I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se ka marrë pjesë në ngjarjen e diplomatëve të rinj nga Ballkani Perëndimor, të organizuar nga Instituti i Universitetit Evropian në Firencë të Italisë.
Në llogarinë e tij në Facebook, Lajçak tha se pas këtij evenimenti ka udhëtuar drejt Strasburgut me ftesë të anëtarëve të Këshillit të Evropës, të cilët i ka informuar në lidhje me dinamikën dhe zhvillimet e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nga Firence, udhëtova për në Strasburg me ftesë të anëtarëve të Këshillit të Evropës. Në këtë qytet të bukur në kufirin franko-gjerman, pata privilegjin të informoj anëtarët e Këshillit të Evropës dhe shtetet anëtare të BE-së për gjendjen dhe dinamikën aktuale të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai, transmeton Telegrafi
” Ndërsa isha në Strasburg, shfrytëzova gjithashtu mundësinë për të bashkëbiseduar me një numër zyrtarësh të Këshillit të Evropës për çështjet tona përkatëse”, tha Lajçak. /Telegrafi/