×
  • S’fundmi
  • Puna jonë
  • S’fundmi

    Rusia nis fushatë të ashpër kundër Kosovës

    NgaKotar FactorialPublikuar: 13/09/2024 | 10:08 Publikimo: 13/09/2024 | 10:08
    Rusia ka nisur një fushatë të ashpër ndaj situatës së brishtë në Kosovë.

    Derisa forcat e KFOR-it janë shtuar në vendin tonë, Moska dhe njerëzit më të afërt të Putinit kanë filluar të lëshojnë deklarata nxitëse.

    Propagandën e Serbisë po e vazhdon edhe Rusia, por duke i dhënë amplifikim ndërkombëtar. Ministri i jashtëm, Sergej Lavrov, pretendon se “serbët në Kosovë po persekutohen, njësoj si persekutimi i popullatës ruse nga territori i Donbasit, që u krye nga ukrainasit”.

    “Spastrimi etnik është i pastër si loti. Gjithashtu, pa konflikte serioze ushtarake, po përpiqen të dëbojnë serbët nga Kosova”, tha ministri rus.

    Lavrov pretendoi pa fakte se serbët po dëbohen në heshtje nga ajo që e quajti krahina jugore serbe, sipas tij me metoda të ndryshme burokratike.

    Këtë deklaratë Lavrov dje. Ndërsa nuk kaloi pak kohë, për Kosovën foli edhe zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova.

    Derisa ka komentuar ngjarjet në Kosovë dhe në Serbi, ajo ka thënë se përgjegjësia e plotë për krizën sipas saj e nxitur nga Prishtina është e shteteve perëndimore.

    “Në të vërtetë, kryeministri Albin Kurti po largon serbët që jetojnë në Kosovë nga vendlindja e tyre, duke përdorur masave të rrepta. Ne shprehim solidaritetin me komunitetin serb, u bëjmë thirrje misioneve ndërkombëtare që veprojnë bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të përmbushin siç duhet mandatet e tyre dhe të sigurojnë mbrojtjen e serbëve nga sulmet ndaj të drejtave dhe sigurisë së tyre. Kriza e nxitur nga Prishtina i takon perëndimit”, tha Zakharova.

    Dihet se Serbia ka raporte vëllezërore me Rusinë, pavarësisht se të gjithë kanë kërkuar sanskione për shkak të luftës që shteti rus po e kryen në Ukrainë.

    Bashkimi Evropian i bëri thirrje Serbisë të përmbahet nga thellimi i lidhjeve me Rusinë, duke theksuar se një gjë e tillë bie ndesh me aspiratat e shpallura të saj për integrim në bllok.

    Para pak ditësh, zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, i tha Presidentit rus Vladimir Putin se vendi ballkanik është një aleat i Rusisë, që kurrë nuk do të vendosë sanksione kundër Moskës apo të anëtarësohet në NATO.

    Komentet e Aleksandar Vulinit, ish shef i Shërbimit të fshehtë serb i cili është nën sanksionet amerikane, të bëra gjatë një takimi me presidentin rus në Vladivistok, pasqyrojnë marrëdhëniet e ngushta midis Beogradit dhe Moskës.

    Zv/kryeministri serb Aleksandar Vulin i tha presidentit rus se Beogradi nuk do t’u bashkohet sanksioneve perëndimore

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, tha se takimi i zëvendëskryeministrit të Serbisë me udhëheqësin rus është në kundërshtim me aspiratat e Serbisë për integrim në BE.

    “Nuk e dimë se në emër të kujt flet Vulini, sepse presidenti i Serbisë, (Aleksandar) Vuçiç, ka ritheksuar qëllimin strategjik të Serbisë për anëtarësim në BE. Kjo do të thotë se pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, nuk mund të vazhdojnë apo të forcohen marrëdhëniet me Rusinë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Pra, presim nga Serbia që të përmbahet nga forcimi i këtyre marrëdhënieve dhe, presim nga të gjithë anëtarët e qeverisë së Serbisë ta ndjekin qëllimin e integrimit në BE”, tha zëdhënësi Stano.

    Të mërkurën zyrtari serb e siguroi Presidentin Putin se lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

    “Serbia e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiçi është një Serbi që nuk do të bëhet kurrë anëtare e NATO-s, e cila kurrë nuk do të vendosë sanksione kundër Federatës Ruse dhe e cila kurrë nuk do të lejojë që territori i saj të përdoret për çfarëdo veprimi anti-rus”, tha ai.

    Presidenti Putin, tha gjatë takimit se ka ftuar presidentin e Serbisë të marrë pjesë në takimin e vendeve anëtare të organizatës BRICS, që pritet t’i zhvillojë punimet nga 22 deri më 24 tetor.

    Presidenti serb, duke e falënderuar Putinin tha të enjten se “në atë kohë do të ketë shumë vizita të rëndësishme në Serbi”, duke lënë të kuptohet se nuk do të udhëtojë për në Kazan të Rusisë, ku pritet të mbahet takimi.

    Takimi i Vulinit me Presidentin Putin në qytetin e largët lindor të Rusisë, Vladivostok, ndodhi pak pas vizitës së Presidentit francez Emmanuel Macron në Serbi, gjatë së cilës Beogradi nënshkroi një marrëveshje për të blerë avionë ushtarak francezë Rafale, një lëvizje që u pa si një largim i mundshëm nga Moska.

    Por vëzhguesit e pavarur në Serbi thonë se takimi është pjesë e përpjekjeve të Vuçiçit për të ruajtur politikën e drejtpeshimit midis Lindjes dhe Perëndimit./Gazetaexpress/

    Lexo edhe: DRABAR PANDAR:

    Factorial-Ks, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.