Trupat e pajetë të Alma Arrazit dhe dy fëmijëve të saj të mitur të moshës 8 dhe 4 vjeç ende nuk janë gjetur. Ndërkohë vajza 9-vjeçare u gjet e mbytur në lumin Bunë mbrëmjen e së shtunës (4 Maj).
Palombarët e RENEA-s vijojnë kërkimet nga ura e vjetër e Bunës deri në grykëderdhjen e Velipojës, ndërsa në ndihmë i kanë shkuar peshkatarët dhe banorë të zonës.
Ndërkohë policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve në zonë për të parë lëvizjet e fundit të 39-vjeçares dhe fëmijëve të saj, para se të ndërmerrte aktin tragjik. Pamjet po verifikohen për të verifikuar nëse Alma Arrazi ishte e vetme apo shoqërohej nga dikush.
Gjithashtu janë marrë në pyetje edhe familjarë të 39-vjeçares, të cilët kanë konfirmuar se ajo dhunohej sistematikisht nga i shoqi Edison Arrazi. 31-vjeçari është arrestuar për shkaktim vetëvrasje, ndërsa dyshohet se kishte krijuar një lidhje jashtëmartesore, si edhe i kishte kërkuar bashkëshortes të largohej nga banesa së bashku me fëmijët. /Telegrafi/