×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Osmani: U pajtuam t’i analizojmë datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve

    NgaKotar FactorialPublikuar: 31/07/2024 | 16:44 Publikimo: 31/07/2024 | 16:44

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjatë takimit me krerët e partive politike parlamentare janë pajtuar që të bëhet analizimi i të gjitha datave dhe elementeve përkatëse për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

    “Ky vendim nuk është marrë sepse duhet t’i analizojmë diskutimet që i kishim me kryetarët e partive”, tha Osmani gjatë konferencës për media pas takimit.

    Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 ose 16 shkurt.

    Osmani tha se partitë kishin preferenca të ndryshme sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

    “Nuk kishte insistim të tepërt nga partitë, kishte më shumë preferenca… Disa parti preferuan 26 janarin, tri a katër të tjera që preferuan 9 shkurtin, dy a tri tjera 16 shkurtin. Dhe, kishte parti të tjera që nuk kishin fare preferenca”, u shpreh Osmani.

    Presidentja Osmani tha se aktualisht janë brenda afatit të konsultimeve për caktimin e datës për zgjedhje.

    “Mirëpo, nga data 26 korrik e tutje, presidentja fiton të drejtën edhe ta bëjë shpalljen e zgjedhjeve, kështu që afatet veçse ekzistojnë”, theksoi ajo.

    Në takimin konsultativ të thirrur nga Osmani, nuk ishin të pranishëm zyrtarët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por as ata të partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe.

    E pyetur për mospjesëmarrjen e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në takimin konsultativ, presidentja Osmani tha se nuk i di arsyet.

    “Të gjitha partitë kanë qenë të ftuara në nivel kryetarësh dhe nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjuca, shprehu gatishmëri të vijë sot në takim. Mirëpo, meqë krejt partitë ishin të njoftuara se ky takim konsultativ është vetëm për nivel kryetarësh, këtë parim e kemi mbajtur për të gjithë dhe ai e zbatoi me mirëkuptim. Kryetari i LVV-së nuk ka qenë në takim. Ne nuk i dimë arsyet. Mund ta pyesni atë drejtpërdrejt. Mund të shkoni në zyrën e tij dhe ta pyesni”, u shpreh Osmani.

    Kabineti i Kurtit njoftoi sot se Kurti mori pjesë si mysafir nderi në drekën e ftuar nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me ambasadorë të akredituar të vendeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate për Bashkim Evropian në Kosovë.

    Ndërkohë, Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik nga Prishtina, tha për Radion Evropa e Lirë se mospjesëmarrja e Kurtit në takim mund të interpretohet si “një gjest simbolik në kontekstin e tensioneve aktuale mes presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti”.

    “Sigurisht që lidhet me marrëdhëniet e pushtetit dhe prandaj Kurti dëshiron të tregojë publikisht se ai – dhe jo Osmani – është ai që dikton procese të rëndësishme politike në Kosovë”, tha ai./REL/

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.