×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Krasta tregoi çfarë është në RTK, s’do të marrë masa ndaj njeriut të pushtetit për skandalin me “Slobodna Bosna”

    NgaKotar FactorialPublikuar: 20/08/2024 | 19:57 Publikimo: 20/08/2024 | 19:57

    Zëvendësdrejtori i RTK-së Adi Krasta nuk ka ndërmend ta ndëshkojë dikë, aq më pak ta shkarkojë Rilind Gërvallën, drejtorin e televizionit që ka qenë aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje. Përgjegjësia që ai e mori për publikimin e lajmit të rremë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq po financon media në Kosovë, si duket do të mbetet pa ndëshkim. “Ky nxitim, ky sensacionalitet, ky trajtim emocional për heqje kokash dhe për dëmtime dhe ndëshkime më duket i padrejtë dhe i pavend”, tha Krasta në një intervistë, që dëshmoi se televizioni publik është kapur fort nga pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje.

    Kryetari i bordit të Radio Televizionit të Kosovës Besnik Boletini dhe dy anëtarë, Arta Berisha dhe Safet Kabashaj dhanë dorëheqje njëri pas tjetrit për shkak se nuk po merrej asnjë masë ndaj drejtorit të televizionit Rilind Gërvalla, gati një muaj pasi ai pranoi se ishte përgjegjësi për publikimin e një “lajmi” në lajmet qendrore të 22 korrikut se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq po i merr në dispozicion disa media të Kosovës.

    Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i RTK-së Adi Krasta është njeriu nga i cili pritej të merreshin masa, pasi një komision ad-hoc evidentoi se ishin shkelur standardet profesionale me publikimin e atij lajmi të rremë që kishte dalë edhe në web-faqen e televizionit. RTK-ja citonte një artikull të “Slobodna Bosna”, një portali boshnjak, duke shkruar se Periskopi është “nën kontrollin e drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radoiçiq”, dhe se së fundmi “është bërë një transaksion milionësh te Nacionale”.

    “Po nuk është primare kjo historia e ndëshkimit. Ne nuk jemi një insititucion policesk. Nuk është primare për ne heqja e kokave. Kjo historia e shkarkimit është kulturë e vjetër në RTK dhe në përgjithësi ka qenë edhe në institucione të tjera ku ka shqiptarë, që e zgjidh duke e hequr tjetrin, duke e shkatërru tjetrin, duke e hequr nga pozicioni, dhe nuk zgjidhet problemi i vërtetë por merret një vendim për të lëvizur njerëz, për të destabilizuar njerëz, për të destatuuar njerëz, për t’i hequr ata njerëz dhe ndërkohë problemi është po i njëjti. Mua më intereson zgjedhja e problemit”, tha ai.

    Si prelud i asaj se çfarë do të thoshte, ai iu tregoi ndjekësve që në fillim të intervistës se s’do t’i qaset këtij problemi ashtu siç pritet.

    “Qëllimi im është të jem sa më informativ dhe analitik me shikuesit e Radio Televizionit të Kosovës dhe me publikun e Kosovës”, tha fillimisht ai. “Është e vështirë nëpër intervista që të kënaqësh të gjitha dëshirat sensacionaliste të të gjithëve në raport me mënyrën se si i qasemi problemeve”.

    Duke folur për rastin konkret, ai tha se është “shumë i kënaqur që në Kosovë po bëhet një debat kaq pasionant për standardet gazetareske”. Më pas tregoi se nuk do të nxitojë.

    “Ne nuk kemi nxitim. Unë personalisht në këtë rast nuk kam nxitim. Nuk më është thënë diku që kjo duhet të jetë një ngjarje që të zgjidhet brenda tre ditësh. Neve jemi institucion publik, ne kemi përgjegjësi karshi publikut, ne jemi vetëdija e pjesës më të avancuar të publikut të Kosovës”, tha ai.

    Pa ia përmendur shkarkimin e drejtorit të televizionit, Krasta doli vetë aty, për të treguar se nuk mendon ta ndëshkojë dikë në ndonjë mënyrë.

    “Ky nxitim, ky sensacionalitet, ky trajtim emocional për heqje kokash dhe për dëmtime dhe ndëshkime më duket i padrejtë dhe i pavend. Sepse nuk adreson problematikën”, tha ai.

    Sipas tij, nëse ai do ta merrte shpejt një vendim, do të rrezikonte ta bënte një gabim që do ta destabilizonte RTK-në.

    “Ky është një proces. Procesi ka kohën e vetë. Ne nuk mund të nxitojmë sepse ka presion nga shoqëria, nga grupime të caktuara, ‘zgjidhe ti tani’. Absolutisht jo. Ne mund të bëjmë gabim. Ne mund të bëjmë nga një gabim një gabim tjetër, pastaj një gabim tjetër dhe ta destabilizojmë Radio Televizionin e Kosovës”, tha Krasta.

    Ai tha se po diskutojnë për rastin, por përsëriti: “Është kapërcim pindarik, quhet, ky, është kapërcim shumë i madh të shkosh ti te ndëshkimi. Ti s’ke bërë analizën njëherë për të kuptuar çfarë ndodh, nuk e ke bërë të plotë”.

    Krasta tha se është “i trishtuar” që bordi i RTK-së nuk është funksional me dorëheqjet e kryetarit dhe dy anëtarëve. Për bordin, tha se “duhet ta dëgjojë menaxhmentin”.

    “Kam për bordin disa kërkesa, i kam pasë gjithmonë, që ata duhet të ngrihet mbi interesa individualë, të tregojnë një nivel të lartë përgjegjësie, të mos mbajnë fjalime të gjata, të mos na japin mend për Radio Televizionin shumë, se nuk e njohin shumë Radio Televizionin, ose nuk e njohin fare. Ata duhet të dëgjojnë menaxhmentin dhe pastaj ta ndihmojnë Radio Televizionin për të ecur përpara. Kultura e deritashme e heqjeve, shkarkimeve, dënimeve, është një kulturë e cila nuk e ndihmon, e destabilizon Radio Televizionin publik”, tha Krasta.

    Duke komentuar deklaratën e ish-kryetarit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini se Adi Krasta “nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin”, zëvendësdrejtori i përgjithshëm tha se nuk mund të bëheshin epitete të tilla.

    “E para e punës, bordi nuk mund të bëjë përcaktime, nuk është një agjenci hetimi, kryetarët e bordit nuk i lejojnë vetes të bëjnë përcaktime të një karakteri kaq dramatik sepse ka sisteme të caktuara brenda vetë institucionit”.

    Krasta tha se “në kompetencat e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm thuhet ai merr masa korrigjuese”, duke treguar se çfarë ndërmori ai pas këtij rasti. “Krijuam një kolegjium më të vogël sesa kolegjiumi i madh, një kolegjium njerëzish që marrin pjesë nga profesioni, ku bëjnë pjesë drejtori i lajmeve, drejtorë të tjerë dhe vumë një filtër të menjëhershëm. Kjo është një masë që zëvendësdrejtori e merr sepse e ka brenda kompetencave. Vumë një filtër dhe thamë, kurrë më në të ardhmen për çfarëdo arsye Radio Televizioni i Kosovës nuk mund të trajtojë një lajm të cilin e krijon vetë ose e merr nga burime të tjera – dhe ka gjithë të drejtën ta marrë nga burime tjera sepse kështu funksionon media – pa patur një dakordim të këtij kolegjiumi”.

    Krasta tha se bordi i RTK-së do të duhej ta emëronte një ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm, pasi Zana Spahiu dha dorëheqje nga kjo pozitë.

    “Në rastin konkret, zonja drejtoreshë e përgjithshme Spahiu, të cilën unë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë, ka çuar në Bordin e Radio Televizionit të Kosovës një sugjerim për një pezullim të zinxhirit editorial të Radio Televizionit të Kosovës për sa kohë një komision i ngritur po nga ajo me kërkesë të Bordit, një komision vlerësimi me tre veta që kanë firma dhje janë njerëz që mund t’i takosh ditë për ditë në RTK të përpilojnë një raport për një nga ngjarjet e caktuara që ka ndodhur në Radio Televizionin e Kosovës. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm në rastin konkret ka një drejtor të përgjithshëm që bën këtë veprim. Në momentin që zonja Spahiu dha dorëheqje – pra zhvillimet kanë një radhitje, nuk mund ta marrim gjashtën dhe ta çojmë para njëshit – Bordi duhet ta zgjidhte drejtorin e përgjithshëm, kështu e thotë rregullorja, që nuk mund ta vonohojë, sepse është person i rëndësishëm, bën politikat e institucionit”, tha Krasta.

    Për raportin me koordinatoren e Komitetit të Lëvizjes Vetëvendosje Dejona Mihali nuk deshi të fliste, pasi iu shfaq një fotografi me të në një pikë derivatesh në Shqipëri.

    “Raporti im me zonjën Mihali është një raport që e di, e kam shumë të qartë në çfarë diemsionesh shkon. Zonja Mihali është, me sa kam kuptuar një personazh shumë i njohur në Kosovë. Është pjesë e një lëvizjeje politike e cila është aktualisht në pushtet. Nuk ka asnjë lidhje kafeja në NBT para dhe pas urinimit zakonisht që bëhet atje dhe kafeve, me kuriozitetin e njerëzve në Kosovë në raport me këtë ngjarje. Dhe kjo mbyllet këtu”, tha Krasta.

    “Aty është pikëtakim. Jam shumë i lumtur që njerëzit takohen në atë pikëtakim dhe bëjnë foto”, tha ai, pa treguar se kur kishte ndodhur ai takim.

    Për raportet me politikën, ai tha se i ka intervistuar të gjithë kryeministrat dhe presidentët e Kosovës dhe se ka pasur “marrëdhënie institucionale ose njerëzore me lloj-lloj partish”.

    Rilind Gërvalla, drejtor i televizionit, e kishte marrë përgjegjësinë për atë lajm thjesht akuzues. Në një situatë normale, kjo do të përcillej me dorëheqje. Por ky nuk ishte rasti. Mundin për të shkruar një postim në Facebook vetëm pak ditë pas skandalit, Gërvalla e kishte marrë vetëm për të dhënë “përgjigje të bollshme” se portali boshnjak “është medium serioz”.

    Dhjetëra gazetarë që punojnë në televizionin publik, të cilët u distancuan publikisht nga transmetimi i atij “lajmi”, drejtori i televizionit, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje që s’ka qenë kurrë gazetar, i paralajmëroi se RTK do të vazhdojë të funksionojë në këtë mënyrë.

    “Kjo nuk mund të na ndalë ne do të raportojmë edhe për ato procese”, shkroi Gërvalla.

    Kur RTK-ja e transmetoi lajmin e rremë, të njëjtin e shpërndanë me shpejtësi eksponentë të LVV-së, partisë në pushtet. Ndër ta, koordinatorja e Komitetit të LVV-së, Dejona Mihali, e cila e pati një përshkrim të ngjashëm si të Rilind Gërvallës për portalin boshnjak.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës alarmonte se “fushata si kjo rrezikon seriozisht sigurinë e gazetarëve të këtyre dy mediave”, duke thënë se “Vetëvendosja e deputetët e saj duhet të mbahen përgjegjës për nxitjen e urrejtjes dhe sulmeve potenciale kundër tyre”.

    AGK-ja, së bashku me shumë organizata joqeveritare dhe aktivistë të shoqërisë civile u bashkuan për të kërkuar njëzëri dorëheqjen e bordit të RTK-së për “mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre”, pas kësaj situatë të krijuar.

    Përtej ngjarjes së fundit, shoqëria civile dhe aktivistët thanë se “një sërë zhvillimesh tjera kanë ndodhur në RTK që japin indikacione të qarta që bordi i transmetuesit nuk funksionon më i pavarur nga partia në pushtet”./Gazetaexpress/

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.