×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Lidhja e Prizrenit i bën bashkë liderët e përçarë

    NgaKotar FactorialPublikuar: 11/06/2024 | 18:11 Publikimo: 11/06/2024 | 18:11

    Një letër e ish-koleges së saj nga “Guxo”, kryediplomatja Donika Gërvalla, muajin e kaluar në Strasburg për çështjen e anëtarësimit në KiE shfaqi përçarjet mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

    Presidentja nuk ishte njoftuar për këtë hap diplomatik, ndërsa i reagoi ashpër Glauk Konjufcës, i cili tha se ky moskoordinim kishte ndodhur për shkak se distancës pasi presidentja ndodhej në SHBA.

    Mospajtimet i konfirmoi edhe Gërvalla gjatë një interviste në fundjavë
    Të hënën, këta katër zyrtarë u panë në Prizren ku shkuan për ta shënuar 146 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.

    Presidentja Vjosa Osmani doli publikisht për të shprehur habinë e saj se si Gerlad Knaus, një pjesëtar i shoqërisë civile, u informua para saj rreth letrës së dërguar nga Qeveria e Kosovës për presidentin e Asamblesë Parlamentare të KiE me zotimin që barte rreth krijimit të Asociacionit. Deklaratës së saj i parapriu një e kryeparlamentarit Glauk Konjufca që e dha largësinë si arsye se pse Osmani s’u njoftua për një çështje të “interesit kapital”.

    Ky zhvillim nxiti krerët e vendit të deklaroheshin mbi raportin e tyre. Dhe pasi secili dha versionin e vet mbi raportin mes vete, Osmani, Kurti, Konjufca e Gërvalla iu ra të takoheshin për herë të parë bashkë pas këtyre zhvillimeve në një vend simbolik ku kërkohet uniteti mes liderëve – në objektin e Lidhjes së Prizrenit për 10 Qershor.

    “Përballë rreziqeve të mëdha të sigurisë, uniteti ynë do të shërbejë si forcë për të mbrojtur shtetin tonë nga tendencat shoviniste”.

    Këtë thirrje për unitet e bëri presidentja Osmani në fjalimin e saj në shënimin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit, derisa ngriti shqetësimet për “apetitet e Serbisë”.

    Në festën që u shtrua në këtë shënim, liderët u panë afër njëri tjetrit rreth një tavoline, pas gjithë tensionit që u shkaktua. Në një tavolinë më ushqime tradicionale, Osmani, Kurti, Konjufca e Gërvalla qëndruan bashkë. Osmani u pa me telefon në dorë ndërsa Kryeministri hante ushqim.

    Kryediplomatja Donika Gërvalla ishte përballë tyre.

    Kjo e fundit më 16 maj i çoi letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Theodoros Rousopoulos, të cilit i ka thënë se Kosova po e shkruan një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe se atë do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit. Kjo ishte përpjekja e Qeverisë për të bindur disa shtete anëtare të Këshillit të Europës që e kushtëzuan anëtarësimin e Kosovës në KiE me hapa konkretë drejt Asociacionit. Megjithëse, kjo s’dha rezultat në Strasburg, në Prishtinë Presidenca e Kosovës doli me deklaratë publike dhe tregoi se s’ishte në dijeni për letrën e dërguar.

    Gërvalla, e cila ishte partnere e ngushtë e Osmanit në zgjedhjet e fundit në kuadër të Listës Guxo, doli që pa e informuar shefen e shtetit, i kishte përcjellë informatën drejtorit të ESI-it, Gerald Kanus, për letrën e dërguar presidentit të Asamblesë.

    Kjo më pas do të përdorej nga Osmani për të thënë se arsyeja e mundshme për mosinformim të Presidencës që e dha Konjufca ishte “qesharake”.

    “Në qoftë se tema paska qenë të mosprezenca fizike në Kosovë, atëherë si është e mundur që një njeri nga shoqëria civile në Gjermani, që po ashtu nuk ishte prezent në Kosovë, e mori atë letër para Presidencës së vendit, para Parlamentit të vendit, para shoqërisë civile në Kosovë, para popullit të Kosovës dhe e botoi atë në Tëitter. Pra, për ta informuar një person që fare nuk është në institucione paska pasur mënyra kurse për ta koordinuar dhe vendosur bashkërisht një temë të tillë nuk paska pasur mënyra që të koordinohet me presidenten. Kjo vërtetë është qesharake”, kishte thënë Osmani.

    Pas deklaratave publike të presidentes, secili nga udhëheqësit u arsyetuan për këtë.

    Kryeministri Albin Kurti tha se nuk është e vetmja Osmani që ka ndonjëherë dallime. Ai tha se këto ndodhin edhe me bashkëpartiakun e tij Konjufca dhe vartësen e tij Gërvalla.

    “Kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë që edhe me kryeparlamentarin [Glauk] Konjufca, edhe me ministren e Jashtme, Gërvalla, edhe me presidenten [Vjosa] Osmani, nuk kemi pasur diskutime, ndonjëherë dallime, por unë nuk besoj që ka të tilla që janë të patejkalueshme”, kishte deklaruar Kurti.

    Këtë e përforcoi më pas edhe kryeparlamentari Konjufca, i cili tha se ka diferenca, por aspak “luftë politike”.

    “Relacionet janë të mira, nuk ka asgjë dramatike. Diferencat që mund t’i kemi dhe ndryshimet në qëndrime për çështje të ndryshme nuk mund të quhen luftë politike. Ne kur dalim para bashkësisë ndërkombëtare gjithmonë jemi të një mendje dhe të një goje. Pra, kështu ka qenë deri tash”.

    Konjufca tha se nuk ka dallime të tilla si në të kaluarën kur kryeministri i vendit dilte kundër idesë së shkëmbimit të territoreve e “personalitete të tjera” që ishin për.

    “Në këtë aspekt unë nuk shoh kurrgjë të ngjashme me të kaluarën”.

    Deklaratën sqaruese mbi raportet e saj me Kuvendin e ekzekutivin Osmani e pati më të zbutur.

    “Nuk ka këtu asnjë luftë politike. Si presidente luftoj vetëm për një gjë: kushtetutshmërinë në vendin tim”.

    Ajo tha se interesi i vendit është prioritet dhe jo dallimet.

    “Natyrisht që kur vendoset interesi shtetëror dhe interesi qytetar mbi të gjitha, çdo dallim është i tejkalueshëm. Është e domosdoshme që të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, të gjitha partitë politike që përfaqësojnë qytetarët e Kosovës bashkërisht të ulemi dhe të reflektojmë për çështje të interesit nacional. Për mua temat e interesit nacional nuk janë detaje të parëndësishme, janë tema që kërkojnë kontributin e secilit prej nesh sepse të gjithë e duam Kosovën. Nuk ka pasë raport Osmani-Vetëvendosje, presidentja nuk mban raport me parti politike. Raporti ynë është ndërinstitucional dhe është krejtësisht normale dhe në fakt është detyrë e të gjitha institucioneve në interes të qytetarëve”.

    Krejt në fund për këtë çështje foli Gërvalla.

    “Nuk kemi nevojë të pajtohemi gjithmonë të gjithë 100 për qind për të gjitha temat. Si persona që bartim përgjegjësi tona në fusha të ndryshme për procese të ndryshme nganjëherë kemi edhe mendime të ndryshme. Kjo që po e përmendni në raport me presidenten, por edhe me institucione të tjera. Mirëpo, unë mendoj që institucione të përgjegjshme edhe aty ku kemi dallime në qasjen tonë ndaj disa temave gjithmonë e gjejmë një rrugëdalje dhe gjuhë të përbashkët dhe asnjë arsye nuk kam të besoj se në këtë rast do të duhej të ishte ndryshe”, tha ajo.

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.