×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Qindra euro larg pagës për “jetë të dinjitetshme”

    NgaKotar FactorialPublikuar: 28/07/2024 | 15:11 Publikimo: 28/07/2024 | 15:11

    Bekim Muji nga Gjilani fiton 250 euro në muaj duke punuar në një kompani private të sigurimeve në Prishtinë.

    Kjo shumë thotë se nuk i mjafton as për të mbuluar shpenzimet elementare të familjes dhe shpesh detyrohet të marrë borxhe.

    “Vetë i dyti jam, me bashkëshorten, por problem. Ato para nuk mjaftojnë. Marr borxh, kthej borxh, s’ke çfarë bën… Jeta është gjithqysh”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Shumë qytetarë të Kosovës detyrohen të mbijetojnë edhe më me pak, ndërkohë që çmimet e konsumit, si gjetiu në botë, janë rritur.

    Paga minimale në vend vazhdon të jetë 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç, ndërsa mesatarja rreth 520 euro.

    Osman Mustafa, punëtor ndërtimi nga Podujeva, thotë se një jetë dinjitoze për një familje 4-anëtarëshe në Kosovë, kërkon së paku 1.000 euro në muaj.

    “Te ne në ndërtimtari nuk ka pagë nën 500 euro. Është më mirë se diku tjetër, por as këto nuk mjaftojnë”, thotë ai.

    Qeveria ka propozuar rritjen e pagës minimale në 264 euro. Ligji nuk ka hyrë në fuqi ende, por edhe kjo shumë është larg asaj që nevojitet për një jetë të dinjitetshme, thonë studimet.

    Rreth pagës minimale

    Ligji për pagën minimale në Kosovë – që do ta rrisë atë në 264 euro bruto për të gjithë të punësuarit – është miratuar në korrik të vitit të kaluar, por është sfiduar në Gjykatën Kushtetuese nga disa deputetë të opozitës, për shkak të shkeljeve të pretenduara ndaj personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

    Por, në fund të muajit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një vendim me të cilin ka konstatuar se në ligj nuk ka shkelje.

    Gjykata, po ashtu, ka rekomanduar që ligji t’i dërgohet presidentes Vjosa Osmani për shpallje.

    Një studim i Institutit Musine Kokalari në Prishtinë tregon se vetëm 20% e pagave në Kosovë i plotësojnë standardet për një jetë të dinjitetshme – me 1.152 euro neto në muaj, që i nevojiten një familjeje 4-anëtarëshe.

    Radio Evropa e Lirë kërkoi nga Qeveria t’i komentojë këto gjetje dhe e pyeti nëse ka ndonjë plan për ngushtimin e hendekut mes pagës minimale dhe pagës së vlerësuar për jetë të dinjitetshme, por nuk mori përgjigje./REL/

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.