Me moton globale “Qeverisja efektive e Inteligjencës Artificiale në të gjitha nivelet”, të hënën Kuvendi i Kosovës ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se shënimi i kësaj ditë është i rëndësishëm për ta theksuar rendësinë e idealeve të lirisë, barazisë dhe drejtësisë, për ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse, krahas sulmeve dhe tendencave në rritje që ekzistojnë në kahjen e kundërt për ta minuar dhe për ta sfiduar demokracinë.
Ai po ashtu u shpreh se është e rëndësishme ta njohim progresin demokratik të deri tashëm, që sipas tij e e ka shënuar Kosova duke qëndruar paralelisht përkrah botës demokratike për ruajtjen e idealeve që përfaqëson demokracia sidomos në këtë kohë të sfidave të mëdha globale
“Kjo ditë është e caktuar nga Kombet e Bashkuara dhe ne si shtet synojmë që të jemi pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm. Bëjmë mirë që të jemi pjesë e këtyre standardeve, duke vepruar kështu tregojmë pjekurin tonë shtetërore, pjekuri demokratike. Në një kohë ku në mbarë botë po merr hapësirë dezinformimi, tema globale është caktuar inteligjenca artificiale si një mjet për qeverisje të mirë. Kjo është një thirrje për vëmendje për institucionet tona që ta vene në funksion inteligjencën artificiale. Demokracia mirëmbahet nëpërmjet pjesëmarrjes së qytetarëve. Pa transparencë nuk ka demokraci. Asnjë sukses i Kuvendit nuk mund të jetë i plotë pa partneritetin me qytetarë, organizata të shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare e mediat”, ka thënë Konjufca, raporton Ekonomia Online.
Drejtoresha e Institutit Nacional Demokratik (NDI) në Kosovë, Nancy Soderberg, ka thënë se për 25-vjetorin që ky Institut është duke u angazhuar në Kosovë, janë zotuar që të krijoj një sistem qeverisë që është llogaridhënës.
“Një ditë që na përkujton përgjegjësen kolektive për të kultivuar vlerat demokratike. Ne jemi të zotuar ne 25 vjetorin këtu që të krijoj një sistem qeverisë që është llogaridhënës. Inteligjenca artificiale ka nisur që të transformojmë botën tonë, AI ofron mundësi të mëdha për progres. Kjo teknologji paraqet edhe sfida, ne Kosovës e kemi parë që mjete digjitale dhe AI mund të prek gratë. Kosova ka mundësi për standarde të lartë që të shfrytëzohen në të mirë të shoqërisë, mund të ndërtojmë institucione më të fuqishme”,
Kryetarja e Forumit për Transparencë Parlamentare, Arbëresha Kryeziu, ka thënë se falë bashkëpunimit me organizata e shoqërisë civile e organizatat ndërkombëtare, është rritur demokracia, llogaridhënia dhe transparenca e Kuvendit të Kosovës.
“Kuvendi është një nga institucionet me demokratike. Kuvendi sot është më i hapur edhe më i qasshëm se asnjë herë më parë, për këtë ka më shumë llogaridhënie dhe transparencë”, ka thënë ajo.
E deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se në këtë ditë të demokracisë duhet që të flitet për cenimet që sipas saj qeveria aktuale i ka bërë demokracisë.
“Është një ditë e veçantë sot e para për të kujtuar prekjet shumë vjeçare të Kosovës për të konsoliduar demokracinë. Është bërë një punë e madhe. Sot dua të flasim edhe për gjendje e rënd që ju është bërë vlerave demokratike të Kosovës. Kemi pasur një qeveri jo demokratike. Kemi një kryeministër që në sesionin pranveror 36 herë nuk ju është përgjigjur kërkesave dhe pyetjeve parlamentare të deputetëve. Duhet të përmendim edhe cenimin e medias, organizatat ndërkombëtare kanë vënë në theks cenimin e medias të lirë. Qeveri duhet që të ketë qasje tjetër dhe ministrat të jenë qasshëm”, u shpreh ajo.
Në kuadër të kësaj ditë janë paraparë një sërë aktivitetesh që do të mbahen në ambientet e Kuvendit të Kosovës./KlanKosova/