×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Nesër pritet miratimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë

    NgaKotar FactorialPublikuar: 22/05/2024 | 9:18 Publikimo: 22/05/2024 | 9:18

    Të enjten, OKB do të votojë për miratimin e një rezolute përmes së cilës 11 korriku do të shpallet ditë për të përkujtuar gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjes. Teksti përfundimtar i rezolutës dënon mohimin e gjenocidit, një gjë që vazhdimisht bëhet nga zyrtarët serbë si në Bosnje ashtu edhe në Serbi. Kronika në vijim sjell një rikujtim të asaj që ndodhi para rreth 29 vjetësh. Të mbijetuarat e gjenocidit thonë se plagët e vuajtjeve vazhdojnë të mbeten të hapura nga mohimi i vazhdueshëm i krimit më të madh që ka ndodhur në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

    Kada Hotiç e pa për herë të fundit djalin, burrin dhe vëllain e saj më 11 korrik të vitit 1995. Atë ditë forcat serbe të Bosnjës thyen “zonën e sigurisë” që ishte krijuar nga Kombet e Bashkuara përreth qytetit të Srebrenicës. Futja e forcave serbe në qytet detyroi mijëra boshnjakë të iknin.

    Predhat shpërthenin përreth, ndërsa zonja Hotiç dhe familja e saj vraponin drejt një baze të OKB-së, duke kaluar pranë trupave të copëtuar gjatë rrugës. Ajo u nda nga djali i saj 29-vjeçar, Samiri, kur paqeruajtësit e OKB-së iu thanë mijëra burrave dhe djemve të rinj të shkonin në një nga pyjet aty pranë.
    Serbia dhe Republika Serbe e Bosnjës e kanë mohuar vazhdimisht se ajo që ndodhi në Srebrenicë ishte gjenocid.

    “Rezoluta do të sjellë të mira së pari për njerëzit që kanë kryer krimet, dhe pastaj për ne viktimat, sepse ne po luftojmë për këtë për shkak të mohimit që ka vazhduar në dhjetë vitet e fundit. Ne duhet ta zgjidhim problemin përgjithmonë, për hir të brezave të ardhshëm”, thotë Sehida Abdurahmanoviç, e mbijetuar e masakrës së Srebenicës.

    Udhëheqësi nacionalist serb i Bosnjës Milorad Dodik ka kërcënuar se Republika Serbe, ku ndodhet Srebrenica, do të shkëputet nga Bosnja nëse miratohet rezoluta.

    “Unë besoj në idealin e Republikës Serbe të pavarur pasi është e pamundur të ndërtosh bashkjetesë me njerëzit që duan të shuajnë liritë dhe të shfuqizojnë republikën tonë”, tha Milorad Dodik, President i Republikës Serbe të Bosnjes me 25 tetor të vitit 2022 ndërsa festonte fitoren në zgjedhje.

    Srebrenica ishte deklaruar “zonë e sigurt “ nga OKB në vitin 1993. Aty jetonin rreth 40,000 myslimanë boshnjakë që kishin ikur nga fushata serbe e spastrimit etnik. Më pas forcat serbe të Bosnjës hynë brenda, duke mposhtur paqeruajtësit.

    “Dua që bota të dijë të vërtetën, ta gjykojë e kujtojë atë, që kjo e keqe të mos ndodhë më kurrë”, thotë Kada Hotiç, anëtare e shoqatës “Nënat e Srebrenicës”.

    Përmasat e masakrës në Srebrenicës dolën në dritë gradualisht pasi mijëra burra, që fillimisht ishin konsideruar të humbur, u gjetën të vrarë.

    Në tërësi, hetuesit zbuluan se rreth 8,000 burra dhe djem u vranë brutalisht gjatë mizorisë më të rëndë që Evropa ka përjetuar që nga Lufta e Dytë Botërore./VOA

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.