×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Pse gjithë kjo zhurmë rreth Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës?

    NgaKotar FactorialPublikuar: 18/07/2024 | 17:19 Publikimo: 18/07/2024 | 17:19

    Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t’jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

    Reagime pas miratimit të Ligjit të ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës u bënë nga fronte të ndryshme ditët e fundit. Miratimi i këtij ligji është pjesë e reformave, për të cilat është zotuar Ministria e Drejtësisë, prej kur Lëvizja Vetëvendosje është ngjitur në pushtet. Cilat janë ndryshimet kryesore që do t’i pësojë KPK-ja?

    Reformat në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) janë të domosdoshme – për këtë pajtohen ekzekutivi, Komisioni i Venedikut, shoqëria civile, e madje gatishmëri ka shprehur edhe vetë KPK-ja.

    Por, rreth jetësimit të këtij procesi është krijuar një çarje që gati dy vjet.

    Këshilli Prokurorial dhe roli i tij

    KPK-ja është shtëpia e prokurorëve të Kosovës. Është organ i pavarur, me kompetenca të qarta në organizimin e sistemit prokurorial në Kosovë: i zhvillon të gjitha procedurat e emërimit të kandidatëve për prokurorë, bën vlerësimin e performancës së tyre dhe shqyrton masa disiplinore, ndër të tjera.

    Më 11 korrik 2024, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet për plotësimin e ligjit të ri për KPK-në. Ligji u votua me shumicë të thjeshtë, në mungesë të partive opozitare.

    Më 15 korrik, KPK-ja e kritikoi ligjin, duke argumentuar se, me një veprim të tillë, pushteti synon ta bllokojë dhe ta bëjë jofunksional sistemin prokurorial, si dhe të ndërhyjë në gjithë sistemin e drejtësisë.

    Të nesërmen, Ministria e Drejtësisë (MD) tha se reagimi i KPK-së ishte vazhdimësi “e qasjes destruktive, e veprimeve penguese dhe e tendencave të vazhdueshme bllokuese”.

    Në pasditen e 18 korrikut, Partia Demokratike e Kosovës, parti në opozitë, e dërgoi Ligjin e miratuar në Gjykatën Kushtetuese.

    Pjesëtarë të shoqërisë civile i shohin këto përplasje si një tjetër episod të keqkomunikimit ndërmjet të dyja palëve, dhe vlerësojnë se në këtë mes kanë ndikuar kritikat e vazhdueshme publike që i janë bërë KPK-së nga MD-ja.

    Ndërtesa dytësore e Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, ku ndodhen zyrat e Ministrisë së Drejtësisë.
    Ndërtesa dytësore e Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, ku ndodhen zyrat e Ministrisë së Drejtësisë.

    Rruga deri te miratimi

    Me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, më 2021, MD-ja u zotua për reforma në sistemin gjyqësor. Ndryshimet në KPK i pa të arsyeshme për të balancuar anëtarët e saj.

    Edhe Komisioni i Venedikut, organ këshillues i Këshillit të Evropës, vlerësoi që “çdo shtet duhet të gjejë formulën për të krijuar një këshill pluralist prokurorial”.

    Aktualisht, KPK-ja përbëhet nga 13 anëtarë: 10 prokurorë dhe tre anëtarë joprokurorë.

    Në hartim e sipër të ndryshimeve u propozua rritja e numrit të anëtarëve në 19, përfshirja e Avokatit të Popullit në emërimin e anëtarëve joprokurorë, shkurtimi i mandatit të anëtarëve aktualë, si dhe forcimi i rolit të anëtarëve joprokurorë për t’iu dhënë deri diku aftësi vendimmarrëse.

    Kjo u pa si tendencë e pushtetit për politizim të sistemit, ndërsa pothuajse të gjitha pikat ranë ndesh me dy opinione të Komisionit të Venedikut, të publikuara më 2022 dhe më 2023.

    Deputetë opozitarë e dërguan projektligjin për KPK-në në Gjykatën Kushtetuese, e cila, gjithashtu, vlerësoi se një pjesë e konsiderueshme e ndryshimeve nuk ishin në përputhje me Kushtetutën.

    Kuvendi i Kosovës gjatë një seance.
    Kuvendi i Kosovës gjatë një seance.

    Çfarë parasheh ligji i ri i miratuar?

    Pas ndryshimeve të bëra, ligji i ri parasheh që KPK-ja të përbëhet nga shtatë anëtarë – kryeprokurori, sipas detyrës zyrtare, tre prokurorë dhe tre anëtarë joprokurorë – me mandat pesëvjeçar.

    Ndryshimi tjetër është që anëtarët joprokurorë nuk do të propozohen më nga shoqëria civile apo institucione specifike, por do të hapet konkurs publik nga Kuvendi i Kosovës.

    Më pas, kandidatët potencialë do të vlerësohen prej një komisioni të pavarur, para se për ta të votohet në Kuvendin e Kosovës, ku emrat e tyre do të miratohen me shumicë të thjeshtë.

    Shumica e këtyre dispozitave do të hyjnë në fuqi në janar të vitit 2026, pasi atëherë u skadon mandati disa prej anëtarëve aktualë të KPK-së.

    Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se beson që pjesa më e madhe e rekomandimeve të Komisionit të Venedikut janë marrë parasysh, ashtu sikurse vendimi i Kushtetueses.

    Ai e konsideron si shumë të rëndësishme edhe përfshirjen e atij që e quan mekanizëm të zhbllokimit.

    “Kur anëtarët joprokurorë ose anëtarët tjerë të KPK-së mund të sabotojnë me qëllim takimet, përpos që duhet të merren masa disiplinore ndaj tyre, Komisioni i Venedikut ka paraparë që të bëhet një mekanizëm i zhbllokimit, ashtu që kuorumi të mos jetë me pesë, por me shumicë të thjeshtë votash”.

    Këtë pikë, KPK-ja e interpreton ndryshe. Pse?

    Hyrja e ndërtesës së Këshillit Prokurorial të Kosovës, në Prishtinë. (Foto: Bujar Tërstena/Radio Evropa e Lirë)
    Hyrja e ndërtesës së Këshillit Prokurorial të Kosovës, në Prishtinë. (Foto: Bujar Tërstena/Radio Evropa e Lirë)

    Mospajtimet për kuorumin

    Duke insistuar që kuorumi mund të arrihet vetëm me pesë anëtarë, kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimmarrja dhe kuorumi nuk duhet të varen prej anëtarëve joprokurorë, andaj ka kërkuar që në përbërje të anëtarëve të jenë pesë prokurorë dhe dy anëtarë joprokurorë.

    “Me ligjin e ri është propozuar që të bëhet kontrolli i KPK-së përmes të zgjedhurve nga organet politike”, pohon Hajdaraj, duke iu referuar anëtarëve joprokurorë.

    Por, sipas ligjit, në rastet e mospjesëmarrjes së vazhdueshme të disa anëtarëve, kuorumi mund të formohet me së paku katër anëtarë të KPK-së, dhe ata mund të marrin vendime. Aty përmendet se vendimet e KPK-së merren me shumicë të thjeshtë votash, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj.

    Bugaqku, i cili ka marrë pjesë në grupet punuese për ligjin, vlerëson se kuorumi me pesë anëtarë është i detyrueshëm vetëm në raste specifike, sikurse emërimi i kandidatit për kryeprokuror të Shtetit, apo vendime të tjera madhore.

    Objekti i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në Prishtinë.
    Objekti i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në Prishtinë.

    Reagimet tjera për ligjin

    Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se Kuvendi ka dështuar t’i inkorporojë të gjitha rekomandimet për ta bërë një ligj të mirë për KPK-në.

    Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ka biseduar me disa zyrtarë të pushtetit për këtë ligj, dhe se i ka porositur ata të sigurohen secilën herë që legjislacioni i miratuar të jetë në përputhje me normat evropiane./REL/

     

     

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.