×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    DASH thirrje autoriteteve serbe për transparencë: Arrestimi i policëve të Kosovës përshkallëzon situatën

    NgaKotar FactorialPublikuar: 18/04/2024 | 19:05 Publikimo: 18/04/2024 | 19:05

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka reaguar pas zhvillimeve që ndodhën të mërkurën, ku autoritetet serbe ndaluan qytetarë kosovarë në vendkalimet kufitare serbe, zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës Dejan Jankoviq dhe dhjetë zyrtarë të tjerë policorë. Dje u liruan pesë prej tyre nga autoritetet serbe, ndërsa 4 të tjerë sot, përveç Jankoviqit, shkruan Reporteri.net.

    DASH-i në një përgjigje ekskluzive për gazetën online Reporteri.net i ka bërë thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë me transprencë, derisa ndalimet arbitratre që synojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se do të shihen si veprime përshkallëzuese të dëmshme për paqen dhe stabilitetin.

    Lidhur me zëvendës drejtorin e Policisë së Kosovës i cili ende është në mbajtje nga autoritetet serbe, nga DASH shpresojnë në lirimin e menjëhershëm të tij.

    “Shtetet e Bashkuara janë të vetëdijshme për situatën dhe ne po e monitorojmë atë nga afër. Të gjitha palët duhet të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Në lidhje me këdo të ndaluar, ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë me transparencë dhe respekt të plotë për sundimin e ligjit dhe të procedojnë çdo rast sa më shpejt të jetë e mundur”.

    “Ndalimet arbitrare ose të padrejta të gjata, veçanërisht nëse synojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese të dëmshme për paqen dhe stabilitetin. Shpresojmë në lirimin e menjëhershëm të oficerit të Policisë së Kosovës, i cili është ende i ndaluar nga autoritetet serbe”, ka thënë një zëdhënës i DASH-it për Reporteri.net.

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka theksuar se ajo që ndodhi dje është shkelje e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, derisa i ka bërë thirrje Serbisë të përmbahet nga veprimet e tilla të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe të respektojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut.

    “Ritheksojmë se marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur si pjesë e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja ofron parametra të qartë për hyrjen dhe daljen e qytetarëve kosovarë në dhe nga Serbia.
    Siç ka vënë në dukje edhe Bashkimi Evropian, vonesat si ato që ndodhën së fundmi paraqesin shkelje të kësaj marrëveshjeje. Ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprime të tilla të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe të respektojë plotësisht marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në përgjigjen e DASH ekskluzivisht për Reporteri.net.

    Jankoviq, që vjen nga komuna e Shtërpcës, është ndaluar të mërkurën në pikën kufitare me Serbinë, Jarinjë, në veri të Kosovës, dhe u dërgua për intervistim në qytetin jugperëndimor të Serbisë, Rashkë.

    Ministria e Punëve të Brendshme tha se autoritetet serbe i kanë ndaluar “10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serbë)”, por shtoi se pesë prej tyre janë liruar. Sipas ministrisë, institucionet përkatëse janë në proces të sigurimit të informacioneve të sakta për të sqaruar situatën e krijuar.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë tha se sipas informacioneve të fundit, katër zyrtarë policorë të Kosovës, që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan jankoviq.

    Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se zyrtarët policorë ishin ndaluar në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, Dheu i Bardhë e Jarinjë, si dhe në një pikëkalim kufitar mes Serbisë dhe Kroacisë.

    “Zëvendësdrejtori i policisë vazhdon të mbahet në burg në Serbi”, tha Kurti, duke iu referuar Jankoviqit.

    Nga mëngjesi i hershëm i së mërkurës, autoritetet serbe targetuan autobusë dhe automjete që po transportonin qytetarët kosovarë nga perëndimi drejt Kosovës apo anasjelltas.

    Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar akuzat e autoriteteve në Kosovë se ka ndaluar autobusë me udhëtarë kosovarë në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë të mërkurën.

    “Këto pretendime janë të pabaza dhe Policia nuk ka ndaluar askënd, e as penguar hyrjen dhe kalimin e asnjë qytetari”, tha Ministria serbe në një komunikatë të mërkurën.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten, tha se pesë policë të Kosovës “po vazhdojnë të mbahen peng” nga Serbia, shtet të cilin e cilësoi si “shovinist”.

    “I bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngrenë zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë sonë”, tha presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës gjatë ditës së djeshme tha se për çështjen e paraburgimit të qytetarëve të Kosovës në Serbi u është drejtuar vendeve të QUINT-it – Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, institucioneve të Bashkimit Evropian dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar sot lidhur me atë se çka ndodhi dje.

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-ja është e shqetësuar me arrestimin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, dhe me zhvillimet që ndodhën në kufijtë serbë.

    “Rasti i fundit është shqetësues për ne. Shqetësues që po mbahet i ndaluar z.Jankoviq nga autoritetet serbe dhe jam në mënyrë të veçantë i shqetësuar për këtë çështje, se dikë për të cilin ne e njohëm për vite të tëra, dhe kemi ndihmuar në integrimin e komunitetet serb në Policinë e Kosovës, pavarësisht etnisë, dhe rolin e tyre të cilin e kanë luajtur dhe vazhdojnë ta luajnë në pjesën e Policisë së Kosovës. Jemi në mënyrë të veçantë të shqetësuar për ndalimin e z. Jankoviq”, tha Hovenier sot para mediave.

    Hovenier gjithashtu ka mirëpritur deklaratën e Bashkimit Evropian e cila tha se Serbia ka shkelur marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

    “Ne vazhdojmë të punojmë me Bashkimin Evorpian dhe jemi të përfshirë në procesin e dialogut dhe dëshirojmë që këto marrëveshje të zbatohen. Deklarata e BE-së është e qartë, nuk është se nuk dakordohemi me deklaratën e BE-së”, u shpreh Hovenier.

    Bashkimi Evropian dje tha se është informuar me rastin e ndaljes së udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova nga autoritetet e Serbisë dhe se është duke ndjekur situatën për së afërmi. Në këtë rast BE-ja konstatoi se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.

    “Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar dje zëdhënësi Peter Stano.

    Më 14 prill, kujtojmë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq paralajmëroi se “çdokush që shkel rendin kushtetues të Republikës së Serbisë do të arrestohet dhe do të ndiqet penalisht”.

    Vuçiqi e tha këtë paralajmërim duke folur për arrestimin e Sreqko Sofronijeviqit prej Zveçanit, më 13 prill nga Policia e Kosovës për pjesëmarrje në protestat e vitit 2021, të organizuara për shkak të zbatimit të një aksioni kundër kontrabandës me mallra.

     

     

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.