Problemi i përqafimit të rrymave të tjera kulturore në Kosovë nuk është faj institucional më shumë së që është faj kolektiv shoqëror
Pata dëgjuar një fjalim të një përfaqësuesi rom në një diskutim publik në Bibliotekën Kombëtare, duke thënë që populli i tij edhe ai vetë ndihen si fis nomad, pa shtëpi të veten.
Në diskutime të tjera, në net poetike kisha dëgjuar poezi tek interpretoheshin në gjuhën rome, kisha parë përfaqësues nëpër organizata e institucione.
Ajo që nuk kisha e nuk kam dëgjuar deri më sot është të flitet nëpër tavolina kafenesh ose biseda grupore të (pa) detyruara nga kushtetua mbi një poezi, tregim, film, artist rom, ashkali ose egjiptas. Nga kjo lind pyetja: ne si shoqëri, ne si komunitet, ne si institucion, fakultet, shkollë, OJQ, etj., a e pranojmë kulturën e këtyre popujve brenda nesh, a është Kosova vërtet vend multietnik, në fakt a kemi qenë ne gati ta besojmë vërtet Kosovën si të tillë, ashtu siç kushtetuta na thotë? Druaj që jo.
Nëpër fakultete ndahen vende të veçanta për studentët e komuniteteve jo shumicë, në Kuvend e shohim të njëjtën gjë, madje edhe nëpër organizata kulturore të cilat financohen nga Ministria e Kulturës shohim nisma të tilla për përfshirje të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Në një artikull të Fondacionit Konrad Adenauer ndër të tjera thuhet kështu: “Një nga argumentet dhe konkluzionet kryesore të nxjerra në lidhje me gjendjen e të drejtave të pakicave në Kosovë është se ligjet janë “perfekte në letër” vetëm se mungon një mekanizëm zbatimi për ta garantuar realizimin e të drejtave të pakicave.”
Problemi është që të tilla nisma, të tilla rregullore, fonde që ndahen, janë të përcaktuara me ligj dhe kushtetutë dhe ajo që ka rëndësi është fakti që problemi i përqafimit të rrymave të tjera kulturore në Kosovë nuk është faj institucional më shumë së që është faj kolektiv shoqëror.
Plotësimi i vendeve boshe nëpër hapësira të caktuara nuk zgjidh problemin e përfshirjes së komuniteteve brenda shoqërisë sonë, ata që ndajnë këto vende me këto komunitete nuk janë gati ta përqafojnë ideologjinë e tjetrit. Në vendin tonë është e rregulluar me ligj çështja e pronësisë, ndarja e pronës për gratë e megjithatë tek ne sundon sistemi patriarkal mbi trashëgimin dhe ndryshimet tek-tuk janë përpjekje sporadike.
Njëjtë ndodhë edhe me komunitetet pakicë të cilat jetojnë në Kosovë, të drejtat dhe pjesëmarrja e tyre është e rregulluar me ligj, por sistemi paragjykues i shoqërisë tonë nuk ka mundur të shkëputet nga bindjet dhe paragjykimet e trashëguara brez pas brezi.
Mos shkollimi, gjendja ekonomike dhe vetë jetesa e komuniteteve është një ndërlidhje zinxhirore, njëra pa të cilën nuk funksionon. Jo të rralla janë rastet kur në këtë zinxhir tenton shkëputjen në një formë a tjetrën, rruga paragjykuese nganjëherë edhe e dhunës që njerëzit e vendit tonë vendosin ta praktikojnë.
Në vitin 2019 një fëmijë 9-vjeçar rom, nga komuna e Fushë Kosovës, ishte vrarë në mënyrë makabre; sipas raportit të autopsisë ishte dhunuar edhe seksualisht.
Censurimet që jo pak i hasim kudo në rrugë, në qytet, në lagje, kudo tjetër nuk janë akumulime të ditës së sotme, janë materiale të marra e trashëguara nga kohë shumë të hershme, censurime këto të mirëmbajtura deri tani.
Prandaj ajo që vazhdon të mbetet shqetësuese për vendin tonë jo domosdo lidhet me rregullimin ligjor qoftë mbi fenomene tjera qoftë në ketë rast me komunitetin pakicë.
(Mos)edukimi shoqëror, mosvetëdijesimi kolektiv, duke filluar nga familja, në shkollë e deri tek rrethet me të gjera shkakton pasoja afatgjata në jetën e individëve ose grupacionëve të ndryshme të cilat nuk mund ta rimarrin vetën për kohë të gjatë.
Fakti që ne nuk jemi në gjendje si shoqëri ta pranojmë tjetrin në mënyrën së si ai është pa tentuar ta shndërrojmë ta bëjmë të përshtatshëm sipas dëshirës tonë tregon një tendencë negative për ta kontrolluar tjetrin.
Në fakt kemi lexuar shkrime të qëndisura se si kultura dhe jetesa e romve, ashkalinjve ose egjiptasve është vlerë për Kosovën dhe si e tillë duhet të trajtohet me kujdes.
E megjithatë, a e besojmë ne vetë këtë fakt, tutje a e beson vetë ai që e ka shkruar këtë teori? A kemi qenë ndonjëherë gati ta trajtojmë kulturën e tjetrit si vlerë, a kemi besuar vërtet së multietniciteti kalon përtej dokumenteve të firmosura nëpër zyra?
***************