Edhe Bashkimi Evropian është zhgënjyer për veprimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e komunave ilegale në veri.
Në reagimin e tyre thuhet se BE është e zhgënjyer për mungesën e vazhdueshme të koordinimit me ofruesit e sigurisë së Kosovës dhe me partnerët ndërkombëtarë.
“Operacioni i sotëm i Policisë së Kosovës kundër zyrave të mbështetura nga Serbia në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, i zhvilluar nën udhëzimet e Qeverisë së Kosovës, rrezikon situatën e brishtë të sigurisë në terren”, thuhet në reagime.
Tutje theksohet se EULEX është vendosur menjëherë për të monitoruar zhvillimin e këtij operacioni, i cili nuk ishte i koordinuar me BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë.
“BE-ja dëshiron të përsëris se Kosova është angazhuar për de-përshkallëzim. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren. Fatkeqësisht thirrjet tona janë shpërfillur nga qeveria e Kosovës”.
Në reagimin e tyre thuhet se ky operacion policor i Kosovës në veri mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situatë, që sipas tyre, tashmë është e paqëndrueshme
“BE do të dëshironte të përsëriste se operacioni aktual i policisë kundër zyrave të mbështetura nga Serbia mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situate tashmë të paqëndrueshme.
Zyrat e mbështetura nga Serbia parashikohet të adresohen dhe zgjidhen në Dialogun e lehtësuar nga BE. Presim që Kosova dhe Serbia të adresojnë dhe zgjidhin çështjet e hapura mes tyre në Dialogun e lehtësuar nga BE”./gazetaexpress/