Manuel Sarrazin, përfaqësues special gjerman për Ballkanin Perëndimor, ka folur për EWB mbi mbështetjen e Gjermanisë për hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro hyrjes javën e kaluar.
Ai ka thënë se Gjermania është përkrahëse e fuqishme e Kosovës dhe janë pro afrimit të Kosovën në Evropë, porse vendimi për anëtarësim do të merret nga Këshilli i Ministrave në muajin maj.
“Ne qëndrojmë pas idesë për ta afruar Kosovën me Evropën, që nënkupton edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Por vendimi në fund do të jetë me Këshillin e Ministrave dhe është thelbësore që Kosova tani të bëjë gjithçka që mund të bëjë për të bindur një shumicë të gjerë të shteteve anëtare. Sidomos të drejtat e pakicave janë një temë kyçe për Këshillin e Evropës”, tha ai.
Duke komentuar kërkesën e Beogradit zyrtar për formimin e asociacionit të komunave serbe dhe nëse do të mbetet themelimi i asociacionit kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE, emisari special gjerman për Ballkanin Perëndimor deklaroi se të dyja palët duhet të përmbushin marrëveshjen e Ohrit.
“Për palën gjermane, kriteret e përmendura nga Serbia nuk janë publikuar asnjëherë si kriteret tona për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës. Në përgjithësi, situata e ballafaqimit me minoritetet në Kosovë është shumë relevante. Por Kosova ka obligim nga marrëveshjet e Brukselit të arritura në vitin 2011 dhe 2013 si dhe nga marrëveshja e Ohrit për të zbatuar asociacionin. Ajo që është e qartë është se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, e cila përfshin themelimin e asociacionit”, ka thënë ai.
Duke folur rreth kundërshtimit të Serbisë për hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, emisari gjerman theksoi se Serbia nuk duhet ta ndalojë Kosovën të hyjë në organizatat ndërkombëtare dhe veprimet e Beogradit zyrtar nuk janë në përputhje me marrëveshjen.