×
  • Mendimi im
  • Puna jonë
  • Mendimi im

    Roli i medias në raportimin e diskriminimit të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian

    NgaKotar Ilire Zajmi-Rugova Publikuar: 08/04/2024 | 20:08 Publikimo: 08/04/2024 | 20:08

    Mediat kanë një ndikim të fuqishëm në opinionin publik dhe formësojnë qëndrimet shoqërore, prandaj mënyra se si ato transmetojnë përmbajtje për grupet e ekspozuara ndaj diskriminimit është kaq e rëndësishme.

    Mesazhet mediatike shpesh janë të mbushura me stereotipe dhe janë të orientuara në të ashtuquajturën normë e klikimeve, prandaj cilësia dhe besueshmëria e informacionit të paraqitur shpesh është e një rëndësie dytësore.
    Poashtu mediat kombëtare ashtu si ato lokale, shpesh injorojnë temat që lidhen me komunitetet dhe problemin e diskriminimit në fusha të ndryshme.

    Është detyrë e medias të angazhojë gazetarët në një opozitë aktive dhe konstruktive kundër diskriminimit të bazuar në origjinë etnike, racore, fetare, gjinore apo orientim seksual.

    Në këtë kontekst, mediat luajnë një rol jetik. Jo vetëm sa i përket hapësirës mediale që i dedikohet problemeve me të cilat ballafaqohen komunitetet Rom Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë, por edhe luftimit të diskriminimit që i bëhet këtyre komuniteteve.

    Në Kosovë, komunitetet kanë hapësirë te mjaftueshme në mediat audio vizuale ashtu si dhe ato online, në të cilat pasqyrohen aktivitetet e tyre.

    Transmetuesi publik Radio Televizioni i Kosovës, ka mision të transmetojë program në gjuhët e komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Programet në gjuhët e komuniteteve Rom, Ashkali e Egjiptian kanë karakterin e promovimit të dialogut në mes të komuniteteve që jetojnë në vendin tonë.

    Këtë mision RTK e realizon në disa mënyra, edhe atë nëpërmjet edicioneve të lajmeve dhe emisioneve siç janë: lajmet ditore Nevipe në gjuhën rome, magazina javore Yekhipe, si dhe lajmet në faqen zyrtare të RTK –së, RTKlive. Ndërsa përveq magazinës javore në gjuhën rome që transmetohet në RTK 2, kanalin në gjuhën serbe emetohen edhe dy programe që i përkasin komunitetit Ashkali dhe Egjiptian “ Zëri i ashkalinjëve” dhe “ Ora egjiptiane”. Përveq se në televizion, edhe Radio Kosova ka krijuar hapësirë për programet në gjuhën rome.

    Në kanalin e dytë të Radio Kosovës, emetohet programi njëorësh, me informacione dhe rubrika autoriale, që prezantojnë aktivitetet, intervistojnë personalitete të ndryshme me interes si dhe promovojnë muzikën rome.
    Kjo hapësirë programore radio-televizive dhe përmbajtjet që emetohen për komunitetin Rom, Ashkali e Egjiptian në transmetuesin publik, janë obligim ligjor që i përmbush knaqshëm nevojat për informim për audiencën së cilës i dedikohet. Por një gjë e tillë nuk mund të thuhet për televizionet komerciale apo mediat online.

    Mediat e besueshme e kryejnë një punë të mirë për sa i përket raportimit për këto komunitete dhe çështjeve që i preokupojnë, ndërsa mediat që luftojnë për klikime, fokusohen në raportim sensacionalist i cili di të shpie në konflikt, të nxisë gjuhë të urrejtjes e të stigmatizojë, e në vend të luftimit të diskriminimit, shndërrohen vet në mediume që diskriminojnë në baza etnike.

    Raste të tilla, sidomos në median online ka pasur mjaft viteve të fundit.

    Media profesioniste, përveqse duhet të raportojë në mënyrë të balansuar, të paanshme dhe në mënyrë etike për çështjet që lidhen me diskriminimin e komunitetit Rom, Ashkali e Egjiptian do të duhej të shërbente edhe si një lloj katalizatori që përmes raportimit e plasimit të informacioneve të besueshme, të ndikonte në ngritjen e vetëdijes për raportimin e rasteve të diskriminimit të këtyre komuniteteve.

    Natyrisht se ka mjaft shembuj pozitiv për ilustrim, kur mediat u kanë dhënë zë padrejtësive dhe diskriminimit si e drejta në punësim, e drejta në arsim, shëndetësi, kushtet e rënda të jetesës etj. dhe këto raste pasi janë bërë mediale, kanë ndikuar në marrjen e masave adekuate nga institucionet përgjegjëse, shoqëria civile etj.

    Mediat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në vetdijësimin e publikut për raportimin e diskriminimit si dhe luftimin e stereotipeve në baza etnike e racore. Ato duhet ti inkurajojnë qytetarët që ti raportojnë rastet e diskriminimit, duke i bërë publike, duke i trajtuar me profesionalizëm e në mënyrë të dinjitetshme.
    Një bashkërendim i medias me Platformën Kombëtare për Mbrojtje nga Diskriminimi, poashtu do të luante një rol qenësor.

    Të dhënat e raportit të publikuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, vënë në pah që në gjashtë muajt e fundit ka pasur rritje të raportimit të diskriminimit ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.
    Për 17 muaj deri më 1 dhjetor të vitit të kaluar janë raportuar 41 raste të diskriminimit të pjesëtarëve të komuniteteve, Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

    Më së shumti diskriminim, sipas gjetjeve të raportit të publikuar, është bërë në arsim, shëndetësi, qasje në punësim dhe shërbime sociale, përfshirë edhe diskriminimin institucional.

    Platforma është krijuar në vitin 2022, ndërsa qëllimi i saj është të kontribuojë në luftimin e diskriminimit ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian duke ofruar qasje më të lehtë për qytetarët për të raportuar rastet e diskriminimit, referimin e tyre në institucionet përkatëse dhe informimin për legjislacionin përkatës që garanton të drejtat e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

    ***************

    Shkrimi në fjalë financohet nga projekti “Drejtësia Sociale për romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët”, i cili zbatohet nga konsorciumi i përbërë nga “Terre des hommes – Kosovo”, “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” dhe HEKS/EPER.
    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.