Sot bëhen fiks 20 ditë që prej Radiotelevizoni i Kosovës (RTK) transmetoi lajmin skandaloz kundër Nacionales dhe Periskopit. Ndërkohë, tash e 20 ditë RTK po e mban të fshehur raportin e komisionit që u krijua në lidhje me këtë çështje. Çka dihet?
Kemi hyrë në ditën e 20-të dhe Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) ende nuk ka marrë asnjë masë ndaj askujt për raportimin skandaloz kundër Nacionales.
Raporti është dashur të publikohet gjatë javës së kaluar pasi është përfunduar. Kështu të paktën njoftoi juristja e medias, Flutura Kusari e cila deklaroi se sipas informacioneve që ka marrë, raporti tashmë është dorëzuar.
Ndërkohë, sipas burimeve të Nacionales, komisioni ka konstatuar se në portalin e RTK-së ka pasur editime dhe modifikime, ku janë hequr emrat e dy mediave për të cilat kishte akuza të rënda.
Kujtojmë se RTK në ueb-faqen e tyre, si dhe në edicionin e lajmeve qëndrore, transmetoi një lajm nga një portal boshnjak, duke pretenduar se dy media të Kosovës financohen nga Serbia.
Artikulli në portalin e RTK-së përmendte me emër mediat, e më pas u editua dhe emrat u larguan. Kurse, në lajmet qendrore u dha jehonë se si dy portale paguhen nga presidenti i Serbisë.
Bordit i RTK-së, u mblodh për këtë çështje dhe premtuan që do të ketë masa, ndërsa punën po vazhdon pa pengesë drejtori i televizoni dhe anëtari i VV-së, Rilind Gërvalla, i cili në çdo mënyrë ka mbrojtur raportimin e RTK-së.
“U.d drejtoresha ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së” – thuhej në komunikatën e Bordit të RTK-së.
Në anën tjetër, brenda RTK-së pati reagime të shumta, pasi disa redaktorë e gazetarë u distancuan nga raportimi i rremë. Gjithashtu dorëheqje dha U.D Drejtoresha, Zana Spahiu, reagoi redaktori i edicionit, Jeton Musliu e per raportimin nuk tha asgjë u.d kryeredaktorja e RTK-së, Leonora Bërbatovci.
Ndërkohë, Nacionale publiko edhe bisedat në të cilat kërkohej që të mos bëhen reagime në mënyrë që të harrohet skandali.
Pas publikimit të lajmit skandaloz, RTK-ja është kritikuar me të madhe nga organizata të huaja e vendore, nga gazetarë e analistë të cilët thonë se RTK-ja është e kapur nga pushtetit.
Organizatat joqeveritare dhe aktivistët kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të RTK-së pas raportimit skandaloz për mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre.
“Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre.” – thuhej në reagimin e tyre.
Gjithashtu, edhe organizata ndërkombëtare “Safe Journalist” ka reaguar ashpër pas sulmeve nga pushteti ndaj Nacionale dhe Periskopit.
“Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër fushatën e shpifjeve të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe shpërndarjen e “lajmeve” të tilla që sulmojnë mediat tjera në Transmetuesin Publik të Kosovës RTK. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të dënojë këtë fushatë shpifëse dhe të distancohet nga këto akuza të pabaza. Për më tepër, ne inkurajojmë mediat e prekura që të ndjekin veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për ngritjen e akuzave të tilla të rënda, duke përfshirë burimet kryesore që qëndrojnë pas tyre” – thuhej në reagimin e tyre.
Raportimi i RTK-së ishte sulm i pashembullt ndaj mediave dhe që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë./Frontonline/