Numri gjithnjë në rritje i letrave A4 me shkrimin “Kërkojm puntor” nëpër xhamat e bizneseve, më nxiti vitin e kaluar që ta analizoja ndikimin që po e ka tek komunitetet joshumicë mungesa e fuqisë punëtore. Domosdoshmërinë për ta trajtuar thelbësisht si temë për Revistën Kosovo 2.0, e fuqizoi tutje vlerësimi i bashkëshortes time se gjatë punës së saj nëpër qendra tregtare, përditë po e vëren numrin në ngritje të punëtorëve nga komuniteti rom e ashkali, jo vetëm në sektorët e punëve fizike në depo e mirëmbajtje, por edhe në kafenetë dhe pozitat menaxheriale të qendrave më të mëdha tregtare në Ferizaj.
Dhe kastile për ta vërtetuar këtë, dola për ta spikatur edhe vetë ndryshimin. Ishin djem e çika të reja, që me pagat e tyre pos që ishin kthyer në burim të rëndësishëm për familjet, megjithëse nën nivelin e mesatares në Kosovë, po i përmbushnin sadopak edhe nevojat e tyre rinore. Megjithëse ky zhvillim i mirëseardhur nuk ishte rezultat i ndonjë politike të mirëfilltë të qeverisjes lokale a qendrore, po lehtësonte punën e politikanëve të zgjedhur edhe me premtimin se do të krijonin kushte e mundësi të barabarta ekonomike për të gjithë qytetarët e Kosovës, sikur se e thotë shprehimisht edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Por, gjatë bisedës me një pronar shqiptar kafeneje, vërejta se i druante trajtimit publik të integrimit të detyrueshëm të punëtorëve nga komunitetet joshumicë ngase, sipas tij, mund të ndikonte te klientela shqiptare. Ky ishte një racizëm, megjithëse ai mundohej ta mbështillte me pretendimin se punësimi i tyre nuk duhet të trajtohet publikisht se në fund të ditës i dëmton vetë ata. Ekonomia e tregut po e jetësonte atë që kishte dështuar ta bënin politikanët. Ata që fshatrat e lagjet urbane të komuniteteve joshumicë i vizitojnë kryesisht në kohë fushatash zgjedhore.
Sherri i shumë paragjykimeve, që nuk janë luftuar vendosmërisht nga politikanët e shumicës, që bartin përgjegjësinë më të madhe, shumëkush ka hezituar t’i vizitojë lagjet e komuniteteve joshumicë në Ferizaj dhe kudo. Gjatë muajve të verës së kaluar, derisa po e realizoja shkrimin për propozimin e aprovuar nga redaktorja Gentiana Paçarizi, disa herë e vizitova Lagjen Sallahane në Ferizaj për të parë gjendjen e tyre materiale, por edhe për t’i dëgjuar rrëfimet për sfidat e ndryshme. Dhe me të hyrë në rrugën kryesore “Ejup Statovci”, sheh gjallëri e shpresë pavarësisht brengave e shqetësimeve.
Sheh fëmijë që rrokullisin topin më asfalt dhe burra që ia krisin muhabetit nëpër tarracat e vogla të kafeneve përbri rrugës, ku gratë shëtiten shkujdesshëm derisa ndajnë me shoqet gëzimet dhe hidhërimet e jetës. M’u bë qejfi për këtë liri të grave, që gjatë mbi dhjetë viteve sa e kam realizuar rubrikën e përjavshme të reportazhit në gazetën “Koha Ditore”, nuk është se e kam spikatur fort në mesin e shumicës shqiptare.
Në ato kafene, aktivisti Xhemajl Jashari e Doni, pronar i një kafeneje të njohur në lagje, më treguan për “hairin e sherrit” të krizës së fuqisë punëtore. Doni madje vullnetshëm ia kishte kthyer shpinën Gjermanisë për t’iu kthyer biznesit të tij me klientelë multietnike. Edhe emrat e kafeneve reflektojnë copëza rrëfimesh e kujtimesh të përpjekjeve të banorëve të lagjes nëpër vendet e ndryshme të Evropës.
Xhema e Doni megjithatë m’i përmblodhën rrëfimet e shumë të rinjve të punësuar viteve të fundit, që përballen me orare të gjata e paga të ulëta – shpesh me qëndrimin racist të një shefi shqiptar se “je ashkali dhe s’meriton pagë ma t’madhe”, sikur se më tha prindi i një tinejxheri të punësuar në një mobileri – gjithnjë reflektonin shpresë. Por, të dhënat dhe rrëfimet dëshmuan se megjithatë tregu i punës në përgjithësi vazhdon të mbetet përjashtues. Ka përjashtime në qytete me zhvillim më të hovshëm ekonomik, si Ferizaj.
Por në “Ejup Statovci”, shumëkush shpresën e ndërlidhi me hapjen e kufijve për kosovarët nga vendet e Bashkimit Evropian. Të gjithë bashkëbiseduesit, përtej shqetësimit se shtëpitë po mbesin krejtësisht boshe ose me pleq për të cilët nuk ka kush të kujdeset, folën për të mirat e integrimit të të rinjve të komuniteteve joshumicë në tregun e punës. Integrimi i zorit padyshim se do të reflektojë në mënyrë gjithëpërfshirëse – në mirëqenie, arsimim dhe integrim.
Është rezultat i një zhvillimi të paorganizuar nga qeverisja lokale e qendrore, por që një hise të madhe të punës së tyre, po e kryen vetvetiu ekonomia e tregut. Po të zbatoheshin më vendosshmërisht strategjitë e mira në letër, ky integrim do të ishte më i shpejtë dhe rezultatet mbase më të mira. Mirëpo kriza e fuqisë punëtore dhe mundësitë për punësim jashtë vendit kanë përmirësuar jetën e shumë familjeve, ani pse shumë syresh vazhdojnë të varen prej asistencës sociale.
Derisa po flisnim me Xhemën në tarracën e kafiterisë “Deutschland”, dy të rinj hodhën valixhet e krahut ne bagazhin e një makine me targa gjermane, derisa shoferi po i priste në timon. Mërgimtari me shokët nën tingujt e muzikës morën udhë bregdetit shqiptar. Do të doja fort që shumica e të rinjve të Kosovës, pa dallim etnie a race, të kishin punë e paga më të dinjitetshme, që jo vetëm Shqipërinë, por që edhe një eurotrip ta realizonin me paratë e tyre tani që janë hequr vizat.
***************