Inspektorati Policor i Kosovës i ka suspenduar dy policë në Pejë.
Sipas IPK-së, dy policët dyshohet se kanë tentuar ta lirojnë përkohësisht një person të dyshuar për armëmbajtje pa leje, i cili ishte arrestuar nga policia në Pejë dhe ishte në qendrën e ndalimit në stacionin policor.
“Hetuesit e IPK menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe kanë ndërmarre veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë e Shtetit. Në kuadër të hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për dy zyrtarët policorë të dyshuar në këtë rast”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Më tej, Inspektorati Policor tha se në kuadër të autorizimeve dhe në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, do të marrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave në këtë rast. /Reporteri.net/.