×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Qeveria kritikohet për qasje jo të duhur ndaj gazetarëve

    NgaKotar FactorialPublikuar: 03/05/2024 | 15:42 Publikimo: 03/05/2024 | 15:42

    Qasja jo e duhur e qeverisë ndaj mediave në Kosovë, po vlerësohet të jetë ndër shkaktarët kryesorë për rënien e Kosovës për 19 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit të publikuar nga Reporterët pa Kufij.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Komisioni i Pavarur për Media, në diskutimin e mbajtur për sfidat e ruajtjes së standardeve profesionale dhe kodit të etikës gjatë raportimit, theksuan se Qeveria duhet të bëjë veprime konkrete në përmirësimin e situatës aktuale.

    Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, tha se rënia për 19 pozita e Kosovës në raportin e Reporterëve Pa Kufij, duhet të jetë alarm për Qeverinë e Kosovës.

    Rexha potencoi se siguria e gazetarëve ka qenë dhe vazhdon të mbetet një shqetësim, derisa përmendi se vetëm gjatë vitit të kaluar janë shënuar rreth 30 sulme brenda pak javësh në veriun e Kosovës. Sipas tij, përmirësimi i kësaj situate është absolutisht në dorë të qeverisë.

    “Mëngjesi i sotëm ka nisur me një raport të Reporterëve Pa Kufij, që në vitet e fundit shënon regresin më të madh të lirisë së mediave në Kosovë, me rënien e vendit tonë në renditjen global për 19 pozita. Kjo renditje mund të mos jetë befasi për komitetin e gazetarëve dhe mediave në Kosovë për shkak të asaj që kemi përjetuar në vitet e fundit por, duhet të jetë alarm për ata që kanë ndikuar në format e ndryshme në këtë dhe këtu më së shumti e kam fjalën për institucionet e Kosovës dhe veçanërisht për Qeverinë e Kosovës”, tha ai.

    Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michal Davenport, potencoi se gjatë 12 muajve të fundit ka pasur rritje të dhunës drejt gazetarëve. Ai tha se fokusimi i OSBE-së ka të bëjë me konsolidimin e aftësive të gazetarëve, redaktorëve dhe mediave në përgjithësi, duke përfshirë edhe fokusimin në promovimin dhe integritetin e standardeve etike.

    Drejtori i Këshillit të Mediave të Shkruara në Kosovë, Imer Mushkolaj, tha se përpjekja e Qeverisë për ta zvogëluar besimin e mediave në publik, ka ndikuar në vështirësimin e punës së gazetarëve. Ai tha se qasja jo e duhur e qeverisë, ka bërë që gazetarët të jenë cak i lehtë i sulmeve dhe pengimit në kryerjen e punës së tyre.

    “Me këtë qasje që ka qeveria, që ka pasur deri tash, në fakt përpjekja për ta minuar besimin e mediave në publik e ka vështirësuar punën e gazetarëve. Sot, kjo qasje e qeverisë dhe jo vetëm e qeverisë, e ka sjellë situatën që gazetarët të jenë cak i lehtë i sulmeve, pengimit të punës së tyre, për shkak se qasja e qeverisë dhe veprimet e saj pastaj shoqërohet edhe me reagimet në masë të madhe nga ushtria e militantëve ose edhe ushtria digjitale në rrjete sociale e cila e ndërton narrativën se mediat dhe gazetarët janë armiqtë kryesor dhe gjithmonë janë fajtorë për çfarëdo që ndodhë keq në Kosovë”, potencoi Mushkolaj.

    Se gazetarët po përballen çdoherë e më shumë me sfida gjatë raportimit të tyre, e theksoi edhe gazetarja, Gentiana Hasani. Edhe Hasani konsideron se qasja e qeverisë ndaj gazetarëve ka ndikuar në renditjen e Kosovës në raportin e Reporterëve Pa Kufij.

    “Është absolutisht shumë shqetësuese gjendja në të cilën jemi dhe po na vështirëson shumë edhe neve punën në terren me palë çdo ditë dhe ndoshta po gjykohemi pa të drejtë për punën tonë që e kemi duke marrë parasysh kritikat dhe sulmet e vazhdueshme të anës së qeverisë”, tregoi Hasani.

    Drejtori i Radios “ Romano Avazo”, Fatmir Menekshe, tha se jo vetëm partia në pushtet, por edhe partitë e tjera po ndikojnë në pengimin e mediave për ta kryer punën e tyre.

    “Jo vetëm partia në pushtet por edhe partitë e tjera që janë në rrethin e partisë në pushtet e kanë marrë stilin ose ideologjinë e partisë në pushtet dhe mundohet që të ndikojnë në media që të mos shkruajnë shumë, të mos raportojnë shumë apo të mos jenë shumë në terren…Nuk është vetëm diçka që po rezulton apo reflekton tek mediat qendrore ose tek mediat shqiptare, kjo po rezulton edhe tek mediat komunitare”, tha Menekshe.

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.