Bashkimi Evropian i është bashkuar thirrjeve që të gjithë qytetarët në Kosovë të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë që ka filluar, ndërsa serbëve në katër komunat veriore të Kosovës u ka bërë thirrje që të dalin në votimet e thirrura për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.
BE-ja ka shprehur keqardhje për thirrjet që kanë bërë Lista Serbe dhe përfaqësuesit tjerë të serbëve të Kosovës për bojkotimin e votimit dhe të regjistrimit. Ndërsa Listën Serbe e ka ftuar që ta rishqyrtojë vendimin e saj për të mos marrë pjesë në votimet e thirrura për 21 prill.
Këto porosi i ka dërguar për media një zëdhënës i BE-së duke rikujtuar se pjesëmarrja e serbëve të pjesës veriore të Kosovës në institucionet e Kosovës është në interes të tyre dhe se është e nevojshme për uljen e tensioneve në atë pjesë të Kosovës.
“BE-ja shpreh keqardhje për vendimin e Listë Serbe që të mos marrë pjesë në votimet e planifikuara për 21 prill në katër komunat veriore. Kjo pason bojkotimit e zgjedhjeve lokale të prillit të vitit 2023”, thuhet në qëndrimin e Bashkimit Evropian dhe përsëritet se zgjedhjet e prillit 2023, “edhe pse ishin në përputhje me kornizën e Kosovës, nuk ofruan një zgjidhje politike, pasi bojkoti nga serbët rezultoi me pjesëmarrje shumë të ulët”.
“Ne marrim në dijeni shqetësimet të cilat janë shprehur nga serbët e Kosovës lidhur me procesin për zgjedhjet e reja. Megjithatë i bëjmë thirrje Listës Serbe ta rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë” thuhet në reagimin e BE-së. “Demokracia do të thotë edhe realizim i të drejtës për serbët e Kosovës që të shprehin qëndrimet e tyre në kutitë e votimeve. BE-ja rikujton se është kyçe që të zhvillohen zgjedhjet lokale në katër komuna të veriut të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve pa parakushte.
Zhvillimi i zgjedhjeve të reja për kryetar komunash duhet të sigurojë qeverisje të plotë përfaqësuese në veri dhe të ndihmojë në depërshkallëzimin e situatës. Votimi për shkarkim është hap në këtë drejtim”.
BE-ja ka shprehur keqardhje edhe për thirrjet për bojkotimin e regjistrimit të popullsisë nga ana e përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovë. BE-ja i ka inkurajuar të gjithë në Kosovë që të marrin pjesë në këtë regjistrim ndërsa Agjencinë e Statistikave të Kosovës që të intensifikojnë fushatën e informimit në mënyrë që të gjithë banorët, përfshirë edhe ata të komuniteteve jo shumicë, të informohen në mënyrë të mjaftueshme për këtë regjistrim.
BE-ja e konsideron regjistrimin si të nevojshëm për shumë vendime për të adresuar nevojat e qytetarëve, nga niveli i qeverisë, bizneseve, shoqërisë civile në Kosovë e deri të bashkësia ndërkombëtarë. Prandaj përsërit thirrjen që qytetarët të përgjigjen në këtë regjistrim që ka nisur në Kosovë.