×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Mospajtimet e banorëve tash e 17 vjet lanë pa emër shkollën në Sapniq të Rahovecit

    NgaKotar FactorialPublikuar: 28/04/2024 | 21:04 Publikimo: 28/04/2024 | 21:04

    Që kur u pavarësua 17 vjet më parë, shkolla e fshatit Sapniq të Rahovecit ka mbetur pa emër. Banorët nuk kanë rënë dakord se emrin e cilit dëshmor duhet ta bartë ajo. Kjo po shkakton konfuzion te nxënësit e mësimdhënësit
    Nxënësit në fshatin Sapniq të Komunës së Rahovecit procesin mësimor e zhvillojnë në një shkollë pa emër.

    Deri më 2007, ky institucion arsimor ishte paralele e ndarë e shkollës “Liria”, që ndodhet në fshatin Fortesë. E atë vit u shndërrua në shkollë amë.

    Prej 17 vjetësh banorët nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për të vendosur njërin nga emrat e dëshmorëve të fshatit, që edhe janë propozuar, ka thënë drejtori Masar Gashi.

    Ai ka theksuar se banorët vazhdojnë të favorizojnë që shkollës t’i vihet emri i njërit nga dëshmorët dhe jo ndonjë emër tjetër.

    “Liria na u soll nga dëshmorët e kombit nga lufta e UÇK-së, kështu që i tërë populli janë të prirë për t’i nderuar martirët e lirisë që të emërtohen nëpër institucione, ndoshta në institucione arsimore duhet të jetë emri i ndonjë shkrimtari, mirëpo liria mbi të gjitha është më e madhe dhe më e shtrenjtë se çdo tjetër”, ka thënë ai.

    Sakip Popaj sivjet u zgjodh ndër katër mësimdhënësit më të mirë në Kosovë. Në ceremoninë vjetore, ai u prezantua me emrin e fshatit dhe jo të shkollës.

    Popaj, i cili ka mbi 20 vjet që ushtron profesionin e mësimdhënësit në këtë institucion, shtron nevojën që shkolla të emërtohet më në fund.

    “Mosprezenca e emrit edhe neve po na shqetëson pak, pasi çdo shkollë tjetër po kërkon me pasë një emërtim të duhur jo me përfaqësi veç si fshat, pasi edhe emri i shkollës duhet me pasë një emërtim të duhur, pasi kjo po i pengon edhe disa nivele si në DKA si republikën, i njëjti rast ishte edhe më 7 mars”, ka thënë ai.

    E sipas drejtorit Gashi, mosvendosja e një emërtimi ka shkaktuar konfuzion edhe te nxënësit, që kjo shkollë momentalisht numëron 90 sosh.

    “Jo vetëm këtë vit por edhe vitet e kaluara kur unë kam qenë mësimdhënës i këtyre nxënësve, kemi pasur pyetje pse ne nuk e kemi një ditë të shkollës, një ditë vjetore që sikur shkolla të tjera që e kanë ditën e shkollës. Unë ju them që ne nuk kemi emërtim, për të pasur ditë të shkollës duhesh të bazohesh në një datë që ndërlidhet me emrin”, ka thënë ai.

    Banorët nuk e komentuan problemin që ka zënë fill 17 vjet më parë. E sipas drejtorit të shkollës, ata janë afër arritjes së një konsensusi.

    Udhëzimi Administrativ për emërtimin dhe riemërtimin e institucioneve arsimore parasheh që Këshilli Drejtues i shkollës të propozojë tri emërtime dhe ato të dërgohen në Drejtori të Arsimit, e pastaj në Ministri për miratimin e emrit më të votuar nga anëtarët e Këshillit. Për emrin e votuar shkolla duhet të japë arsyetim me shkrim.

    Sipas legjislacionit, shkolla mund të emërtohet me emër personaliteti, emër gjeografik ose emër kuptimi.

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.