×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Ndalimi i TikTokut nga qeveria e Kosovës dhe lidhjet e aplikacionit me Kinën

    NgaKotar FactorialPublikuar: 28/06/2024 | 17:53 Publikimo: 28/06/2024 | 17:53

    Qeveria ka ndaluar të premten rrjetin social “TikTok” në të gjitha institucionet e Kosovës. Ajo është në mesin e disa shteteve perëndimore dhe demokratike si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia, të cilat kanë shprehur shqetësimet ndaj aplikacionit të videove.

    Qeveria e Kosovës ka njoftuar të premten se ndalimi i përdorimit nëpër institucione është bërë për të eliminuar rrezikun për sigurinë kibernetike nga TikToku, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Shqetësimet ndaj këtij aplikacioni kanë nisur qëkur u përhap me të madhe nëpër botë dhe famën e mori sidomos gjatë kohës së pandemisë mes viteve 2020-2022.

    TikToku është platformë që kontrollohet nga kompania kineze ByteDance. SHBA-ja ishte e para që ngrehu shqetësimet se autoritetet kineze mund të kenë qasje ose mund të kërkojnë informacione të përdoruesve të aplikacionit.

    SHBA-ja dhe shtetet tjera perëndimore për kohë të gjatë kanë insistuar se TikToku mund të mbikëqyrë ose të ketë qasje në të dhënat e përdoruesve pa dijeninë dhe lejen e tyre.

    Këtu mund të përfshihen informacionet personale, vendndodhja dhe informacionet rreth komunikimeve mes përdoruesve.

    Dyshimet për propagandë

    Platforma kineze ka përdorur algoritmet për të personalizuar përmbajtjen që shfaqet te përdoruesit. Kështu ka krijuar mundësinë që aplikacioni të përdoret për të ndikuar në opinionin publik ose për të përhapur propagandë.

    Aplikacioni gjithashtu ka rrezikuar infrastrukturën dhe sigurinë e informacionit të shumë shteteve. Për shkak të lidhjeve të mundshme me qeverinë kineze, ani pse i ka mohuar, por kurrë nuk ka ofruar ndonjë fakt në lidhje me këto, TikToku mund të përdoret për të shfrytëzuar qasjen në këtë rrjet ose të asgjësohen të dhëna të rëndësishme.

    Në muajt e fundit të mandatit, ish-presidenti amerikan Donald Trump kishte shfaqur shenjat e para të dyshimeve dhe përpjekjeve për të ndaluar TikTokun.

    Për shkak të dyshimeve se mund të ketë lidhje me qeverinë kineze, TikToku është ndaluar në disa sektorë të qeverisë amerikane dhe janë duke u zhvilluar diskutime për ndalimin e aplikacionit edhe në sektorë të tjerë.

    Në mesin e shteteve që kanë shprehur dyshime është edhe India. Shteti aziatik zyrtarisht ka ndaluar përdorimin e TikTokut dhe aplikacioneve të tjera kineze, me shqetësimet për sigurinë dhe ndikimin e mundshëm nga qeveria kineze në këto aplikacione.

    Australia ka bërë thirrje për kontroll më të rreptë të aplikacioneve kineze për rreziqet që mund t’i shkaktojnë sigurisë kombëtare dhe privatësisë.

    Edhe Mbretëria e Bashkuar kishte shprehur shqetësime për sigurinë e të dhënave dhe ndikimin e mundshëm të TikTokut në opinionin publik.

    Me 1.54 miliardë përdorues, TikToku është rrjeti i pestë më i popullarizuar në botë. Për këtë aplikacion ka interesim kryesisht nga GjenerataZ, ose personat e lindur pas vitit 2000.

    Ani pse është ndaluar në Indi, një prej ekonomive më të mëdha në botë, TikToku ka arritur të mbajë bazën e madhe të audiencës.

    Gjatë vitit 2024, TikToku është përdorur nga 30.95 për qind e përdoruesve të rrjeteve sociale në mbarë botën dhe 29.15 për qind e përdoruesve të internetit. /Reporteri.net/.

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.