Me pikëllim të thellë, komuniteti Ashkali ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të mësuesit të respektuar dhe përfaqësuesit të tyre të shquar, Shefki Osmani. I njohur për kontributin e tij të palodhur në çështjet kombëtare dhe përkushtimin ndaj edukimit, Osmani ndërroi jetë në moshën 70-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur veprash dhe ndikimi pozitiv në komunitetin e tij.
Shefki Osmani, një figurë e dalluar në Komunën e Shtimës, ka shërbyer si mësues për rreth 40 vite, duke u vlerësuar gjerësisht për profesionalizmin dhe përkushtimin e tij ndaj arsimit. Gjithashtu, ai ka qenë një aktivist i zëshëm dhe një udhëheqës i devotshëm për komunitetin Ashkali, duke shërbyer në pozita të rëndësishme në Partinë Demokratike të Ashkanlive të Kosovës (PDAK).
Në vitet 2000-2004, Osmani ka qenë anëtar i Kryesisë së PDAK-së, ndërsa në periudhën 2004-2007, ai ka mbajtur postin e nënkryetarit të kësaj partie. Kontributi i tij ka qenë i pamohueshëm dhe i pakursyer, duke motivuar të rinjtë dhe duke mbështetur bashkëpunëtorët e tij me këshilla të vyera.
Telegramet e ngushëllimit nga liderët e komunitetit Ashkali:
Bekim Arifi, deputet në Kuvendin e Kosovës, shprehu dhimbjen e tij të thellë për humbjen e mikut dhe bashkëpunëtorit të tij të ngushtë. Në një telegram ngushëllimi, ai tha: “Me dhimbje të madhe morra lajmin për ndarjen nga jeta të mësuesit baca Shefki Osmani. Baca Shefki ishte mësues për rreth 40 vite, një mësues i dalluar në Shtime. Ai ishte një bashkëpunëtor dhe mik i mirë i imi që nga pas lufta. Asnjëherë dhe asgjë nuk e ka ndalur për të kontribuar për çështjen e Komunitetit; ishte besnik, punëtor i dalluar nga populli edhe pse i shtyer në moshë, ai kurrë nuk u ndal së kontribuari për popullin Ashkali. Allahu e mëshiroftë me Xhenet, Allahu familjarëve sabrin ja shtoftë. Të qoftë dheu i lehtë, baca Shefki.”
Qazim Rahmani, Kryetar i PDAK-së, shprehu gjithashtu ngushëllimet e tij për humbjen e madhe: “Me pikëllim e zemër të thyer, kuptuam lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të mësuesit, aktivistit të palodhur, nënkryetarit të dashurit Shefki Osmani. Vdekja e bacit Shefki është një humbje e madhe për komunitetin Ashkali. Ai që nga viti 1999 deri më sot kontribuoi për popullin tonë, si në situata të krizave ashtu edhe në të mirat tona. Unë si bashkëpunëtor i tij, në emrin tim dhe të gjithë anëtarësisë së PDAK-së, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Osmani, farefisin e tyre dhe të gjithë miqtë dhe bashkëvepruesit e tij. Mësuesi Shefki sot ndërroi jetë, por vepra, këshillat dhe puna e tij do të mbesin me ne. Zoti e mëshiroftë me Xhenet. Ngushëllime!”
Qemajl Aliu, Kryetar i Komunës së Shtimës, shprehu dhimbjen dhe respektin e tij të thellë për mësuesin e tij të parë në një telegram ngushëllimi drejtuar familjes Osmani: “E nderuara familje Osmani, me dhimbje dhe pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta e mësuesit tim të parë, Shefki Osmani, njeriut që më hapi dyert e dijes dhe më udhëhoqi në rrugën e arsimimit. Mësuesi Shefki nuk ishte vetëm një udhëzues në rrugën e diturisë, por edhe një burim i pashtershëm frymëzimi dhe dashamirësie. Jeta e mësuesit Shefki ka qenë në shërbim kushtuar arsimit e edukimit të dhjetra gjeneratave e brezave, ku me devotshmërinë e tij, na ka frymëzuar për t’i arritur shtigjet e larta të profesionalizmit. Me rastin e Ditës së Mësuesit, 7 mars pata kënaqësinë që ta vizitoj mësuesin Shefki dhe t’i dhuroj një dhuratë simbolike për të falënderuar për kontributin e tij shumëvjeçar në arsim. E kujtoj me respekt dhe mirënjohje të thellë për përkushtimin, durimin dhe përpjekjet e tij të palodhshme për të na mësuar dhe për të na dhënë mësime të vlefshme jo vetëm për librat, por edhe për jetën. Shpirti i tij bujar dhe zemra e tij e madhe do të mbeten gjithmonë pjesë e kujtimeve tona më të çmuara. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan. Dritë pastë shpirti i tij!”
Vdekja e Shefki Osmanit është një humbje e rëndë për komunitetin Ashkali dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të. Vepra e tij do të mbetet gjithmonë në kujtesën dhe zemrat e atyre që ai i preku me përkushtimin dhe dashurinë e tij për komunitetin. Allahu e mëshiroftë me Xhenet dhe familjarëve u dhëntë forcë dhe durim./Factorial-ks/