Nga Asambleja e PS që po mbahet në Durrës, kryeministri i Shqipërisë, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se, PS do të fitojë sërish në zgjedhjet e 2025.
“Disa thonë se ne fitojmë sepse përdorim pushtetin për të marrë votat, madje thonë dhe që ne i blejmë votat. Disa thonë që ne kemi fituar deri tani sepse nuk kemi pasur alternativë, madje thonë se ofrojnë ata vetë alternativa të reja. Të tjerë shkojnë dhe më tutje duke thënë se ne fitojmë sepse sipas tyre Shqipëria është diktaturë dhe ngaqë ndërkombëtarët mbyllin sytë përpara së keqes së madhe që ne jemi jemi, ngaqë të huajt duan stabilitet, jo demokraci në Shqipëri, ngaqë ne i korruptojmë, ngaqë Evropa nuk na respekton, ngaqë Amerika na do për kukulla të saj në rajon e ngaqë të tjera budallallëqe të guximshme si këto”.
“Po, vërejeni me vëmendje të gjithë këta bashkohen nga rrugë të ndryshme në pikën se në Shqipëri nuk ka zgjedhje përderisa ato i fitojmë gjithnjë ne. Ama nga ana tjetër të gjithë këta bashkë janë njësoj, sepse i përkasin të njëjtës rrugë të vjetër dhe mendësi të ndryshkur ballkanike, otomane po të doni. Janë aq njësoj në disa gjëra sa të thjeshta aq edhe kuptimplota, saqë çdo njeri arsyeshëm që sheh me sytë e vet, dëgjon me veshët e vet dhe logjikon me mendjen e vet e kupton fare kollaj sepse ne fitojmë dhe do të fitojmë përsëri, ndërsa ata kundërshtarët tanë, qofshin të vjetër a qofshin të rinj në moshë vetëm humbin dhe do të humbin përsëri”, tha Rama.
Madje Rama duket se deklaron edhe një bast kur thotë se partia kundërshtare, PD, nuk do të marrë më shumë mandate seç ka marrë në vitin 1997./Gazetaexpress/