Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë rastet e dhunës në familje, duke shtuar se kjo nuk duhet parë si çështje private apo familjare.
Ambasada u është referuar raporteve dhe hulumtimeve të organizatave të shoqërisë civile, sipas të cilave dhuna në familje është ndër krimet më të paraportuara në Kosovë.
Në faqen e ambasadës janë publikuar edhe numrat e kontaktit për raportim të këtyre rasteve.
“Bazuar në raporte dhe hulumtime të ndryshme të organizatave të shoqërisë civile, dhuna në familje vazhdon të jetë një nga krimet më të paraportuara në Kosovë. Dhuna në familje nuk duhet parë si një çështje private apo si një çështje familjare. Dhuna në familje është KRIM. Mos e duroni, raportoni: 0800 11 112 ose 192”, thuhet në postimin e Ambasadës.
Kujtojmë se ditët e fundit u vranë dy gra në Kosovë nga burrat e tyre, një në Pejë dhe një tjetër në Ferizaj.