacionet si të mirëqena”, thotë Kica-Xhelili, e cila të enjten më 13 qershor mori pjesë në Konferencën e Integritetit të Informacionit, DISICON, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik – NDI.
Deputetja e LDK-së ka përmendur edhe rastin e AlbKings, platformës në Telegram, që cenonte, dezinformonte dhe shantazhonte gratë.
“Po besoj se kur jemi vetëm te cenimi i diskutimit mbi bazë gjinore, nuk ka shumë kohë që u arrestua njëri nga menaxherët e AlbKings, i cili e kishte një platformë në Telegram, e cila po cenonte gratë me të madhe në Kosovë, po i shantazhonte, madje po i çonte deri në bullizim që më pas po i detyronte të konsideronin edhe vetëvrasjen”, thotë Kica-Xhelili.
Ndërkaq, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra thotë se gratë janë cak i informacionit të gabuar dhe lajmeve të rreme. Sipas saj, shkaku i dezinformimit është e vështirë që gratë të krijojnë një narracion të tyre.
“A jemi cenuar si gra në politikë nga një informacion i gabuar, nga lajmet e rreme, edhe vetë si grua në politikë jo rrallë herë jam ndier e cenuar nga informacionet e gabuara, për të cilat e kemi pasur të vështirë që të krijojmë një narracion tonin dhe një transparencë dhe llogaridhënie, por edhe të orientojmë informacionin e duhur, prandaj them se është shumë e nevojshme që të punojmë edhe më shumë në këtë drejtim”, thotë deputetja e PDK-së.
Ajo vlerëson se rasti i AlbKings tregon se pre e informacioneve të gabuara nuk janë vetëm gratë në politikë.
“Është përmendur së fundmi grupi Albkings, i cili edhe më shumë e ka rritur nevojën që të shohim se sot pre e informacioneve të gabuara nuk janë vetëm gratë në politikë, sot janë edhe gratë dhe vajzat që jetojnë në Kosovë dhe të cilat cenohen çdo ditë nga informacionet e rreme, të cilat godasin rëndë integritetin e tyre”, thotë Deliu-Kodra.
Në betejën kundër dezinformimit në dy-tre vjetët e fundit ka nisur të përdoret edhe Inteligjenca Artificiale. Nëpërmjet integrimit të inteligjencës artificiale tani mund të bëhet monitorimi i lajmeve.
Mirëpo, inteligjenca artificiale ka nisur të përdoret edhe për dezinformim. “Deepfakes” mund të kopjojë zërin dhe mimikën e një personi. Kjo teknologji përdor incizimin e zërit të dikujt për të thonë gjëra që ai person mund të mos i ketë thënë kurrë.
Mund të kopjojë shprehjet e fytyrës së një personi nga shumë video të tij, ose nga një fotografi e vetme.
Shumë prej videove “Deepfake” duken të çuditshme dhe mund të vërehen shumë lehtë. Sidoqoftë, shpesh këto video mund të duken të vërteta.
Ksenia Iliuk ka ndarë përvojën e saj në përdorimin e Inteligjencës Artificiale në luftimin e dezinformimit.
Illiuk nga kompania monitoruese “LetsData” nga Ukraina, ka monitoruar mediat dhe rrjetet sociale në mbi 50 vende. Ajo së fundmi ka punuar në zgjedhjet e mbajtura në Poloni dhe Sllovaki për të identifikuar narrativat e dezinformimit.
“Shumë organizata në ditët e sotme po përdorin mjetet e monitorimit të brendit. Këto janë mjete fantastike. Mund të vendosni 15 fjalë kyçe siç është emri i kompanisë dhe shefit. Kështu mund të kuptoni operacionet e informimit”, thotë Illiuk.
Ajo vlerëson se “Deepfakes” nuk janë e keqja më e madhe e përdorimit të Inteligjencës Artificiale.
“‘Deepfakes’ nuk është problemi më i madh kur bëhet fjalë për përdorimin e inteligjencës artificiale, ne tashmë po shohim modele të gjuhës me të cilat mund të prodhohen shumë faqe të internetit”, thotë Iliuk.
Sipas saj tashmë mund të krijohet edhe një identitet në rrjetet sociale.
“Mund të krijohet identiteti i një mësuesi në Kosovë për shembull, duke besuar se NATO-ja është këtu për t’i bërë të gjithë homoseksual. Ata mund të kenë argumente dhe mund të kuptojnë se çfarë po u përgjigjeni dhe mund t’ju bindin me një argument të mirë”, thotë Iliuk nga Ukraina.
Lena Zhvoglod, udhëheqëse e organizatës “Honest People” nga Bjellorusia, jeton në ekzil në Poloni shkaku i regjimit të presidentit bjellorus Alexander Lukashenko.
Organizatën e kishte formuar para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat i fitoi Lukashenko. Shumë qeveri perëndimore i kanë cilësuar si zgjedhje të manipuluara me qëllim që Lukashenko të vazhdonte pushtetin, në të cilin kishte ardhur para më shumë se 25 vjetëve.
Zhvoglod vlerëson se dezinformatat më së shumti përdoren nga regjimet autoritare si në vendlindjen e saj, Bjellorusinë.
“Të gjitha mediat e pavarura dhe faqet e huaja të internetit janë të bllokuara në Bjellorusi. Qasja në një informacion të pavarur kërkon VPN. Është e vetmja mënyrë për të pasur qasje”, thotë ajo.
Bjellorusët, sipas saj, e kishin të pamundur të shkonin deri tek e vërteta. Regjimi i Lukashenkos bllokoi internetin në ditën e zgjedhjeve.
“Bëri gjithçka për të penguar njerëzit të zbulonin të vërtetën. Ata ndalën internetin në ditën e zgjedhjeve dhe pothuajse një javë pas zgjedhjeve”, thotë ajo. Sipas udhëheqëses së “Honest People”, liderët autoritarë janë duke përdorur teknologjinë për dezinformim dhe censurën.
*Ky artikull u realizua nga gazeta online Reporteri.net, në kuadër projektit “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Projekti implementimet në partneritet me mediumin “Front Online”. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.