Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, është deklaruar rreth reagimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për prezencën e katër grave të prekura nga lufta në Kosovë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Osmani ka thënë se në Këshill është thënë vetëm e vërteta para syve të gjithë botës.
“Ai ka bërë një sërë deklaratash post-traumatike. Ajo çfarë kemi bërë ne thjesht e kemi thënë të vërteten, vetëm të vërtetën para syve të botës dhe nuk mundet askush ta sulmoj as ta mohoj, e as Serbia. Të gjitha gjërat që kam thënë në seancë janë të gjitha të konfirmuara nga raportet ndërkombëtare dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani bashkë me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muqollin dhe Shyhrete Tahirin, kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Vuçiq tha se në mbledhjen e OKB-së janë sjellë njerëz që nuk janë pjesë e mbledhjes dhe se ky ishte “kurth për delegacionin serb”. Osmani ishte përgjigjur se ato ishin pjesë e kabinetit të saj.