Presidentja Vjosa Osmani, dje është nderuar me çmimin “M100 Media Award”, çmim ky që iu nda asaj në Postdam të Gjermanisë.
Për këtë vlerësim, e para e shtetit është uruar nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Ai tha se ky çmim thekson pritshmërinë e fortë për angazhim të vazhdueshëm në ruajtjen e lirisë së medias.
“Urime Presidentes Vjosa Osmanit për marrjen e Çmimit ‘M100 Media Award’ në Potsdam të Gjermanisë! Ky nder jo vetëm që njeh përkushtimin tuaj ndaj lirisë së medias – një shtyllë kyçe e çdo demokracie – por gjithashtu thekson pritshmërinë e fortë për angazhim të vazhdueshëm në ruajtjen e saj”, ka shkruar Rohde.
Osmani, nga ana e saj, pasi mori çmimin në fjalë, tha se është e nderuar dhe mirënjohëse.
“Demokracia, sundimi i ligjit dhe vendi i merituar i Kosovës në institucionet euroatlantike nuk janë vetëm ideale – ato janë busull që udhëheq rrugën tonë përpara. Këto vlera gjithmonë do të ndriçojnë rrugën përpara. Për popullin e Kosovës, sot dhe gjithmonë”, shkroi Osmani. /Klankosova.tv/