×
  • S’fundmi
  • Publikimet
  • Puna jonë
  • Publikimet

    Paratë e planifikuara për shtabin simbolik të UÇK-së u përdorën për ndërtimin e tregut në Shtime

    NgaKotar Selamir Qerimi Publikuar: 21/06/2024 | 14:42 Publikimo: 21/06/2024 | 14:42

    20 mijë euro të ndara për ndërtimin e Shtabit simbolik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Rancë, Komuna e Shtimes i ka përdorur për ndërtimin e tregut të qytetit.

    Komuna e Shtimës ishte arsyetuar se bartja e mjeteve është bërë për të mos lejuar që të njëjtat të shkojnë në suficit, përkatësisht të kthehen në buxhetin e Republikës së Kosovës.

    Gjatë miratimit të buxhetit të vitit 2022, komuna e udhëhequr nga Qemajl Aliu, vendosi të ndajë 10 mijë euro për rregullimin e kullave që simbolizojnë luftën e UÇK-së në fshatin Rancë. Përveç këtyre mjeteve, për vitin pasues (2023) u parapanë 10 mijë euro të tjera.

    Nga Komuna e Shtimes kanë thënë se mjetet e buxhetuara për projektin e ngritjes së shtabit simbolik të UÇK-së në Rancë janë bartur te projekti i tregut të gjelbër me arsyetimin që mjetet e njëjta të mos shkojnë në suficit.

    “Në vitin 2021 janë ndarë vetëm 10 mijë euro për projektin ‘Ndërtimi i Shtabit të Rancës’ nga qeverisja e kaluar, mjete të pamjaftueshme për fillimin e ndërtimit të këtij objekti. Në vitin 2022 nuk është arritur që të fillojë ndërtimi dhe për të mos shkuar mjetet suficit janë bartur në një kontratë valide – ‘Ndërtimi i Tregut të Gjelbërt’”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Shtimes.

    Asamblisti i Kuvendit Komunal të Shtimes nga radhët e PDK-së, Rrahman Jakupi, ka thënë se Kuvendi Komunal nuk ka pasur njohuri për transferimin e parave nga projekti i ngritjes së Shtabit simbolik të Rancës në projektin për ndërtimin e tregut të gjelbër në Shtime.

    Madje, ai shprehet se këtë çështje e ka ngritur edhe në diskutime e Kuvendit, por që asnjëherë nuk ka marrë përgjigje konkrete.

    “Lidhur me projektin e ndërtimit të Shtabit të UÇK-së në Rancë, dy herë radhazi e kam ngritur këtë çështje në mbledhjet e rregullta të Kuvendit të Komunës, mirëpo nuk kam marrë përgjigje, për të cilën gjë kam kërkuar edhe qasje në dokumente publike” – ka thënë Rrahmani.

    Ai tregon se dokumentet i ka siguruar pas ankesës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe kur i ka analizuar ka arritur të konstatojë shkelje ligjore.

    “Kam arritur t’i marr dhe kam konstatuar që ka shkelje ligjore”, ka theksuar Jakupi.

    Në seancën e Kuvendit Komunal të Shtimes të mbajtur më 31.05.2023 (min 51:10), duke iu referuar mjeteve të ndara për projektin e ndërtimit të Shtabit simbolik të UÇK-së në Rancë në vitin 2022, Jakupi e kishte pyetur të parin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, se “ku janë mjetet financiare?”.

    “Jam i lumtur që më në fund po fillon sepse kjo ka qenë kërkesa unanime e të gjitha shoqatave të dala nga lufta si një nga objektet më të rëndësishme të luftës çlirimtare në zonën e Nerodimes. Edhe rruga që të dërgon atje, deri më 20 qershor [2023] e ka kohën që do të përfundojë. Ky është një lajm i mirë për neve por edhe për të gjithë qytetarët e komunës së Shtimes, sidomos për shoqatat e dala nga lufta. Unë nuk kam informacione për këtë pyetjen e juaj. Unë do të interesohem edhe do të iu njoftoj, diçka që nuk di, nuk mundem me thanë” – ishte përgjigjur kryetari Aliu në pyetjen e Jakupit në seancën e Kuvendit Komunal të mbajtur më31.05.2023 (min 1:21:00).

    Sipas tij, kryetari Aliu ka bërë shkelje ligjore dhe se i njëjti duhet të hetohet nga organet e shtetit.

    “Kryetari i komunës, Qemajl Aliu, ka bërë shkelje të ligjit në lidhje me projektin e Ndërtimit të Shtabit simbolik të UÇK-së në fshatin Rancë të Shtimes. Për më tepër, ai nuk i ka respektuar procedurat me këtë bartje, ashtu siç kërkon ligji Andaj, këto veprime të kryera pa respektuar procedurat ligjore dhe pa transparencë duhet të hetohen nga organet e shtetit për të siguruar zbatimin e ligjit dhe llogaridhënien në administratën publike.” ka thënë Jakupi.

    Çka thotë ligji?

    Komuna e Shtimes është pyetur nga Gazeta Express nëse transferimi i parave nga një projekt në projektin tjetër është bërë me miratimin e Kuvendit Komunal, por të njëjtit nuk janë përgjigjur në këtë pyetje.

    Se çdo ndryshim në shumat e alokuara për projekte ekzistuese ose zëvendësim i projekteve kapitale komunale duhet të miratohet paraprakisht nga Kuvendi Komunal e ka thënë edhe Ardit Dragusha nga organizata “Demokracy Plus”.

    “Çdo ndryshim në shumat e alokuara për projekte ekzistuese ose zëvendësim i projekteve kapitale komunale duhet të miratohet paraprakisht nga Kuvendi Komunal. Këto ndryshime regjistrohen në SIMFK nga Ministria brenda pesë (5) ditëve nga marrja e miatimit nga Kuvendi Komunal”, shprehet Dragusha.

    Bartja e mjeteve nga një ndarje buxhetore në një tjetër rregullohet përmes nenit 30 të Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë.

    Në paragrafin e parë të nenin 30 të këtij ligji thuhet se “një organizatë buxhetore mundet, pa marrjen e miratimit paraprak nga Ministri, të transferojë deri në pesë për qind (5%) të një ndarje buxhetore në një ndarje tjetër të asaj organizate buxhetore gjatë vitit fiskal; megjithatë, këto transfere nuk mund të bëhen në ndarjen buxhetore për paga dhe mëditje pa miratimin paraprak të Ministrit dhe, sipas rastit, Qeverisë ose Kuvendit, sipas paragrafëve 3 dhe 4 të këtij neni”.

    Tutje në paragrafin 5 të nenit 30 të Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë, thuhet se “…kryetari i Komunës, pas marrjes së miratimit nga kuvendi komunal, mund të bëjë bartjen e një shume në një ndarje buxhetore të komunës në një ndarje tjetër buxhetore të komunës; me kusht që; a) asnjë shumë e këtillë të mos bartet nga komuna nga një ndarje specifike operative pa miratimin e Ministrit dhe – sipas rastit – Qeverisë ose Kuvendit, sipas paragrafëve 3 dhe 4 të këtij neni; b) asnjë shumë e këtillë të mos bartet në një ndarje buxhetore për paga dhe mëditje pa miratimin e Ministrit dhe – sipas rastit – Qeverisë dhe Kuvendit, sipas paragrafëve 3 dhe 4 të këtij neni; dhe c) kryetari i komunës menjëherë duhet t’i dërgojë një njoftim me shkrim Drejtorit të Përgjithshëm të Departamentit të Buxhetit lidhur me çfarëdo bartje të bërë sipas këtij paragrafi”.

    Hetimi nga Prokuroria e Ferizajt

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, e ka konfirmuar se për këtë rast në Prokurori është dorëzuar një kallëzim penal dhe i njëjti është duke u hetuar.

    Ai ka thënë se ky është njëri nga disa raste që përmendet në kallëzimi penal ndaj kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu dhe disa zyrtarëve të tjerë i dorëzuar më 29.02.2024, në Prokurorinë Themelore të Ferizajt.

    “Paraqitësi i këtij kallëzimi penal, ka dorëzuar edhe disa kallëzime të tjera në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, kundër disa të pandehurve, për shkak të dyshimit të veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ sipas KPRK-së, andaj, ky rast ka qenë në brendësi të njërit nga këto kallëzime penale të dorëzuara. Lidhur me pyetjet e pranuara nga ana juaj, fillimisht ju konfirmojmë se për këtë rast, është pranuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, dhe i njëjti aktualisht është në procedurë hetimore dhe në këtë fazë nuk mund të japim më shumë detaje”, ka thënë kryeprokurori Jashari.

    Projekti pritet të përurohet më 26 qershor 2024

    Përkundër shumë zvarritjeve, Komuna e Shtimës ka arriturë të sigurojë financimin e projektit nga niveli qendror.

    Më 06.07.2023, Komuna e Shtimes ka nënshkruar kontratën në vlerë 123,998 euro për projektin “Ngritja e Shtabit të Rancës” me kompaninë “NN XH. Kololli”, e cila është përzgjedhur në mesin e dy kompanive që kishin dorëzuar ofertat për këtë tender. Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës, data e përfundimit të kontratës është 04.07.2024.

    Ende pa përfunduar ky afat, më 28.05.2024, Komuna e Shtimes ka nënshkruar kontratë për punë shtesë në vlerë 12,079 euro me kompaninë e njëjtë të cilës i kishte dhënë edhe tenderin e parë për këtë projekt.

    Nga Komuna e Shtimes kanë thënë se në projekti në Rancë do të përurohet më 26.06.2024.

    “Në vitin 2023 kemi nënshkruar memorandum me Agjencinë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale në vlerë 125 mijë euro për ndërtimin e Shtabit të Rancës, të cilin do ta përurojmë më 26 qershor të këtij viti. Përurimi i një objekti të rëndësisë së lartë siç është Shtabi i Rancës dëshmon përkushtimin e qeverisjes sonë ndaj ruajtjes së vlerave të luftës së UÇK-së dhe punën e pandalur që po e bëjmë për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve tanë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Shtimes.

    Ky artikull është përgatitur përmes mbështetjes nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara apo BIRN.

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.