Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka ripërsëritur qëndrimin e shtetit gjerman për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Rohde tha se situata aktuale e sigurisë nuk është në favor të hapjes së kësaj ure ani pse ka një marrëveshje të arritur kohë më parë për këtë. Ai po ashtu ka thënë se ka rrezik për tensione nëse ura hapet.
“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës, natyrisht, ne kemi të njëjtat qëllime si ato të qeverisë, që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen. Dhe ka edhe një vendim nga këto marrëveshje që duhet zbatuar, është marrëveshja e arritur për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Por, koha nuk është tani, e dini, ka rrezik për tensione atje”, tha ai.
Ambasadori gjerman shtoi se duhen konsultime mes Qeverisë së Kosovës dhe Perëndimit dhe se Ura e Ibrit mund të hapet vetëm atëherë kur vlerësohet se ka siguri për të ndodhë kjo gjë.
“Tani duhet të ketë një proces, duhet të ketë konsultime, por për momentin nuk bëhet fjalë për hapje. Këtë ia kemi komunikuar qeverisë. Për mua është e qartë se ura duhet të hapet por kemi nevojë për dialog mes qeverisë me Perëndimin, vlerësimi i situatës së sigurisë aktualisht e bënë të qartë se nuk është momenti për të hapur urën. Për sa kohë mendojmë se nuk është momenti i duhur për t’u hapur ura, duhet të qëndrojmë në situatën aktuale”, nënvizoi ai ./Gazetaexpress/