×
  • Mendimi im
  • Puna jonë
  • Mendimi im

    “Një vallëzim kumbues”, autorja portretizon jetën e grave rome në art dhe kulturë

    NgaKotar Serbeze Haxhiaj Publikuar: 18/04/2024 | 19:39 Publikimo: 18/04/2024 | 19:39

    “Isha nëna e vajzave rome, e cila ua mbronte të drejtat e tyre dhe i motivonte për të kontribuar në aktivitetet muzikore, teatrore dhe folkloristike. Ishim atje kur duhej”. Ky është një citat i Bedrije Misinit, një nga 10 gratë e shquara të kulturës rome, në librin e botuar së fundi në gjuhën rome dhe në gjuhën shqipe e angleze, “Rezistencake Melodiye” (Meloditë e Rezistencës) e autores Gynesh Veshall, një kronikë prekëse e jetës, kulturës dhe gjinisë.

    Misini që vdiq muajin e kaluar është një zë nga mijëra gratë dhe vajzat rome që sjellin histori të panjohura, një vallëzim të trishtë dhe kumbues, që gris pëlhurën e errësirës, përjashtimit.

    Libri përfshin histori të fuqishme të grave rome që hodhën themelet e teatrit, muzikës dhe vallëzimit në kohën e sundimit komunist jugosllav dhe ndriçon një pjesë të panjohur për një brez që bëri historinë në komunitetin e tyre dhe përtej.

    “Ky libër është një rrugëtim nëpër jetët e 10 grave, i frymëzuar nga muzika dhe arti, ku gratë rome përdorin kulturën si një mjet për të përballuar sfidat,” thotë autorja e librit, Gynesh Veshall.

    Secila nga gratë në libër: Bedrije Misini, Mikribane Mullamisini, Mizaqet Vragolli, Dashurije Veshall Misini, Mahire Veshall, Sirhan Menekshe Meho, Meleq Mergjollari, Turkan Menekshe, Fatmire Menekshe Veshall dhe Elma Menekshe, ka një histori që formëson kurajon.

    Disa nga ato vijnë nga familjet që prej 600 vitesh kanë jetuar në lagjen rome të Prizrenit të njohur si Terzimahlla, aty ku Veshall ka dëgjuar se si ndër breza, duke përkundur djepat, gratë u kanë kënduar fëmijve ninullat e tyre.

    Veshall, një aktore dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, thotë se për gratë rome nuk ishin vetëm sfidat personale të brezit të grave që po luftonin për barazi e edukim. “Përmes artit, ato jo vetëm që promovuan trashëgiminë e tyre kulturore, por shfaqën rezistencën e pathyeshme ndaj përjashtimit e diskriminimit”, thotë ajo.

    Kur Veshall nisi së pari shfaqjet e saj në teatër, derisa përshkonte dërrasat e zeza, kishte menduar shpesh se kush ishin ato që shkelën aty para saj.

    “Fillova të pyes kush ka qenë më herët? Cila ishte ajo apo cila ishte kjo? Kështu nisi ideja për këtë libër”, thotë ajo. “Këto aktore gra e vajza të teatrit rom kishin gjithashtu një mision, të trasonin rrugën për të tjerat pas tyre”.

    Në librin e Veshall këto 10 gra, që vijnë kryesisht nga Prizreni, kanë paraqitur një cikël jetësor, një rreth mistik, një ecje nëpër traditat dhe vlerat e komunitetit rom. Ky rreth vezullues gjithashtu i ngjan rrotës, simbolit të identitetit rom.

    Veshall ka theksuar një aktivitet të gjallë krijues dhe ngazëllues të grave këngëtare, valltare, aktore, dizajnere, instrumentiste dhe sportiste, dhe më pak rrugëtimet e dhimbshme të tyre.

    “Përtej edukimit dhe mundësive që kishin, ka pasur shumë gra, përfshirë edhe nënën time, të cilat me pasionin, aktivizimin dhe këmbënguljen e tyre kanë mbetur inspirim kumbues për ne”, thotë ajo.

    Përmes historive, të padëgjuara më parë, zërave, lëvizjeve dhe tingujve të tyre, libri portretizon betejën e grave rome për emancipim në familje dhe në shoqërinë kosovare, ndryshimet në rolet gjinore dhe pozitën e tyre në shoqëri. “Mendoj se për dallim nga shumë gra të tjera të komunitetit tonë, ato e kishin një rreth prej nga kishin më shumë mbështetje. Kjo besoj i ka ndihmuar t’i përballojnë vështirësitë që kishin”, thotë Veshall.

    Libri sjell një histori gojore të grave që u kyçën në rrethin social e kulturor të komunitetit të tyre dhe dolën përtej, duke u bërë pjesë e garave dhe shfaqjeve anembanë ish-Jugosllavisë dhe jashtë kufijve të saj.

    “Historitë e tyre më kanë lejuar të thellohem në veçoritë e jetës së tyre, si dhe në mënyrën se si ato reflektojnë dhe ndërtojnë identitetet e veta në mjedisin e tyre jetësor”, tregon Veshall.

    Ajo thotë se këto gra janë një “gjeneratë e artë e grave që i dhanë shumë shpirt dhe shumë fuqi kulturës” rome, pavarësisht nivelit të shkollimit dhe kushteve që kishin.

    Shumica e këtyre grave kanë punuar kryesisht nën ombrellën e shoqatës kulturo-artistike “Durmish Asllano”, në përpjekje për të mbajtur gjallë jetën kulturore të këtij komuniteti, me dekada i margjinalizuar në Kosovë, si kudo në Ballkan.
    “Sikur ajo bebja në barkun e nënës që shqelmon me dalë, ne njëjtë po shqelmojmë për t’u dëgjuar, për të tregu që kjo është kultura, kjo është trashëgimia jonë”, thotë Veshall.

    ***************

    Shkrimi në fjalë financohet nga projekti “Drejtësia Sociale për romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët”, i cili zbatohet nga konsorciumi i përbërë nga “Terre des hommes – Kosovo”, “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” dhe HEKS/EPER.
    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.