Prokurori i Shtetit përmes një njoftimi të lëshuar për media ka thënë se bashkë me Policinë e Kosovës janë duke mbikëqyrë procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat e Republikës së Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.
“Që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët e shtetit së bashku me Policinë e Kosovës janë të angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyrë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit të votimit, të cilët janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Prokurori i Shtetit me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë në Polici dhe Prokurori për të gjitha pretendimet eventuale lidhur me keqpërdorimet lidhur me këtë proces.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se janë hapur të gjitha qendrat e votimit në Veri, shkruan Reporteri.net.
“Duke u mbështur në të dhënat që kemi pranuar nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, ju njoftojmë se janë hapur të gjitha qendrat e votimit”, tha ai.
Elezi ka treguar numrin e qendrave të votimit në katër komunat veriore.
“Edhe sipas njoftimeve të mëhershme të KQZ-së, numri i Qendrave të Votimit në komunën e Leposaviqit është 8, në Zubin Potok 5, në Zveçan 5 dhe në Mitrovicën e Veriut 5. Në përgjithësi, numri i Qendrave të Votimit në këto katër komuna është 23, me gjithsej 63 vendvotime”
Elezi ka thënë se numri i qytetarëve me të drejtë vote për procesin e votimt për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut është 46,556 votues.