Në katër komunat në veri të Kosovës, sot do të votohet për apo kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë.
Votimi më 21 prill organizohet në bazë të Udhëzimit Administrativ që hartoi Qeveria e Kosovës, pas kërkesës të bashkësisë ndërkombëtare për shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.
Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i cili i ka hapur rrugë këtij procesi e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.
Sipas udhëzimeve të publikuara, qytetarët mund të përgjigjen me “po” ose “jo” në pyetjen se a pajtohen që kryetari i njërës prej katër komunave në veri të shkarkohet.
Nëse shpallet një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Por, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 19:00.
Disa shkolla refuzuan të jenë në dispozicion si qendra votimi, andaj janë bërë zgjidhje alternative. Te Ura e Bubës në Zubin Potok janë vendosur kontejnerë si qendra alternative të votimit. Siç u raportua kontejnerë të tillë do të vendosen edhe në dy lokacione të tjera në Zubin Potok.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në këto komuna që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës me 21 prill, por nga ana tjetër Lista Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve serbë, që janë shumicë në këtë zonë, për ta bojkotuar këtë proces.