×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    “Art Skena Egjiptiane” festivali promovues i kulturës dhe i identitetit të komunitetit egjiptian

    NgaKotar FactorialPublikuar: 18/06/2024 | 15:01 Publikimo: 18/06/2024 | 15:01

    Diversiteti kulturor në Gjakovë po vazhdon të shfaqet vazhdimisht në këtë qytet përmes organizimeve të ndryshme, e një gjë e tillë do të bëhet edhe gjatë kësaj jave, ku nga data 18 e deri më 24 qershor në Gjakovë organizohet festivali i komunitetit egjiptian.

    Në një intervistë për Telegrafin, Lendrit Qeli, drejtor Ekzekutiv i Organizatës “Prosperiteti” dhe autor i këtij festivali, na foli më shumë rreth këtij organizimi, duke potencuar se çfarë synon ky festival.

    “Festivali “Art Skena Egjiptiane” do të zgjasë shtatë ditë, nga 18 deri më 24 qershor. Ideja për organizimin e këtij festivali ka ardhur për të promovuar kulturën dhe identitetin e komunitetit egjiptian përmes artit dhe kulturës. Festivali synon të krijojë një platformë për të ndarë dhe ruajtur trashëgiminë kulturore të këtij komuniteti, duke rritur ndërgjegjësimin dhe respektin për diversitetin kulturor në shoqëri.”, tha Qeli.

    Një ndër pikat më të veçanta të këtij festivali do të jetë shfaqja “Podcast me Gjithologun”, shfaqje për të cilën Qeli tha që trajton tema të ndryshme sociale.

    “Shfaqja “Podcast me Gjithologun” është një vepër teatrale e realizuar me tekst dhe regji nga unë Lendrit Qeli, me asistente regjie aktoren e mirënjohur Elida Shasivari. Kjo shfaqje eksploron tema të ndryshme sociale dhe kulturore përmes një formati të veçantë që kombinon elemente të teatrit tradicional dhe formatin e një podcasti modern. Me humor dhe mendim kritik, shfaqja trajton çështje të rëndësishme dhe aktuale, duke angazhuar audiencën në një dialog të gjallë dhe interaktiv.”, u shpreh Qeli.

    Përveç kësaj shfaqjeje Qeli tha që gjatë këtyre ditëve ky festival do të përmbajë edhe shumë aktivitete të tjera.

    “Përveç shfaqjes “Podcast me Gjithologun”, e cila shfaqet me datë 18 qershor në ora 20:00, festivali “Art Skena Egjiptiane” do të përmbajë një sërë aktivitetesh të tjera, duke përfshirë ekspozitën e fotografive dhe pikturave nga të rinjtë, ndarjen e mirënjohjeve për kontribuesit mbi avancimin e pozitës së komunitetit egjiptian, dhe performancën nga poçari egjiptian Luan Qukani, i cili do të demonstrojë përpunimin e enëve të dheut në ekspozitë. Këto aktivitete synojnë të theksojnë dhe të festojnë kulturën unike të komunitetit egjiptian përmes artit vizual dhe artizanatit.”, u shpreh ndër të tjera Qeli.

    Për organizime të tilla duhet edhe një mbështeje nga institucionet përkatëse, gjë e cila sipas Qelit nuk u ka munguar.

    “Festivali “Art Skena Egjiptiane” ka pasur mbështetje nga institucionet përkatëse, përfshirë Komunën e Gjakovës – Zyra për Komunitete dhe Kthim, si dhe Ministrinë e Kulturës. Kjo mbështetje institucionale ka qenë thelbësore për organizimin dhe realizimin e festivalit, duke siguruar burime dhe logjistikën e nevojshme për një event të suksesshëm.”

    Qeli po ashtu tha që synim i tyre është që një festival i tillë të organizohet çdo vit.

    “Synimi është që festivali “Art Skena Egjiptiane” të organizohet edhe në vitet e ardhshme. Duke pasur parasysh suksesin dhe rëndësinë e tij për promovimin e kulturës dhe identitetit të komunitetit egjiptian, organizatorët janë të angazhuar për të bërë këtë event një festival tradicional. Qëllimi është të zgjerohet dhe të përmirësohet vazhdimisht festivali, duke sjellë gjithmonë aktivitete të reja dhe kreative për të përfshirë më shumë pjesëmarrës dhe për të rritur ndikimin e tij në Ballkanin Perëndimorë dhe jo vetëm.”, u shpreh Qeli.

    Theksojmë që ky festival organizohet në kuadër të “Ditës Nacionale të Komunitetit Egjiptian 24 Qershori”./Telegrafi/.

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.