Qëndrimi i BE-së për hapjen e urës në Ibër është se është çështje e dialogut dhe se çdo vendim për hapjen duhet të merret në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha sot EULEX-i për Tanjug.
“Diskutimet janë duke vazhduar, dhe Bashkimi Evropian është duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e pyetjes së Tanjug për gjendjen në urën në Mitrovicë dhe nëse EULEX-i ka folur me dikë nga Qeveria e Kosovës për çfarë po planifikojnë dhe se a mund ta ndryshojnë vendimin për hapjen e urës.
BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se çështja e urës duhet të diskutohet në kuadër të dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe ka paralajmëruar se do të jetë temë në takimin e ardhshëm në Bruksel.
Kosova ka paralajmëruar hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ndonëse Beogradi dhe serbët në veri të Kosovës janë kundër, duke theksuar se kjo kërcënon sigurinë dhe mbijetesën e serbëve.
Kundër hapjes së urës në Ibër për momentin janë edhe KFOR, ShBA, QUINT-i dhe OSBE, të cilët besojnë se kjo çështje duhet të jetë pjesë e dialogut ndërmjet dy palëve./Frontonline/