Sot, më 2 gusht, përkujtohet një nga ngjarjet më të dhimbshme dhe tragjike të historisë moderne – Holokaustin Rom dhe Sinti.
Kjo ditë shënon përvjetorin e masakrës së tmerrshme që ndodhi në natën e 2 gushtit 1944 në kampin e përqendrimit “Auschwitz-Birkenau”, ku rreth 4 mijë e 300 burra, gra dhe fëmijë nga komunitetet rome dhe sinti u dërguan në dhomat e gazit dhe u vranë.
Kjo ngjarje e njohur si “Nata e Likuidimit të Kampit të Romëve”, cilësohet si një kujtesë e dhimbshme e genocidit dhe persekutimit brutal që komunitetet rome dhe sinti përjetuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Regjimi nazist i konsideronte romët dhe sintët si “të pavlerë” dhe “të padëshiruar”, duke i përballur me diskriminim të ashpër dhe një fushatë sistematike për zhdukjen e tyre.
Përkujtimi i 2 gushtit është një rast për të nderuar kujtimin e viktimave dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi diskriminimin dhe vuajtjet që këto komunitete kanë përjetuar dhe vazhdojnë të përjetojnë.
Më 2015, Parlamenti Evropian shpalli zyrtarisht këtë ditë si Dita e Kujtimit të Holokaustit Rom dhe Sinti, për të siguruar që historia e tyre të mos harrohet kurrë./Factorial-ks/