×
  • Publikimet
  • Puna jonë
  • Publikimet

    Rreth gjysmë miliardë Euro investime amerikane në Kosovë, vitin e kaluar morën tatëpjetën

    NgaKotar Aulona Konjuhi Publikuar: 17/05/2024 | 12:32 Publikimo: 17/05/2024 | 12:32

    Rreth gjysmë miliardë euro arrin shuma e përgjithshme e investimeve direkte amerikane në Kosovë në dekadën e fundit, bazuar në statistikat e publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

    Sipas këtyre statistikave, më së shumti investime amerikane në Kosovë erdhën në vitin 2022, përkatësisht 97.7 milionë euro, përderisa një vit më pas (në vitin 2023) ranë dukshëm, saktësisht në 67 milionë €.

    Nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkojnë nga institucionet e vendit që t’i adresojnë sfidat me të cilat ballafaqohen e që paraqesin pengesë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe në veçanti atyre amerikane.

    Në anën tjetër, deputetët opozitarë thonë se investitorët amerikanë nuk e sjellin kapitalin e tyre financiar, derisa ka deklarata të vazhdueshme për luftë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi.

    Oda Ekonomike Amerikane: Të hiqen pengesat për tërheqjen e investitorëve të huaj

    Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane tha se kompanitë amerikane e shohin rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Kosovën si lokacion atraktiv për zgjerimin e investimeve, megjithatë ka sfida.

    ”Kosova duhet të adresojë sfidat me të cilat ballafaqohen e të cilat paraqesin pengesë për tërheqjen e investimeve amerikane dhe të tjera të huaja”.

    Zeka vlerëson se sa i përket mbështetjes institucionale nevojitet një ngritje urgjente e kapaciteteve institucionale edhe për promovimin e potencialeve për tërheqje të investimeve.

    ”Gjithashtu edhe të ofrimit të kujdesit pas investimit për investitorët e huaj. Ky është shqetësim i cili është shprehur edhe nga vetë zyrtarët më të lartë të shtetit”.

    Zeka beson që hyrja në të ardhmen e afërt në fuqi e Ligjit për Investimet e Qëndrueshme dhe riorganizimi i trupave përkatëse për promovimin e investimeve do të rezultojë më i efektshëm në mbështetjen e investitorëve.

    “Legjislacioni aktual në fuqi për investimet e huaja megjithatë ofron mekanizma të efektshëm për mbrojtjen e investimeve të huaja”, tha ai.

    Opozita: Deklaratat për luftë po i trembin investitorët

    Deputeti i PDK-së Ferat Shala, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Ekonomi në Kuvend, ka thënë se investimet amerikane kanë rënë si rezultat i politikave jo të mira qeveritare.

    ”Eksporti ynë ka rënie dhe po rritën importet, pra ajo që është proklamuar nga Qeveria Kurti po ndodh e kundërta”, u shpreh Shala.

    Sipas tij në ikjen e investitorëve ndikoi klima për luftë të mundshme që e krijoi Kurti.

    ”Po çdo paralajmërim për luftë apo për krizë politike ose ekonomike, natyrisht që ndikon tek investitorët serioz dhe strategjik. Prandaj politikat sidomos të dy viteve të fundit, duke bërë apel për situata të sigurisë dhe lufta që po bëhet mediatike për ta paraqitur vendin tonë jo stabil, që po paraqitet nga Qeveria Kurti ka ndikuar dhe do të ndikoj në ikjen e investitorëve”, theksoi Shala.

    Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, njëherit anëtar i Komisionit për Ekonomi në Kuvend, tha se Kurti me veprimet e veta e penalizoi Kosovën nga investimet e jashtme.

    “Kosova tani e katër vite kurrë nuk ka qenë më keq në kuptimin e Investime të jashtme. Politikat e shpejta dhe të gabuara nga Qeveria Kurti, në vazhdimësi kanë krijuar “aksidente politike” me faktorin ndërkombëtar, të cilat penalizuan Kosovën nga investimet e jashtme”, u shpreh Lekaj.

    Investimet amerikane në Shqipëri, 27 biznese prodhuese dhe 140 në sektorin e shërbimeve.

    Sipas të dhënave nga “Banka e Shqipërisë”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë investitori i gjashtë më i madh.

    Sipas shifrave të “Institutit të Statisikave”, në vitin 2022, në Shqipëri kanë operuar rreth 167 ndërmarrje aktive të huaja të përbashkëta me origjinë nga Shtetet e Bashkuara. Janë 27 prej tyre të cilat e kanë të shtrirë aktivitetin në prodhim dhe 140 të cilat operojnë në sektorin e shërbimeve.

    *Ky artikull u realizua nga mediumi “Front Online”, për dhe në kuadër projektit të gazetës online Reporteri.net: “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes Edukimit Medial për komunitetet joshumicë në Kosovë”, i financuar përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.