×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Distria e argjendtë në Paris – si e uruan Presidentja e Kryeministri

    NgaKotar FactorialPublikuar: 29/07/2024 | 7:06 Publikimo: 29/07/2024 | 7:06

    Xhudistja Distria Krasniqi ka fituar medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike që po mbahen në Paris të Francës.

    Ajo në finale, në kategorinë deri në 52 kilogramë, u mposht nga uzbekja, Diyora Keldiyorova, e cila fitoi me wazari.

    Pas ndeshjes, Distria Krasniqi tha se është shumë e lumtur që fitoi medalje olimpike.

    “Medaljen ia dedikoj trajnerit [Driton Kuka], klubit, familjes dhe normalisht, të gjithë Kosovës”, tha ajo, shkruan Reporteri.net.

    Për fitoren e medaljes olimpike, Distria Krasniqin e uruan edhe krerët e shtetit, presidetja e kryeministri.

    “Stoike e luftarake”, kështu e ka quajtur presidentja Vjosa Osmani, xhudisten Distria Krasniqi, e cila fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike në Paris.

    Ajo ka shkruar në Facebook se medalja e argjentë e Distrias është me shije ari, sepse do të mbetet përherë kampione që frymëzon një shtet të tërë.

    “Stoike e luftarake! Shkëlqimi i Distria Krasniqit lartësoi flamurin e shtetit tonë në majat më të larta. Kosova është pafundësisht krenare. E argjendta e saj, vërtetë, është me shije ari, sepse Distria do të mbetet përherë kampione që frymëzon një shtet të tërë. 🇽🇰 Faleminderit Distria, faleminderit Toni!”, ka shkruar Osmani.

    Kurse, kryeministri Albin Kurti, e falënderoi Distrian për fitoren e medaljes së argjendtë duke thënë se ajo e lartësoi vendin tonë në sportin elitar botëror.

    “Kosova fitoi medaljen e parë në Lojërat Olimpike Paris 2024, me shkëlqimin e argjendtë të Distria Krasniqit në xhudo për femra në kategorinë deri në 52 Kg. Xhudistja e Uzbekistanit në minutin e fundit të finales i largohej Distrias duke e ruajtur epërsinë minimale gjersa kishte edhe një vërejtje. Distria sot gjatë ditës fitoi tri ndeshje: të parën për 39 sekonda, të dytën për 66 sekonda e të tretën për 6 minuta e 10 sekonda (2:10 sekonda në vazhdimin që quhet Golden Score). Jemi krenarë me këtë rezultat që lartëson vendin tonë në sportin elitar botëror dhe e konfirmon që Kosova mbetet Shtet i Xhudos. Të falemnderit Distria për gëzimin dhe shembullin që na jep”, ka shkruar Kurti.

    Kjo është medalja e dytë olimpike për xhudisten kosovare, pasi në Lojërat Olimpike që u mbajtën në Tokio më 2021, Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë.

    E argjenda e Krasniqit është medalja e parë për Kosovën në Lojërat Olimpike të Parisit, dhe medalja e katërt olimpike në përgjithësi.

    Në Olimpiadën e Parisit, Kosova po merr pjesë me nëntë sportistë: pesë xhudistë, një boksiere, një sportiste në atletikë dhe dy notarë. /Reporteri.net/.

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.